Nëse do t’i hedhim një sy ndeshjeve të muajit prill, që janë zhvilluar në Superiore dhe në Kupë, vihet re mungesa e gjyqtarit Enea Jorgji, i cili nuk ka qenë në asnjë prej tyre.
Elbasanasi, i cili shpeshherë është protagonist për mirë apo edhe për keq me vendimet e tij, nuk ka gjykuar që prej datës 3 prill, kur në kryeqytet mbajti ndeshjen Dinamo-Korabi, e vlefshme për Kategorinë e Parë.
Duke qenë se një prej arbitrave më të mirë të vendit tonë, i cili muajin e kaluar vendosi drejtësi në ndeshjen e Ligës së Konferencës, mes Fiorentinës dhe Sivasporit, nuk gjykon edhe pse deri tani janë luajtur disa javë, patjetër që tërheq një vëmendje.
![](https://shkodrapost.com/wp-content/uploads/2023/04/IMG-20230418-WA0019.jpg)
Nuk dihet nëse Jorgji ka ndonjë problem që po e mban larg fushës ose ndonjë dëmtim të mundshëm, apo ka të bëjë deklarata që gjyqtari ka bërë rreth një muaj më parë, e cila ishte si “fishkëllimë” për FSHF-në, që e ka harruar deri tani apo është ndonjë arsye tjetër.
ÇFARË DEKLAROI JORGJI – Arbitri Enea Jorgji ka bërë së fundmi një rrëfim tepër interesant, teksa foli “pa doreza” nga hapat e para drejt profesionit të tij, te momenti më i vështirë në fushën e blertë dhe ndeshja më emocionuese deri tani.
I ftuar në emisionin “Vizioni i Pasdites” një muaj më parë, Jorgji ka lënë pas të shkuarën, teksa ka folur pas 6 vitesh edhe për ndeshjen e shëmtuar mes Kukësit dhe Skënderbeut, që do të mbetet gjatë në memorien e futbollit shqiptar.
I pyetur për këtë duel, arbitri nga Elbasani u shpreh se nuk ishte Enea ai i asaj ndeshjeje, duke lënë të kuptohet se problematika ka qenë më e thellë dhe nuk ishte thjesht një gabim apo një ditë “jo” e tij.
“Momenti më i vështirë në karrierë ka qenë një ndeshje që vendosi sezonin, mes Kukësit dhe Skënderbeut. Me vendimmarrjet e mia atë kohe, u acaruan tifozët, por gjithçka është lënë pas tani më dhe besoj se gjithsecili duhet ta ketë kuptuar që nuk ka qenë Enea ai i asaj ndeshjeje”, tha Jorgji një muaj më parë në intervistën e dhënë. /panoramasport