Katër persona nga Shkodra janë arrestuar pasi po transportonin me një furgon 29 emigrantë kundrejt fitimit, për të kaluar ilegalisht në vendet e BE-së.
Operacioni u ndërmor nga policia e Vlorës në bashkëpunim me Repartin Special “Delta”, Komisariatin e Policisë Himarë dhe Seksionin e Trafiqeve në Vlorë.
“Të 4 këta shtetas bashkëpunonin me njëri-tjetrin, për të kryer transportimin kundrejt pagesave, të 29 emigrantëve, me qëllim kalimin e kufirit në mënyrë të kundërligjshme” informoi sot policia e Vlorës duke sqaruar se “Shtetasi B. F. drejtonte furgonin me të cilin transportoheshin emigrantët, ndërsa 3 shtetasit e tjerë të arrestuar, lëviznin me një automjet tjetër, me qëllim monitorimin e rrugës së kalimit nga Saranda drejt Shkodrës, për të shmangur shërbimet e Policisë.
Arrestimet u kryen në vijim të operacionit policor të koduar “Border”, me fokus parandalimin, evidentimin dhe goditjen e dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, kundrejt pagesave, për të kaluar ilegalisht kufirin drejt vendeve të BE-së.
Në pranga ranë: -F. H., 48 vjeç, M. F., 32 vjeç, B. F., 18 vjeç dhe K. Q., 36 vjeç, të katërt banues në Shkodër.
Sekuestrohen 2 automjetet me të cilat transportoheshin emigrantët dhe celularët e të arrestuarve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.