Është mbledhur sot Asambleja e Përgjithshme e Zakonshme e FSHF, që zhvilloi punimet në ambientet e Shtëpisë së Futbollit.
Përveç anëtarëve dhe delegatëve, në këtë Asamble morën pjesë edhe përfaqësues nga UEFA dhe FIFA, Ministrja e Arsimit dhe Sporteve në Shqipëri, znj.Evis Kushi, si edhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, z.Agim Ademi.
“Ekipi Kombëtar ka përpara një objektiv të rëndësishëm, por plotësisht të arritshëm: Kualifikimin në Kampionatin Europian Gjermani 2024. Me mbështetjen e Federatës, tifozëve, opinionit publik dhe duke qënë bashkë të gjithë aktorët dhe faktorët ne besojmë se do ta rikthejmë Shqipërinë në Euro2024.
Në këtë vit ne do të vazhdojmë të investojmë pandalim projekte infrastruktore për të ndërtuar sa më shumë fusha futbolli në të gjithë vendin. Sfidat janë të mëdha, por ne pëlqejmë të sfidohemi dhe ti arrijmë të gjithë ato. Ashtu si edhe atë për organizimin e një Kampionati Europian në Shqipëri.
Dua të ndaj me ju lajmin e shkëlqyer se administrata e Federatës Shqiptare të Futbollit sapo ka përmbyllur aplikimin për organizimin e një Europiani për moshat në vendin tonë. Jam shumë optimist se aplikimi jonë do të jetë fitues dhe Shqipërisë do ti besohet organizimi i një kompeticioni madhor europian”, – tha ndër të tjera presidenti i FSHF-së, Armand Duka.