Shkodra Post
AktualitetEkonomiLajmi i Fundit

“Shkodra, 1 milion net fjetjeje, investimet për rritjen e potencialit turistik”…

Intervistë me Benet Beci, Kryetar i Bashkisë së Shkodrës

Shkodra, poli më i rëndësishëm turistik i Veriut, ka përjetuar ashtu si e gjithë Shqipëria, një vit të jashtëzakonshëm.

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, në një intervistë për “Monitor”, nënvizon se gjatë janar-shtator janë regjistruar plot 1 milion net fjetjeje në strukturat akomoduese të Bashkisë.

Vendasit dhe shqiptarët e Kosovës kanë dominuar verën në zonën e Velipojës, teksa spanjollët, italianët, gjermanët, francezët e polakët janë disa nga kombësitë që kanë shfaqur interes për të vizituar jo vetëm qytetin, por edhe disa nga destinacionet më tërheqëse që përfshin ky rajon.

Sipas z. Beci, duke pasur parasysh potencialin e qytetit për t’u rritur në aspektin turistik, edhe investimet e Bashkisë po orientohen drejt nxjerrjes në pah të pasurisë natyrore dhe kulturore të saj.

Si ishte vera e këtij viti dhe në përgjithësi ky 9-mujor në aspektin turistik për qytetin e Shkodrës?

Turizmi në Bashkinë e Shkodrës ishte shumë i suksesshëm këtë vit, ku llogarisim që të ketë pasur më shumë se 1 milion net fjetjeje. Mendojmë se rol kryesor, përveç rritjes së përgjithshme të turizmit në të gjithë vendin, ka pasur diversiteti i madh turistik që Bashkia e Shkodrës ofron.

Ndërsa fluksi më i mirë i turistëve ishte gjatë muajit gusht, sezoni turistik ka filluar më herët dhe po zgjat më shumë në kohë, në të vërtetë vazhdon ende. Tipologjia e vizitorëve që e frekuentojnë është e ndryshme, ku bazë është turizmi malor, ai bregdetar dhe turizmi në vetë qytetin e Shkodrës, që përfshin turizmin e kulturës dhe atë liqenor.

Sa kapacitete akomoduese ka në total Shkodra në lidhje me strukturat dhe numrin e shtretërve?

Në Bashkinë e Shkodrës parashikojmë të jenë rreth 35,000 shtretër, ku pjesën më të madhe e zënë hotelet me 60%, apartamentet / shtëpitë që lëshohen në Airbnb me 25% dhe pjesa tjetër janë bujtina dhe kampingje.

Presim që Shkodra të ketë mbi 400,000 turistë që kanë kaluar natën për vitin 2023.

Për herë të parë kemi bërë një studim të detajuar në terren, për të inventarizuar numrin e shtretërve dhe potencialin turistik që ka Bashkia e Shkodrës. Nga analiza kuptuam se pesha e turizmit në ekonomi është mjaft e lartë dhe po rritet sezon pas sezoni, ndërkohë që informaliteti është i lartë.

Do të nisim shpejt një fushatë ndërgjegjësimi me bizneset dhe njësitë e shërbimit që të formalizohen sa më parë. Kjo do t’i ndihmojë vetë bizneset, duke i promovuar ato më shumë dhe duke rritur cilësinë e infrastrukturës dhe shërbimit në mbështetje të turizmit.

Cilat janë pikat turistike më të vizituara të Shkodrës?

Shkodra ofron një larmi të jashtëzakonshme të produkteve turistike që nga Alpet me Thethin, liqenin e Shkodrës me Shirokën e Zogajn, qytetin me pasurinë e vet të trashëgimisë kulturore, ritmin e vet të të jetuarit dhe ofertën e pasur argëtuese dhe sigurisht Velipojën buzë detit.

Plazhi i Velipojës është pika më e frekuentuar, pastaj vijnë qyteti, Thethi e në vijim Shiroka. Një pjesë e mirë e këtyre turistëve vizitojnë pika të ndryshme në territorin e bashkisë dhe në të gjithë rajonin. Me siguri kemi një trend në rritje në të gjithë pikat e vizituara.

Po sjell si shembull këtu Kalanë e Rozafës, një ndër pikat më të vizituara këtë vit që parashikohet të ketë më shumë se 130 mijë vizitorë, duke qenë Parku Arkeologjik më i vizituar në të gjithë vendin.

Cilat janë grupet apo tregjet që e vizitojnë më shumë Shkodrën, të cilat ranë në sy këtë vërë (kombësia)?

Këtë do ta ndanim në bazë të destinacionit, sepse secila zonë e bashkisë ka një target grup të caktuar që e viziton. Velipoja vizitohet më shumë nga familjarët, ku qytetarët e Shkodrës që kanë shtëpi pushuese bashkë me shqiptarët e Kosovës janë kryesorë.

Por këtë vit është parë një rritje dhe nga turistët spanjollë dhe ata italianë, që kanë frekuentuar plazhin me rërën kurative të Velipojës. Ndërkohë, zonën e Thethit e vizitojnë dhe tregu më cilësor i turistëve, ky kryesojnë ata gjermanë, francezë dhe polakë.

Qytetin dhe liqenin e vizitojnë turistët e interesuar për kulturën dhe ekoturizmin. Këtë vit, interesi për birdwatching (vëzhgimi i zogjve) është rritur me 50%, po ashtu dhe për kanoe në liqen.

Këtu nuk mungojnë turistët nga Zelanda dhe Australia, apo edhe nga Mali i Zi, numri i të cilëve sa vjen e po rritet më shumë gjatë fundjavave.

Si paraqitet interesi nga sektori privat për të investuar në akomodim në kushtet e rritjes së interesit për destinacionin?

Bashkia e Shkodrës sot ka një interes të shtuar për projekte dhe investime. Energjia, menaxhimi i ri i qytetit dhe dëshira për punë e vetë banorëve të Shkodrës është e madhe, duke sjellë një kërkesë të shtuar për të bërë biznes në fushën e turizmit.

Ne po studiojmë me rëndësi të veçantë, zonat prioritare ku mund të ndërtohet për akomodim si dhe lloji i akomodimit që do të jetë i përshtatshëm, duke parë vizionin që Bashkia ka për një qytet të gjelbër, ekologjik, që është i rrethuar nga natyra dhe uji në të gjithë anët.

Cilat janë disa nga investimet e Bashkisë të kryera në funksion të përmirësimit të potencialit turistik dhe projekte të tjera që synoni të zhvilloni?

Ka një numër projektesh me financim nga Qeveria Shqiptare, donatorët dhe vetë bashkia në faza të ndryshme, të cilat të kombinuara, jam i sigurt që do të krijojnë një mjedis tërheqës për turizmin në të gjithë territorin e Bashkisë së Shkodrës.

Sa i përket logjistikës dhe transportit, së shpejti fillon puna në segmentin Shirokë-Zogaj-Kufi me Malin e Zi. Do të përshkojë gjithë bregun perëndimor të liqenit dhe do të krijojë një akses në pikën e re kufitare me Malin e Zi drejt Krajës.

Rruga do të ketë edhe korsinë e vet të posaçme për biçikletat si dhe këmbësorët. duke qenë kështu edhe një produkt turistik. Po finalizohen rrjeti i moleve në Liqen Ura e Bunës, Shirokë dhe Zogaj, duke e hapur liqenin për lundrimin e mjeteve për të parë në perspektivë edhe mundësinë e lundrimit mbi Bunë.

Kanë filluar me shumë interes punimet në rrugën e Dukagjinit, e cila do ndihmojë shumë në zhvillimin e zonës dhe do krijojë një destinacion të ri dhe të bukur të turizmit malor. Jam i sigurt që do të jetë një zbulim për shqiptarët dhe turistët e huaj.

Kjo rrugë do të krijojë një unazë të Alpeve me Thethin në qendër. Sapo filluam restaurimin e Urës së Mesit dhe krijimin e 14 km rrugë për biçikletat për të bërë qytetin sa më miqësor me mjedisin.

Rruga Shëngjin-Velipojë që është drejt mbylljes dhe ura që do lidhë Velipojën me Ulqinin, fillon vitin e ardhshëm. Do jetë e një dimensioni tjetër, për të rritur dhe më shumë numrin e turistëve dhe për ta kthyer Shkodrën në një qendër rajonale.

Kemi një sërë investimesh në qytet, ku kemi nisur me sistemin e eficiencës së energjisë dhe aplikimin e sistemit kapot në fasadat e pallateve të vjetra në bulevardet kryesore të qytetit. Shumë shpejt fillojmë me parkun e hyrjes së qytetit, kemi një investimin në ndriçimin LED dhe një sërë projektesh të asfaltimit të rrugëve të qytetit.

Kemi arritur në pak muaj të kemi një rrjet prej 4-5 km korsi për biçikletat, i cili do të rritet në vijim në qytet e zonat rurale, duke i dhënë Shkodrës infrastrukturën që meriton për përdorimin e lartë të biçikletave që ka.

Një sërë investimesh të tjera të rëndësishme janë në fazë konceptimi e projektimi dhe synojmë t’i fillojmë që vitin e ardhshëm.

Më duhet të them se investimet në qytet, së pari do t’i orientojmë drejt krijimit të një qyteti që ofron shërbime të mira për banorët e vet, një qytet sa më i pastër, i gjelbër dhe i jetueshëm. Mendojmë se një qytet funksional dhe i jetueshëm për banorët e vet do të jetë edhe tërheqës për turistët.

Cilat ishin apo janë disa nga sfidat me të cilat u përball në sezon apo përballet në përgjithësi Bashkia, të cilat do të jenë në vëmendjen tuaj në vazhdim?

Sfida jonë e parë dhe kryesore është të ndërtojmë sistemin e mirëfunksionimit të shërbimit të bashkisë në shërbim të qytetarit dhe turistëve që na vizitojnë. Informaliteti te njësitë akomoduese, pastrimi, trafiku, sinjalistika dhe transporti urban ishin dhe sfidat kryesore që ne hasëm dhe do të ndalemi në periudhën në vazhdim.

Po punojmë për një rijetëzim të ri të ofertës turistike, për të kthyer Shkodrën në 12 muaj turizëm dhe të largohemi nga koncepti i turizmit sezonal që ka qenë deri tani.

Po në këtë kuadër, po ndërtojmë një koncept krejtësisht të ri për marketimin e turizmit, me ueb dhe fushatë komunikimi efektive.

Turizmi nxit industri mbështetëse si makinat me qira, atë detare, zejtarinë, guidat turistike. A keni parë ndikim në këto fusha gjatë këtij viti, që është më i miri historik për numër vizitorësh, flasim këtu për numër biznesesh, të punësuarish etj.

Ne sapo kemi filluar të analizojmë sezonin që kaloi, me takime me të gjithë aktorët kryesorë të turizmit. Duhet përmendur fakti që janë të shumtë turistët që po vizitojnë ende qytetin dhe destinacionet përreth, duke ndikuar ndjeshëm te të ardhurat e bizneseve dhe për muajin tetor.

Një nga sektorët e shërbimeve që ka shënuar rritje të madhe është ai i dhënies së makinave me qira dhe zejtaria. Shkodra njihet si qyteti i artizanatit. Nga ana tjetër, shërbimi i taksive dhe transportit urban me zonat turistike përreth ka pasur rritje.

Guidat turistike për turizmin e aventurës, atë liqenor dhe turizmin e alpeve sa vijnë dhe po diferencohen, duke u dhënë mundësi të rinjve të hapin agjenci të specializuar në tipologjitë e ndryshme të turizmit që Shkodra ka mundësinë e artë të ofrojë.

Turizmi po bëhet çdo ditë e më i rëndësishëm për bashkinë dhe po tërheq kapital e burime njerëzore të konsiderueshme. Jam i bindur se në pak vite, Shkodra do të jetë destinacion shumë i veçantë dhe i dashur për turistët vendas dhe të huaj./Monitor/

Related posts

Kampionati i lë vendin Kupës dhe zgjedhjeve. Ja kur luhet java e 33-të e Superiores

VIDEO/ Policia e Shkodrës sekuestron armë dhe kanabis, shpallen në kërkim dy vëllezër…

E para klinikë fizioterapie në universitet publik/ Inagurohet pranë departamentit infermieri në “USH”…