Shkodra Post
AktualitetLajmi i Fundit

Shpallet fituesi i kontratës 2.7 mln euro për Shirokë-Zogaj-Mali i Zi…

Rikonstruktimi dhe përmirësimi i rrugës Shirokë-Zogaj dhe kufi Mali i Zi si dhe sistemet e ujësjellësit dhe ujërave të përdorura në Shirokë-Zogaj pritet të jenë gati brenda korrikut të vitit të ardhshëm.

Në faqen e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim e cila po zbaton programin infrastruktura në Shqipëri dhe mundësimi i turizmit është njoftuar se tashmë është lidhur kontrata me kompaninë fituese e cila do të bëjë zbatimin e projektit.

Autoriteti Kontraktor i palës shqiptare është Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe kostoja e kontratës së nënshkruar me kompaninë Gener 2 është 2.7 milionë euro.

Ndërhyrja për këtë rrugë si dhe mundësimin e sistemit të ujësjellës-kanalizimeve ka kohë që nënvizohet duke pasur parasysh se kjo është një zonë me potencial për zhvillimin e turizmit i cili edhe tani është kryesisht i fokusuar tek turizmi ditor.

Sipas dokumenteve veprimi i propozuar do të bazohet në nismat ekzistuese dhe synon të finalizojë një qasje të integruar të zhvillimit të qëndrueshëm për bregun perëndimor të Liqenit të Shkodrës, duke u përqendruar në promovimin e aseteve mjedisore të zonës me potencialin që do të shtrihet në të ardhmen përgjatë bregdetit, në anën malazeze të kufirit.

Shiroka dhe Zogaj, dy qendra banimi, janë tashme pjesë e qytetit të Shkodrës, ndodhen në pjesën verilindore të qytetit të Shkodrës, në bregun e liqenit të Shkodrës, në një distancë 5 km dhe 10 km larg respektivisht.

“Rruga Shiroke-Zogaj, që do të ndërtohet është vazhdim i rrugës turistike Ura e Bunës-Shirokë, dhe vendoset në trupin e malit të Taraboshit ndër funksionet e rëndësishme të saj, përveç si nevojë për të jetuar banorët e zonës, është mundësia komode e shijimit të resurseve klimaterike të ajrit dhe ujit, dhe atyre turistike të zonës, dhe në një lidhje ndërkufitare me Malin e Zi (me krahinën e Krajës) lëvizja drejt këtyre dukurive, e ka berë të domosdoshme ndërhyrjen për ndërtimin e kësaj rruge.

Rruga që do të ndërtohet ka një gjatësi prej rreth 6448 metrash linearë” thuhet në dokumentet paraprake të projektit.

Rruga ekzistuese në këtë zonë është e asfaltuar por e dëmtuar dhe jo në pak raste është bërë pjesë e thirrjtes së banorëve të këtij rajoni për të ndërhyrë me rikonstruksion diçka që pritet tashmë të bëhet konkret vetëm vitin e ardhshëm pas përfundimit të punimeve./N.Maho/Monitor/

Related posts

Spahia: Sezoni turistik veror e gjen Velipojën me një shëtitore të transformuar…

Spahia: Shkodra është qyteti që i ka dhënë aq shumë letersisë shqiptare…

Bordi i transparences ndryshon çmimin e karburanteve…