Shkodra Post
AktualitetLajmi i Fundit

Prokurori i Shkodrës, Agron Bushati konfirmohet në detyrë

Prokurori i Shkodrës, Agron Bushati u përball të mërkurën më 27 shtator me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore u pyet dhe dha përgjigje më së shumti lidhur me një denoncim të orëve të fundit, në të cilin ishte paraqitur një video ku shfaqej subjekti me dy doreza grushtimi prova të prokurorisë, teksa në makinën e parkuar në rrugë lunate me të bijën, për të cilën ai sqaroi se praktikon artet marciale. Subjekti kërkoi që kjo video të mos cënonte karrierën dhe pagën e tij, që e cilësoi si të ardhurën kryesore për familjen. KPK nuk evidentoi probleme penalizuese në kriterin e pasurisë dhe të figurës, ndërsa në aspektin profesional u trajtuan masat disiplinore të marra ndaj tij, si dhe disa denoncime e kallëzime penale.

Reth një orë e gjysmë pas përfundimit të seancës dëgjimore, Komisioni shpalli vendimin për konfirmimin në detyrë të prokurorit Agron Bushati, ndërsa transferoi për verifikime të mëtejshme pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë denoncimin e mbërritur të martën, që ka të bëjë me videon e regjistruar, me qëllim që të konkludohet nëse ka ose jo shkelje disiplinore jashtë përcaktimeve të legjislacionit të vetingut.

Procesi i vetingut për Bushatin po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Roland Ilia, me relatore Genta Tafa Bungo dhe anëtare Suela Zhegun. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Ferdinando Buatier.

Agron Bushati e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si hetues në vitin 1994 dhe më pas si oficer i Policisë Gjyqësore. Në vitin 2001 ai u emërua prokuror në Prokurorinë e Shkodrës, ku dhe e ushtron fuknsionin prej më shumë se dy dekadash.

Subjekti dhe bashkëshortja e tij kanë shënuar në deklaratën “veting” të ardhurat nga puna; përdorimin e dy automjeteve dhe blerjen e një makine tjetër prej tij; përdorimin e shtëpisë së të atit dhe një apartament të marrë me qira, për të cilat Komisioni nuk ka gjetur probleme. Analiza financiare e përgjithshme ka rezultuar me bilanc pozitiv.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, AKSIK ka dorëzuar raport pozitiv për prokurorin Bushati. Ndërsa Komisioni ka konstatuar se ndaj vëllait të subjektit që është përmbarues gjyqësor, janë regjistruar disa procedime penale, një prej të cilëve për “korrupsion pasiv”.

Bungo vërejti se Bushati e kishte plotësuar deklaratën veting në momentin e regjistrimit të këtij procedimi ndaj vëllait e për rrjedhojë nuk ka qenë e mundur të pasqyrohet. Edhe procedimet e tjera ndaj të vëllait të subjektit nuk u gjetën penalizuese në kriterin e pastërtisë së figurës.

KPK nuk ka gjetur probleme në pesë dosjet e shortuara dhe në tre të përzgjedhurat nga vetë prokurori Bushati.

Ndërkohë, nga të dhënat arkivore ka rezultuar se ndaj tij janë dhënë dy masa disiplinore, njëra në vitin 2005 për vërejtje me paralajmërim për shkarkim dhe tjetra në 2008-ën, kur është vendosur zbritje në detyrë për një vit si oficer i policisë gjyqësore. Për vërejtjen, Komisioni ka vlerësuar se është jashtë periudhës së rivlerësimit, ndërsa ulja në detyrë ishte kryer pasi ishte konstatuar zvarritje e hetimeve në disa çështje.

Prokurori Bushati tha se e kishte pranuar masën disiplinore, mgjithëse pretendoi se faktet nuk janë ashtu si parashtrohen në hetimin e atëhershëm administrativ.

Ai sqaroi se në atë periudhë kishte pasur ngarkesa në punë, si dhe në familje pasi ishte sëmurur nëna. Sipas tij, pas nënës ishte sëmurur dhe i ati i cili ishte verbuar dhe se i ndodhur në këto kushte, i ishte dashur të bënte kryefamiljarin dhe kujdestarin.

Bungo evidentoi edhe disa ankesa e kallëzime të kryera ndaj subjektit, për të cilat nuk janë gjetur probleme. Po ashtu, nuk janë gjetur probleme domethënëse edhe në tre denoncimet e depozituara nga publiku.

Denoncimi i fundit

Relatorja Bungo sqaroi se të martën në orën 18:00 kishte mbërritur një denoncim i fundit. Komisioni i dha 15 minuta kohë Bushatit që njihej me materialin e denoncimit.

Kur u kthye në sallë, prokurori Agron Bushati deklaroi se ishte shokuar pasi kishte parë videon për të cilën tha se ishte regjistruar në vitin 2017 dhe se ishte intimitet i familjes së tij. “Lufta brenda llojit qenka më e fortë”, tha ai dhe ngriti dyshime se denoncimi mund të ishte kryer nga ndonjë funksionar apo nëpunës i prokurorisë. Bushati shtoi se mendonte se i njëjti individ kishte kryer denoncim edhe ndaj një kolegeje që ishte konfirmuar në detyrë.

“Fëmija që dëgjohet se qesh është vajza ime. Është nënkampione në Taekëondo”, deklaroi ai.

Subjekti sqaroi se seancë se vajza kishte qenë në stërvitje në një palestër që gjendet pranë prokurorisë dhe se trajneri i kishte dërguar mesazh se ajo ishte mërzitur pasi kishte humbur një ndeshje stërvitore.

Bushati tha në mënyrë të përsëritur se ka një lidhje shumë të ngushtë me të gjithë familjarët. Për vajzën e dytë që sipas tij është në regjistrimin video, tha se e ka edhe bijë, edhe shok. Sipas subjektit, regjistrimi ishte kryer nga bashkëshortja dhe se nuk dinte se si videoja kishte renë në dorë të denoncuesit.

Ai sqaroi se në atë periudhë ishte duke sistemuar zyrën e provave dhe kur kishte marrë mesazhin nga trajneri i vajzës, kishte menduar të merrte dy doreza grushtimi që ishin të sekuestruara në cilësinë e provës, me qëllim që të bënte humor, për të krijuar harmoni në familjen e tij.

“Grusht dërrmues kemi pasiur me dhjetëra, ishte vepra penale e mbajtjes së armëve të ftohta. Doreza shiteshin në tregun e lirë dhe pse ishte vepër penale. Ishin pjesë e provave të paidentifikuara, bëra një video intime me familjen në makinë dhe i ktheva”, iu përgjigj Bushati interesimit të vëzhguesit ndërkombëtar, Ferdinando Buatier i cili e pyeti se cila duhej të ishte qasja e magjistratëve të përdorimin e aseteve publike dhe të provave.

Buatier insistoi që të merrte një përgjigje dhe e pyeti subjektin në vijim nëse kishte vepruar në kundërshtim me ligjin duke nxjerrë provat jashtë prokurorisë.

“Doja të bëja vetëm një shaka me fëmijën tim. Ajo ndiqte personaxhin ‘Ninxha Tartaruka’ dhe i thashë të sillej si ‘Ninxha Tartaruka’”, tha ndër të tjera Bushati. Po ashtu, ai shtoi se videoja ishte regjistruar pas orarit zyrtar të punës. Subjekti shpjegoi se ndërsa priste që vajza të mbaronte stërvitjen kishte shkuar në zyrë për të punuar, por më pas kishte marrë mesazhin nga trajnieri i saj.

“Kërkoj që një veprim i tillë i kryer në kushtet e prindërimit të mos kompromentojë karierën time 30 vjeçare”, kërkoi ai.

Në vijim prokurori Bushati tha se kishte ushtruar detyrën në përputhje me ligjin duke arritur të kërkonte katër burgime të përjetshme, edhe në vitin 1998, kur sipas tij shteti nuk egzistonte.

Ai theksoi se vijon të jetojë me qira dhe se e ka të pamundur të marrë kredi për të blerë një banesë, pasi bashkëshortja nuk ka punë fikse. Sipas subjektit, në 18 vjet martesë, bashkëshortja ka qenë e papunë për 7 vjet e gjysmë dhe për një periudhë tjetër kohe ka pasur pagë minimale.

“E mbaja familjen me 710 mijë lekë të vjetra në muaj. Shpirti im e di sa i ka vuajtur tundimit. Më është kërkuar të shkel ligjin por kam refuzuar dhe politika ka marrë hak duke më lënë të papunë bashkëshorten dhe vëllain. Kërkoj konfirmimin dhe rikthimin e buzëqeshjes së familjes time. Kanë vuajtur pasojat pse kam qenë prokuror i ndershëm”, përfundoi prokurori Agron Bushati.

Trupa e KPK u tërhoq dhe në orën 13:10 të së mërkurës shpalli vendimin për konfirmimin në detyrë të këtij subjekti rivlerësimi. Të dhënat e denoncimit të fundit që kishin të bënin me videoregjistrimin u transferuan pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për verifikime të mëtjeshme.

Related posts

Reshje bore dhe rrëshqitje dherash në Veri, ARRSH apel shoferëve: Udhëtoni me kujdes…

Flet trajneri i Vllaznisë pas humbjes së thellë: I kërkoj falje tifozëve, kam mbetur pa fjalë

Benet Beci interviste në kanalin Albuk, në Londër/ Për t’i treguar komunitetit shqiptar ofertën për Shkodrën!…