Shkodra Post
AktualitetLajmi i FunditOpinionPolitikë

NGA BEDRI ISLAMI – Një kafe me Benet Becin…

Nuk e di pse, por që kur kisha dëgjuar për herë të parë për Benet Becin, kisha pasur dëshirën ta njihja.

Kishte tri gjëra që tërhiqnin vemendjen time, së pari, emri Benet, krejt i veçantë, i pa dëgjuar askund tjetër dhe, ende nuk e di nëse edhe dikush e bart një emër të tillë; së dyti, isha mik me gjithë fisin Beci, ku kisha idhull më të madhin e një dege të fisit, Skenderin, njeriun që në prill 1991 shpëtoi nga djegia bibliotekën e Shkodrës dhe, së treti, fisi Beci , nga vinte Beneti, dhe, fisi Gjyli, nga vinte gjyshi i nënës sime nga e ëma, të dy të quajtur Mehmet, Mehmet Beci dhe Mehmet Gjyli, kishin qenë dy komandantët e fundit të mbrojtjes së Ulqinit, kur ndërkombëtarët ia dorëzuan Malit të Zi. Mehmet Beci ishte komandanti i trupave tokësore, Mehmet Gjyli i forcave detare.

Pas rënies së Ulqinit, dy familjet zënjohura kishin zënë vend në Shkodër, kishin lidhur miqësi e krushqi me familjet e njohura të qytetit, të cilat u kishin bërë vend, edhe nga lidhjet e kahmotshme.

Kur u takuam këto ditë për një kafe, së bashku me doktorin e shquar, Astrit Becin dhe mikun tim Sokol Arishta, pyetjen e parë e bëra pikërisht për emrin e tij. Më tregoi se fillesa ishte zbulimi i një pllake të vjetër, ndoshta të kohës ilire, në qytetin e Durrësit, që kishte mbishkrimin e emrit të tij, dhe të cilin, babai i Benetit, profesori i njohur i gjuhësisë, akademik Bahri Beci , e kishte gjetur për të birin.

Benet Beci është njeri pasionant kur flitet për punën dhe i qetë kur flitet për politikën. Stofi i deputetit nuk e joshte, kostumi i menazherit është i tij. Ai, si të paktë njerëz që kam njohur, e di se çfarë do, e di se si mund të arrijë te ajo çfarë do, dhe, mbi të gjitha, ka një vizion fantastik për qytetin e lindjes së tij, Shkodrën.

Nuk flasim për politikë dhe as për partitë politike. Si duket, edhe në parlament e ka ndjerë veten ngushtë, tani është në ujërat e tij. Si njëri ndër menaxherët më të mirë të Shqipërisë, ai do që Shkodra të mos jetë qytet periferik, i mbështetur vetëm në të shkuarën e saj, që, sado e lavdishme të ketë qenë, përsëri nuk mund të mbetet në skajin e zhvillimit të vendit. Ai do për Shkodrën vizionin e ri, të një njeriu që është mësuar të bëjë punë të vyera, dhe, mbi të gjitha, di rrugët për të përmbushur vizionin e tij.

Është i pari rast kur Shkodrës i afrohet një figurë e tillë, menaxher nga më të mirët e vendit, mendjehapur dhe thellësisht i kulturuar. Me të mund të bisedosh për të gjithë temat, por edhe në çdo hapësirë. E ndjejnë “të vetin”, edhe të rinjtë, që shohin më tepër se një kryetar të ardhshëm bashkie, por edhe ëndërr përçues, por edhe të brezave të tjerë, që, më në fund, mendojnë se nuk është e rëndësishme se çfarë uji sjell mulliri i politikës, por çfarë gruri do të bluajë.

Mbi të gjitha atij i pëlqen të flasë për Shkodrën. Më shumë për të ardhmen, se të djeshmen. Nuk ngacmon asnjë nga pararendësit e tij në qeverisjen e Shkodrës.

Shkodra, dhe këtë e pranojnë të gjithë, në tridhjetë vite është plakur. Është plakur në mendimin e saj estetik, në zhvillimin progresiv, në ecurinë drejt së resë, në kombinimin e shtetit me sipërmarrësin, në krijimin e mjedisit kur gjithë secili të ndjehet se është në Shkodrën e njohur; është plakur si qytet nga plasaritja që i ka bërë politika.

E lënë pas, në skajin e zhvillimit, kur duhej të isha pikënisja e tij. Qytet gjysëm i përgjumur që, nëse do të vazhdojë në këtë mënyrë qeverisje, do të jetë edhe i rënë nga emri i madh që bart me vete.

Benet Beci e di se Shkodra duhet të ketë ringritjen e saj. Dhjetra plane, të cilat i tregon mes qytetarëve,.të ngjallin kureshtjen për rrugët përmes të cilave mund të bëhen.

“Ballina ujore e Shkodrës është një mrekulli, pazari i vjetër, porti, ndërtesat e ngritura bri lumit, të gjitha i gjejmë në kartolinat e vjetra, me mbishkrimin “Kujtim nga Shqypnia”. Është në vendet më të rëndësishme simbolikisht, por edhe ekonomikisht të Shqipërisë”. Dhe vazhdon pa dashur të fyejë njeri se, “Hyrja e Shkodrës sot, megjithëse ndër më të bukurat në Evropë të jep përshtypje jo të mirë mes trafikut, kaosit urban dhe projekteve publike të konceptuara dhe të ndërtuara keq”.

Idea e tij themelore është të ecë në atë rrugë të cilën e di mirë: përmes një fondi zhvillimor posaçërisht për Shkodrën.

Qyteti nuk mund të ringrihet vetëm nga vetja. Qyteti kërkon tri gjëra themelore: veten e ringritur, ku të lulëzojë sipërmarrja e lirë, pa asnjë përdallim dhe ku shteti të jetë nxitësi dhe përçuesi i frymës së re; përmes lidhjeve me pushtetin qendror, pasi askush nuk mund të lulëzojë nëse është i ndarë nga bashkësia shtetërore, dhe Benet Beci e di fare mirë se qeveria, e së majtës apo kushdo tjetër qoftë, do të dojë të lerë emrin në ringritjen e qyteti, dhe, e treta, që krijon edhe ritmin e lartë dhe pavarësinë e Bashkisë, përmes fondacioneve të huaja, të cilat duan dhe do të investojnë në Shkodër.

Rrugën e parë, Shkodra për vete, ai e di se mund ta bëjë mrekullisht mirë, por kjo nuk do të jetë e mjaftueshme. Në buxhetin e saj bashkia mund të bëjë gjëra të zakonshme, shtrim rrugësh apo shkolla, ndreqje dhe pastrim, por e ka të vështirë të ndërmarrë vepra të mëdha. Edhe dy nga ndërtimet më të mëdha të viteve të fundit, stadiumi i ri i qytetit dhe shetitorja e liqenit të Shkodrës, disa kilometra e gjatë, që nga derdhja e lumit Buna dhe deri në skajin e Shirokës, janë investime qeveritare.

Benet Beci, i cili zakonisht flet qetësisht dhe merr zjarr vetëm kur fjala është për projektet e reja të qytetit, lëviz duart, lëvizje e tij e zakonshme dhe hap planin e tij me hyrjen e qytetit të Shkodrës, përmes katër korsive, urën e re dhe, më tej, shfaq se si do të jetë pjesa e parë e qytetit, një shesh i madh, rreth 18 hektarë, i planifikuar si parku i madh i qytetit buzë lumit Buna, me shëtitore brenda tij, rrugëza dhe korsi biçikletash, kënde argëtimi e çlodhje, që hap qytetin në mënyrë të mrekullueshme, mbështetur në portin e vogël turistik në fillesën e liqenit.

Benet Beci e zotëron bisedën, pasi e ka të qartë vizionin. Ndoshta ngaqë në më shumë se 20 vite i ka takuar të ndërtojë pa fund dhe të mbështetet në disa drejtime. Fondi për zhvillimin e Shkodrës, krejt i veçantë, është ëndrra e tij, por edhe mundësinë për realizimin e kësaj ëndrre e ka vetëm ai. Njohjet e dikurshme mund të bëhen të tashme dhe ai i ka nisur fillesat e kësaj ngrehine, e cila do të mund të jetë gjeneratori i zhvillimit të Shkodrës.

Si mund të bëhet? – e pyeta, duke patur në vete dëshirën e mirë që qyteti ynë të ketë frymëmarrje ndryshe.

Nis e shpjegon qetësisht. Pak kush ka këto dhunti që natyra apo Zoti u ka falur shkodranëve. Tre lumej rrethojnë qytetin, dhe ku fillon njëri prej tyre, lumi i Bunës, është fundi i liqenit të Shkodrës. Jo shumë larg Velipoja, deri tani një plazh masiv, që mund të bëhet edhe elitar, përmes lidhjes së re me qytetin e Ulqinit. Nga veriu janë Alpet, Razma, Thethi, Vermoshi, Tamara, Boga, Shllaku, ujvarat, liqejtë, bjeshkët. Të gjitha, nga njëri cep në tjetrin, mund t’i shikosh dhe të pushosh në pak orë.

Qyteti me historinë e tij? Ka menduar për muzeun e peshkimit, buzë lumit të Bunës, i vetmi lum i lundrueshëm dikur në Shqipëri. Lidhjet me bisnesmenët, për të rritur prodhimin, me sipërmarrësit e vegjël dhe të mesëm, për të zgjidhur hallet e tyre, që shtohen nga administrata, shpesh herë e ngurtësuar, që duhet të ketë frymën e ndryshimit, zhvillimi i rrethinave, lidhja mes prodhuesit e konsumatorit.

Është i bindur se ndihmesa e qeverisë do të jetë e vazhdueshme. Ndoshta më shumë se në asnjë qytet tjetër. “Edi Rama, më thotë e do Shkodrën. E kërkon me domosdo, jo si peng a si mburrje, por si mundësi për të bërë të pamundurën. Përveç asaj që kemi ne vetë në plan, edhe ai synon të ketë emrin e tij në ndryshimin nga e mira e qytetit. Asnjëherë më parë nuk e ka dashur kaq fort. E ka dashur gjithnjë, por tani është ndryshe”.

Pastaj shton me të qeshur se drejtuesi i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla i thoshte me humor se, “nëse fiton Ti, Benet, atëherë të gjitha fondet do të jenë drejt Shkodrës”, çka, edhe nëse nuk është plotësisht e vërtetë, Shkodra do të ketë ringritjen e saj të domosdoshme.

E di se shefin e qeverisë, Edi Rama, do e ketë pranë. Si duket, me nuhatjen e menaxherit të njohur, ai ka parë impulset e shefit të qeverisë dhe dëshirën e tij. Ndoshta jam gabim, por Beneti mezi ka pritur të mos jetë në sallën e parlamentit, ku do e ketë ndjerë veten ngushtë. Si i zënë në çark, me kostumin e deputetit, ku koha kalon ngadalë dhe nuk i ngjan jetës së tij të deritanishme. Tani është në habitatin e tij.

Ecën rrugës dhe takon njerëz. Pi një kafe me to, bisedon, njihet dhe e njohin, e ndalojnë ende pa u bërë drejtuesi i bashkisë. Kështu na ndodhi edhe në kohën kur po pinim një kafe. U afrua një grua, si duket punonte pastruese në atë lokal të vogël. I tregon se cili është halli i saj. Ndjehet e besuar.

Shkodra duhet të ndryshojë. I duhet patjetër ndryshimi. Më shumë se 30 vite që qeveriset e sundohet nga e djathta dhe është bërë një qytet rutinë. I them Benetit se, nëse do të kalosh fund javën në Korçë, duhet të prenotosh një javë më parë, çka nuk ndodh në Shkodër dhe e pyes nëse mund të ndodhë kështu edhe në qytetin tonë. “Do të ndodhë”! Është i bindur.

“Do të ndodhë, se do ndryshojmë aq shumë gjëra. Konceptin për Shkodrën, vizionin për zhvillimin, krijimin e bindjes se Shkodra e mbretërve është qendër kulturore e turizmit, me historinë e saj, me kështjellën dhe kalatë, ndërtimet, gjetjet historike dhe shërbimin”.

Tridhjetë vite kanë treguar se zgjedhjet politike në drejtimin e bashkisë, kur janë vetëm të tilla, nuk i sherbejnë Shkodrës. Duhet gjetur diçka mes thelbësores, menaxhimit dhe mbështetjes politike.

Benet Beci është njeriu i duhur. Këtë e dinë të gjithë. Edhe ata që mendojnë se nuk do e votojnë, pasi, si duket, kanë vendosur të rrinë brenda gardhit të tyre. Është miopi, mirëpo ndodh. Mburrja naive se Shkodra është bastion i së djathtës është miopi. Nëse një njeriu të zakonshëm do i duhej të zgjidhte mes një menaxheri të shquar, si Benet Beci dhe një militanti partiak, si Bardh Spahia, ai njëqind herë do të kishte zgjedhur të parin.

Sepse qyteti do menaxhuesin e tij, njeriun që i lëviz gjërat nga vendi, që ndërton, që nuk djeg shkolla, do njeriun që ka vizionin e së ardhmes dhe jo njeriun që ende e mat kohën me vitin 1990; kërkon njeriun që mund të krijojë Fondin e Zhvillimit të Shkodrës dhe jo përfaqësuesin e njeriut non grata, porta e të cilit, si është mbyllur në SHBA dhe Britani, shpejt do mbyllet edhe në BE.

Si mund të mendosh se mund të qeverisësh një qytet madhor si Shkodra kur brenda vetes do të jetosh brenda gardhit tënd, kur askush nuk do të afrojë prosperitet, sepse nuk mund të bësh të ardhme me të shkuarën? Si mund të thuash se një qytet me vizion perëndimor, kur synon të ecësh në rrugën e një njeriu të shpallur të padëshiruar nga vetë Perëndimi?

Shkodra e ka rastin të zgjedhë. E kam përmendur shpesh një thënie të Adem Demaçit, mitit të lirisë së Kosovës. Thonte se “vetëm i marri dhe i vdekuri nuk ndryshon”. Shkodra nuk është as e vdekur dhe as e marrë.

Ata që duan ta lënë në pasmbetjen e saj nuk duhet të jenë e ardhmja. Shkodra duhet të bëjë zgjedhjen e duhur të saj. Të provojë se mund të qeveriset edhe ndryshe. Si është qeverisur Vlora, Tirana, Durrësi, Korça, Berati, Gjirokastra, e në fund, si është qeverisur edhe Tropoja, përmes frymës së përbashkët të ringritjes.

Ringritja në Shkodër, më shumë se të ketë emrin e PS-së, duhet të ketë , dhe do të ketë emrin e Benet Becin. Vetëm ai mund ta bëjë Shkodrën zonjë të rëndë!

E shkuara të tërheq pas në humnerën e saj! E ardhmja do të lidhet me këtë njeri, që, edhe pse përgjithësisht i qetë, i shkëlqejnë sytë kur flet për të ardhmen e Shkodrës. /Publikuar në gazetën “Dita”/

Related posts

Banorët e Komanit bllokojnë tunelin pas sekuestrimit të mjeteve të tyre lundruese…

Prezantohet ne biblioten “Marin Barleti” romani “Kohë dashurish të harruara”, i autorit Ardian Cerga…

Zv/trajneri i Tiranës: Jemi mësuar me trofe, Egnatia ka treguar se është ekip me batuta