Shkodra Post
AktualitetSport

Sfida me Tiranën, trajneri i Vllaznisë ka një thirrje për tifozët

Vllaznia do të presë Tiranën ditën e nesërme në ndeshjen e javës së 30-të të Superiores. Në konferencën për shtyp, trajneri i kuqebluve, Goce Sedloski, u shpreh se skuadra ndodhet në një formë të mirë dhe se shpreson te fitorja.

“Është një ndeshje që kërkon shumë. Kundërshtari është shumë i fortë, por ne duhet të jemi të kujdesshëm, të guximshëm, të vrapojmë shumë në fushë, mendoj se lojtarët e dinë se çfarë kërkoj tani prej tyre. Puna ka shkuar mjaft mirë çdo ditë. Jetojmë të gjithë bashkë si një familje dhe mendoj se nesër do të luajmë një ndeshje shumë të mirë dhe do të fitojë më i miri.

E dimë që Tirana është e para në tabelë, i respektojmë. Natyrisht dhe unë si trajner insistoj që duhet të bëjmë një futboll sulmues. Tirana nuk është rastësisht e para. Bëjnë shumë gola, por ne duhet të pozicionohemi në mënyrë të tillë që t’ia dalim. Është e rëndësishme të jemi të përgatitur fizikisht.

Mendoj se dhe ata që do të jenë në fushë do të bëjnë një lojë mjaft të mirë. I bëj thirrje dhe tifozëve të na ndihmojnë, pasi kanë një domethënie të madhe për skuadrën tonë.

E kam thënë dhe radhën që kaloi, ecim ndeshje pas ndeshje. Është herët për të folur se ka dhe shumë ndeshje për të luajtur, por jemi të fokusuar vetëm te ndeshja e nesërme. Për ndeshjen e nesërme nuk ka nevojë për një motivacion të madh, sepse ata e dinë se çfarë kërkojnë, çfarë duan të bëjnë. Është ende larg për fitimin e kampionatit. Mendoj se çdo ndeshje e radhës do të jetë si një finale.

Gurishta dhe Hakaj janë dy lojtarët tanë kryesorë. Nuk ka nevojë për të folur shumë se çfarë përfaqësojnë ata për ekipin tonë. Gëzohem që të dy ata janë kthyer. Mendoj se do të jenë në të njëjtin nivel që ishin dhe më parë.

Të gjithëve do t’i jap shansin se si sillen. Është dhe stërvitja tjetër që është ndeshja. E kemi të dendur shpërndarjen e ndeshjeve. Më duhen shumë lojtarë në dispozicion, prandaj po i bëjmë provë edhe këto variante.

Kemi edhe sot stërvitje. Deri tani çdo gjë është mirë. nuk kemi probleme me kapitenët. Do të bëjmë dhe një stërvitje të fundit dhe më pas do të vendosim për formacionin që do të hedhim në fushë. Çdo ndeshje duhet të luhet, pavarësisht je në shtëpi ose jashtë.

Normalisht si pritës e shohim një avantazh. Ndeshjen e parë që kemi luajtur kundër Erzenit e kemi luajtur shumë mirë. nuk kemi qenë ashtu siç dëshiroja unë në ndeshjen me Kukësin, por çdo ndeshje ka ato uljet dhe ngritjet e veta. Të gjitha këto ndeshjet që kanë ngelur duhen luajtur në një nivel të lartë dhe çdo lojtar duhet të tregojë një nivel mbi veten.

Unë shpresoj te fitorja. Me një ndeshje të mirë, me një pozicion të mirë, do ta tregojmë të gjithën nesër në fushë. Por nuk duhet të harrojmë që përball kemi një kundërshtar mjaft të fortë, por që dhe ata kanë pikat e tyre të dobëta”, u shpreh Sedloski.

Related posts

43% të shpenzimeve të bashkive nga burimet e veta për paga; Shkodra, Tirana dhe Kamza rekord punësimesh

Fundjavë mes miqsh e familjarësh, Benet Beci publikon fotot…

Çfarë Komunikojnë bashkitë në rrjetet e tyre sociale…