Shkodra Post
AktualitetLajmi i FunditPolitikë

Spahia: Këmbanë alarmi, përdorimi i strukturave kriminale në Shkodër në mbështetje të kandidatit të PS…

Bardh Spahia: “Fenomen shumë problematik sidomos në qarkun e Shkodrës është përdorimi i strukturave kriminale në mbështetje të fushatës elektorale të mazhorancës dhe të kandidatit të saj. Është e turpshme jo vetëm mosndërhyrja e shtetit, por edhe mbështetja e strukturave të shtetit, ndaj grupeve kriminale”.

Kryebashkiaku demokrat i Shkodrës, Bardh Spahia, i cili po kandidon për një mandat të dytë në Shkodër si kandidat i koalicionit “Bashkë fitojmë”, dha një intervistë të gjerë sot në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV duke iu përgjigjur jo thjesht pyetjeve të gazetarit Flavio Qarri, por edhe të atyre të telefonuesve. Spahia shpalosi edhe projektet e tij të zhvillimit të kryeqendrës së veriut të vendit për 4-vjeçarin e ardhshëm dhe i ftoi qytetarët edhe të informohen në portalin Bardhspahia.com.

Kafe Shqeto: Z. Spahia, nuk ka kaluar shumë kohë nga fushata juaj e fundit elektorale në Shkodër.

Bardh Spahia: Ai sensacion është edhe për mua. Sikur është një vazhdim i fushatës së 6 marsit. Më duket shumë e shpejtë. Ishte diçka krejtësisht e pazakontë ky mandat vetëm 1-vjeçar, ku patëm mundësi vetëm për pak muaj. E kishim gati të domosdoshme të shprehnim vizionin tonë, të hidhnim gjurmët e para dhe të linim shenjën se si do të ishte pak a shumë, 4-vjeçari i ardhshëm. Por u munduam që gjatë këtyre muajve ta linim gjurmën tonë, të tregonim pak edhe modelin tonë të qeverisjes lokale. Besoj se kemi pasur disa arritje që të krijojmë një besim reciprok midis institucionit të bashkisë së Shkodrës, qoftë edhe Kryetarit të saj edhe komunitetit shkodran, qytetarëve shkodranë. Ne kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me ta, kemi qenë prezent në territor në mënyrë konstante, kemi identifikuar problematikat dhe çështjet më të rëndësishme, i kemi listuar sipas prioriteteve dhe besoj se gjatë këtyre pak muajve dhe kemi arritur t’i adresojmë disa prej tyre drejt zgjidhjeve. Sigurisht kemi hedhur edhe hapa konkretë dhe baza të forta për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të Shkodrës në 4-vjeçarin e ardhshëm si dhe një vizion të ri për promovimin e resurseve të jashtëzakonshme që ka territori ynë.

Kafe Shqeto: Ka një dëshpërim në qeverisjen qendrore për Shkodrën, nga ana e  kandidatit të mazhorancës, nga ana e vetë Kryeministrit; edhe pak sikur do të lutej “aman na e jepni për fiksim Shkodrën, ta udhëheqim”…

Bardh Spahia: Ju e keni vënë re edhe gjatë vizitës së tij të fundit në Shkodër, ngërçin që kishte në komunikim. Diçka e rrallë, por është pikërisht nga fakti i njohjes dhe i perceptimit, i dorëzimit, i të qenurit koshient të raportit të vet me Shkodrën. Ka qenë një raport që për hir të së vërtetës, aspak normal. Ka qenë një raport që gjatë këtyre 10 viteve ka synuar ta denigrojë Shkodrën, ta zvogëlojë administrativisht dhe të kërkojë ta gjunjëzojë ekonomikisht në mënyrë që pastaj të tentojë ta kontrollojë edhe politikisht. Dhe këtë raport ai sigurisht që e vuan në Shkodër.

Kafe Shqeto: E çuditshme është që kryeqendra e Veriut t’i ketë zyrat në Lezhë!

Bardh Spahia: Është absurde! Ajo nuk ka justifikim, prandaj edhe kuptohet ngërçi i tij dhe sigurisht i të gjithë përfaqësuesve të lartë të PS apo të mazhorancës kur vijnë në Shkodër dhe kur synojnë të përcjellin të pavërteta të mëdha, të cilat qytetarët shkodranë i njohin mirë. Ju e thatë me të drejtë që zhveshja e Shkodrës nga disa prej institucioneve më të rëndësishme, është një politikë e qartë e atij zvogëlimi administrativ që synohet t’i bëhet Shkodrës nga qeverisja qindrore.

Kafe Shqeto: PS ka një degë të sajën në Shkodër. Cili është komunikimi me qytetarët pasi po kjo degë e ka zhveshur qytetin nga çdo drejtori, nga çdo fuqi administrative?

Bardh Spahia: Unë shpeshherë mundohem t’i kuptoj në sikletin e vet, në vështirësinë e vet për të komunikuar dhe për të justifikuar disa veprime krejtësisht absurde dhe të papërgjegjshme të qeverisjes qendrore dhe të liderit të tyre në raport me qytetarët shkodranë. Për hir të së vërtetës, në kontaktet që kemi kur na qëllon të takohemi në jetën tonë të përditshme në qytet, sigurisht që ata e kuptojnë dhe reagojnë. Akoma më e rëndë për ta është presioni i qytetarëve shkodranë dhe mungesa e argumenteve për të mbrojtur veprime të tilla karshi qytetarëve. Kur diskutoj nganjëherë me ta për këtë fakt absurd të zhveshjes  së Shkodrës nga drejtoritë, sigurisht që më japin të drejtë, që janë në mosdakortësi të plotë me veprime të tilla të kryeministrit, por ajo që është problematike dhe më vjen keq është fakti që nuk marrin iniciativën të deklarohen publikisht për këtë mosdakortësi që kanë për veprimet e kryeministrit karshi institucioneve të Shkodrës. Do t’u bënte nder atyre dhe do të zbuste pak raportin e tyre me qytetarët shkodranë.

Kafe Shqeto: Kryeministri dhe znj. Bilali menduan t’ju sulmojnë tek një nga gjërat që ju bën juve bashkinë e parë në Shqipëri, te streha e kafshëve të rrugës. Çfarë menduat kur dëgjuat kryeministrin dhe një ministre, t’ju akuzonin?

Bardh Spahia:  Politikisht mund të ishte një gabim fatal për to në raportin midis mazhorancës dhe opozitës, në rastin konkret të bashkisë së Shkodrës, por nga ana tjetër pata dhe një ndjesi jashtëzakonisht të keqe tek dëgjoja Kryeministrin e Shqipërisë tek e fundit, paçka se kundërshtarin tonë politik, të deklaronte gënjeshtra në mënyrë publike, gënjeshtra absurde, pa iu dridhur qerpiku. Dhe aq më keq më erdhi prej gjithë asaj morie shkodranësh rreth e rrotull, figura publike, të cilët duhej të kishin kurajën të paktën ta kundërshtonin apo ta korrigjonin kryeministrin në deklaratat e tij në respekt kjo edhe të vetë qytetarëve të vet dhe të shkodranëve, që e dinë mirë tashmë, është fakt i njohur  ekzistenca e asaj strehëze që bën krenar jo bashkinë, po bën krenar Shkodrën dhe  qytetarët e saj.

Ne jemi e para bashki që kemi realizuar strehëzën e parë publike në Shqipëri për trajtimin e kafshëve endacake, në rastin konkret të qenve, në mënyrë dinjitoze. Ndërkohë bashkitë e tjera, për më tepër të gjitha përfaqësuese të këtij Kryeministri dhe të kësaj mazhorance, kanë zgjedhur rrugë kriminale: dikush i vret, dikush i helmon, të tjerë i sjellin në Shkodër me furgon dhe kamion dhe i zbarkojnë aty orëve të vona të natës duke na u kthyer në një problematikë të jashtëzakonshme.

Jo pa qëllim unë dhe publikisht e thashë që kryeministri, në vend që të reflektonte dhe të kërkonte nga ato bashki nën kontrollin e tij të ndiqnin shembullin e bashkisë së Shkodrës, duke ndërtuar strehëza, duke i trajtuar qentë, ato krijesa miqësore ndaj njeriut në mënyrë dinjitoze, zgjidhi të sulmonte edhe të vetmen iniciativë në Shqipëri për trajtimin dinjitoz të këtyre kafshëve. Për qytetarët shkodranë, që janë në dijeni të asaj strehëze, madje është edhe një motiv krenarie, sepse realisht kanë vendosur një standard evropian në trajtimin e kafshëve endacake, se nuk është vetëm ekzistenca, izolimi, aty ka një punë të jashtëzakonshme ndaj atyre kafshëve; ka një sistem që vaksinon, sterilizon, matrikulon dhe ne jemi bashkia lider në trajtimin e këtij fenomeni dhe të kësaj problematike që është shqetësuese për Shkodrën në rastin konkret po edhe për bashkitë e tjera.

Kafe Shqeto: A ka vënë Rama në Shkodër, postera ku ju bën juve, bardh e zi dhe veten me ngjyra?

Bardh Spahia: I ka bërë gjatë gjithë rrugës nacionale, është e mbushur plot rruga nacionale. Me portretin tim nuk kam parë, mund të ketë bërë po nuk i kam parë.

Kafe Shqeto: Mendova se mos ka bërë poster ku ishte Benet Beci si e ardhmja, jo e shkuara e Shkodrës. Erdhi një  moment (na shkruajnë në një mesazh) kur Alibeaj reagoi në Shkodër me një kandidat, një “nëndetëse” që ju e njihni mirë. Si e gjykoni një njeri që çdo ditë shoqërohet vetëm me socialistë?

Bardh Spahia: Unë ndiej keqardhje për këdo që vazhdon të qëndrojë në ato llogoret e veta dhe të shohë armiq në drejtimin e kundërt nga duhet t’i shikojë. Unë gjatë gjithë këtyre muajve jam fokusuar tek fakti i domosdoshmërisë së bashkimit të PD dhe të opozitës në përgjithësi dhe të orientojmë të gjithë luftën tonë politike dhe aksionin tonë ndaj kundërshtarit të vërtetë jo të opozitës, por të gjithë shqiptarëve, përfshirë këtu edhe ata socialistë që nuk janë të përfshirë tek rrethi i ngushtë i Kryeministrit dhe i përfituesve.

Në këtë kontekst mendoj se të gjithë ata pjesëtarë të fraksionit po humbin çdo ditë e çdo moment, rastin për t’u bërë  pjesë e opozitarizmit të vërtetë, po humbin çdo ditë rastin për t’u bërë kontributorë në domosdoshmërinë e largimit të së keqes më të madhe të shqiptarëve.

Ka 10 vite që Edi Rama synon me metoda nga më të ndryshmet  duke ushtruar pushtetin e marrë me metoda krejtësisht jo konvencionale, për t’i shtrënguar lakun në fyt, qytetarëve shqiptarë.

Në këtë kontekst është domosdoshmëri që çdo opozitar të bashkohet dhe të orientojë përpjekjet e tij në largimin e së keqes më të madhe të shqiptarëve. Ata besoj se nuk kanë justifikim më. Opozita e vërtetë dihet se kush është: është shumica e opozitës, është shumica e demokratëve  dhe ne i kemi lënë derën hapur gjtihsecilit të na bashkohet në këtë rrugëtimin tonë drejt fitores së 14 majit dhe pastaj menjëherë drejt fitores së madhe të largimit të Edi Ramës nga qeverisja e vendit.

Kafe Shqeto: Cili është faktori kryesor në Shkodër që influencon për keq dhe që mund të jetë pengesë për mbarëvajtjen ?

Bardh Spahia: Ka disa faktorë. Është përdorimi i jashtëzakonshëm që qeverisja qendrore i bën institucioneve të shtetit në këtë fushatë elektorale, krejtësisht absurd dhe të themi në shkelje të plotë të ligjit për përdorimin e administratës në mënyrë të hapur dhe publike në fushatë elektorale; kërcënimet e jashtëzakonshme që i bëhen anëtarëve të administratës publike; përdorimi i parave të pista të trafiqeve të ndryshme në shitblerjen e votës, fenomen që ka filluar të përdoret në mënyrë masive nga eksponentë të lidhur me mazhorancën po dhe të mbështetur nga struktura të shtetit, ashtu si dhe një fenomen tjetër i rëndësishëm dhe shumë problematik sidomos në qarkun e Shkodrës, përdorimi i strukturave kriminale në mbështetje të fushatës elektorale të mazhorancës dhe të kandidatit të mazhorancës. Është e turpshme jo vetëm mosndërhyrja e shtetit, por mbështetja e strukturave të shtetit ndaj grupeve kriminale në mbështetje të tyre në fushatë elektorale, në mbështetje të kandidatit të Partisë Sociliaste në këtë fushatë.

Kafe Shqeto: Pak e frikshme kjo si deklaratë. A duhet të shqetësohen qytetarët?

Bardh Spahia: Qytetarët i njohin mirë dhe unë kam bindjen absolute se qytetarët shkodranë, pikërisht dhe falë kësaj ndërhyrjeje dhe përfshirjeje të strukturave kriminale në fushatë, në mbështetje të fushatës së kandidatit të PS, do të dinë të reagojnë siç e kanë në natyrën dhe në genin e tyre shkodranët. Do të dinë të mbrojnë edhe njëherë institucionet demokratike, do të dinë t’i japin vlerë, votës së lirë dhe dinjitetit të tyre. Por nga ana tjetër kjo duhet të jetë një kambanë alarmi për të gjitha institucionet. Shteti është pjesë e kësaj ndërmarrjeje kriminale dhe e kësaj tendence për ta shkatërruar këtë proces dhe për ta ndryshuar vullnetin e lirë të qytetarëve shqiptarë. Por duhet të ishin edhe institucionet përgjegjëse, e kam fjalën që nga institucionet ligjzbatuese, ato që konsiderohen se duhej të ishin të pavarura, institucionet ndërkombëtare të ngarkuara për vëzhgimin e proceseve zgjedhore dhe çdo institucion tjetër, qoftë ato diplomatike që ne jemi mësuar aq shumë t’i referohemi, do të duhej të ngrinin zërin.

Kafe Shqeto: Po për programin tuaj?

Bardh Spahia: Ne kemi një program konkret elektoral, një ofertë e jashtëzakonshme jo thjesht për 4-vjeçarin e ardhshëm. Është shumë interesant ai program. Unë i ftoj të gjithë ata qytetarë, sidomos shkodranë, që nuk e kanë lexuar të informohen te bardhspahia.com. Është një program ezaurues i cili nuk ka lënë jashtë vëmendjes asnjë aspekt me impakt të rëndësishëm për komunitetin shkodran dhe ajo çfarë është më kryesorja është një program i bazuar dhe me garancinë e një buxheti apo një rakordimi të tij, të asaj çfarë është shkruar dhe të atij vizioni që është paraqitur në program dhe buxhetit afatmesëm të bashkisë së Shkodrës, pra është garanci që çdo fjalë e shkruar në atë program do të zbatohet dhe do të realizohet gjatë katër viteve të ardhshme.

Kafe Shqeto: Ku dallon 4-vjeçari i Bardh Spahisë me 1-vjeçarin e Bardh Spahisë?

Bardh Spahia: Tek koha, te mundësia për të shpalosur siç duhet vizionin tonë për Shkodrën e së ardhmes dhe për të hedhur bazat e një zhvillimi ekonomik me vizion duke i dhënë prioritet fushave që i konsiderojmë jo vetëm ekselenca të bashkisë Shkodër, të territorit tonë, të komunitetit tonë, por edhe motorr të fuqishëm për zhvillimin ekonomik të territorit të bashkisë Shkodër.

Unë mendoj se edhe gjatë këtyre pak muajve kemi arritur të tregojmë me fakte se me një vizion të ri, me pak edhe energji e kreativitet mund të bëhet shumë. Ju përmend faktin se vetëm në fushën e turizmit, me ndryshimet që kemi bërë dhe modernizimin e mënyrës së promovimit të resurseve tona kemi arritur ta rrisim me 33% fluksin e turistëve të huaj që kanë zgjedhur të vizitojnë Shkodrën dhe brenda këtij 33% është rritur me 71%, fluksi i turistëve italianë çka do të thotë se kemi arritur ta promovojmë Shkodrën edhe jashtë rajonit, jashtë vendeve që kufizohemi dhe të dalim tek ai turizëm evropian që ka dhe një tjetër standard ekonomik e impakti në ekonominë e territorit tonë është shumë më i madh.

Related posts

Rritja e çmimit të patentës, Autoriteti i Konkurrencës del me njoftimin e rëndësishëm, ja vendimi që ka marrë…

Të shtëna me armë zjarri në Tiranë, ish-dhëndri vret njerëzit e gruas…

Luizi -Bledit:“Ti mendon se do qëndrosh deri në fund?”