Shkodra Post
AktualitetSport

Çfarë po ndodh me arbitrat? Pas Jorgjit, FSHF i bën dalje dhe një tjetër gjyqtari

Krizë besimi, dyshime të forta, kërcënime dhe në fund… “braktisje” nga vetë institucioni i futbollit shqiptar. Kështu mund ta përkufizosh situatën aktuale me arbitrat dhe raportin që ata kanë me FSHF-në në momentin kur gjërat komplikohen dhe futen në lojë interesa madhorë apo prishen disa ekuilibra që vënë me “shpatulla” pas murit vetë kupolën e institucionit të futbollit në marrëdhënien që kanë ndërtuar me klubet.

Por çfarë po ndodh me arbitrat?

“Panorama Sport” zbuloi pak ditë më parë se FSHF-ja i ka bërë “dalje” gjyqtarit ndërkombëtar, Enea Jorgji, të cilin nuk e ka caktuar në asnjë ndeshje që prej 3 prillit. Për herë të fundit ai ishte në fushë në takimin Dinamo Korabi 1-0, e vlefshme për Kategorinë e Parë.

Për 38-vjeçarin nga Elbasani, që prej kohësh mban stemën e FIFA-s dhe konsiderohet si një prej arbitrave më të mira në Shqipëri, ende dhe sot nuk ka një qëndrim zyrtar nga Shoqata e Arbitrave se çfarë ka ndodhur me të.

Mirëpo, sikur të mos mjaftonte misteri me Jorgjin, i cili mori këtë “dhuratë” nga FSHF-ja, pasi gjykoi dy takime ndërkombëtare (Austri-Estoni për eliminatoret e Botërorit dhe Fiorentina-Sivasor për fazën e 1.16 të Ligës së Konferencës), një tjetër arbitër rezulton të jetë “zhdukur”.

Gazeta mëson se i radhës që e ka pësuar është Kreshnik Barjamaj, i cili ka qenë për herë të fundit gjyqtar në ndeshjen e javës së 27-të të Kategorisë Superiore, Kastrioti Laçi 2-1, luajtur në stadiumin e Kamzës më 2 prill.

Ai takim prodhoi shumë polemika pas një goli të anuluar me VAR nga Barjamaj, që si kurrë më parë detyroi FSHF-në të dilte me një komunikatë, duke thënë ndër të tjera se “në Kastrioti-Laçi arbitrat e ndeshjes janë kërcënuar me jetë dhe janë detyruar të anulojnë një gol për skuadrën kurbinase. Të ndierë vazhdimisht të kërcënuar zyrtarët kanë pasur frikë të deklarojnë me shkrim apo të denoncojnë ngjarje të tilla”.

Por çfarë ndodh sot me Barjamajn dhe pse ai dhe Jorgji nuk gjykojnë më, ndërsa kolegë të tyre, që kanë pasur thuajse të njëjtat situata në muajin e kaluar, janë në aktivitet çdo javë në Superiore apo Kategorinë e Parë?

Një situatë e mbushur me mister, edhe pse në thelb çështja “Jorgji” ndahet nga ajo e Barjamajt… Ky i fundit, si për ironi të fatit, u vlerësua në muajin janar si një nga tre arbitrat shqiptarë që do të mbajnë stemën e FIFA-s për sistemin VAR. /panoramasport

Related posts

Mësohet identiteti i 32-vjeçarit i cili u paraqit i plagosur në spitalin e Shkodres…

Benet Beci publikon intervisten me Grida Dumën në Top Channel…

Vdes gjatë raportimit live të ndeshjes Argjentinë-Holandë gazetari sportiv…