Shkodra Post
AktualitetKronikaLajmi i Fundit

Nga Endrit Dokle te nipi i deputetit të PS, kush janë bosët shqiptarë që fshihen në Dubai dhe udhëheqin krimin nga suitat luksoze…

Emisioni “Në Shënjestër” nga gazetarja Klodiana Lala në News24, ka hedhur sot dritë mbi detaje nga emrat më të kërkuar të shtetit shqiptar, të cilët kanë gjetur si “shpëtim” Dubain për t’u fshehur, për të jetuar të lirë e për të vijuar bizneset e tyre kriminale.

Por kush janë bosët shqiptarë që fshihen në Dubai, dhe si po trajtohen ata në këtë vend?

Dubai është qyteti që nuk fle kurrë. Një sozi e Manhattan në Gadishullin Arabik, por njëkohësisht edhe një mrekulli e arkitekturës. I konsideruar me të drejtë si një nga perlat e Orientit, parajsa fiskale, ku mund të shpenzosh para pa fund, pa u shqetësuar se dikush ndërkohë po të survejon, mbi origjinën e tyre.

Qyteti i befasive urbane që josh miliona turistë nga anë e mbanë botës, por që në 20 vjeçarin e fundit, nuk është bërë i famshëm vetëm si metropoli që thith vetëm flukse të pambarimta turistësh, por që përtej shkëlqimit vezëllues të fasadave, ruan edhe një aspekt të errët, atë se si personazhe të malavitas, janë bashkuar këtu nga mbarë bota, dhe kanë gjetur strehën e tyre ideale, për t’i shpëtuar përndjekjes së autoriteteve ligjzbatuese në vendet e tyre.

Dubai është sot metropoli ku krahas lordëve të drogës, apo politikanëve të korruptuar të përzënë nga vendi i tyre, midis tyre fshihen edhe shumë personazhe shqipfolës të botës së krimit, të cilët kanë vendosur ta kalojnë jetën në këtë privim luksoz. Një lloj migrimi kriminal e ka kthyer Dubain në qendër të vëmendjes, por edhe një dhimbje koke jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e tjera evropiane, të cilat shikojnë me shqetësim se si ky vend është kthyer në dy dekadat e fundit në burim të krimit të organizuar.

Nga Dubai financohen lumenjtë e drogës që përmbytin Evropën, kjo për vetë faktin se Emiratet e Bashkuara Arabe janë ndër vendet e pakta në botë, që nuk pranojnë marrëveshje ekstradimi për keqbërës të tillë. Ky është një telash edhe për Shqipërinë, ku autoritetet e këtushme e kanë të vështirë, në mos të pamundur të riatdhesojnë kriminelët që fshihen në Dubai.

Ndërkohë që këta të fundit, thuhet se nga parajsa ku janë strehuar së fundmi, drejtojnë ende punët e tyre të liga në botën e krimit, jo vetëm në Shqipëri, ku kanë lënë ushtarët e tyre, por edhe në Evropë, aty ku shtrinë aktivitetin kriminal, pas daljes në tregun e madh të narkotikëve.

Po përse Dubai është bërë kaq atraktiv në vitet e fundit për kriminelët shqiptarë?

Cilët janë emrat më të përfolur të krimit, që fshihen në këtë parajsë, dhe përse shteti shqiptar është i paaftë për t’i ekstraduar dhe për t’i vendosur ata përpara ligjit?

Për të kuptuar përse Dubai është kthyer tashmë në një oaz relaksi për krimin shqiptar, është me vend për të kuptuar vetë lehtësirat që Emiratet e Bashkuara Arabe kanë krijuar kohë pas kohe për eksponentë të krimit të organizuar, dhe jo vetëm shqiptarë, por në mbarë botën. Përveç rrezeve të diellit ata përfitojnë nga mosekstradimi, si edhe rregullat e dobëta financiare ku paratë e fituara nga krimi mund t’i pastrojnë shumë më lehtësisht se në një vend tjetër.

Një arsye më shumë përse shumë syresh, në hyrje të mijëvjeçarit të dytë, filluan të joshen nga jeta mondane e Dubait, ishte edhe  shfrytëzimi i zonave të lira të tregtisë që ofrojnë Emiratet e Bashkuara Arabe, pa harruar këtu edhe shijen ndërkombëtare, që e bëjnë atë një vend atraktiv për njerëz të tërhequr pas botës së biznesit dhe jetës pa tepri.

“Ata jetojnë aty, sepse kanë gjetur një strehë të sigurt. Është një strehë e cila, e para i mban larg armiqësive që ata mund të krijonin nëse do të ishin në Shqipëri edhe grupeve të tjera armiqësore. Por çfarë është më e rëndësishmja është fakti se në shkëmbim të investimeve, në shkëmbim të parave që ata harxhojnë në këto vende për të qëndruar ata kanë marrë një lloj paprekshmërie që do të thotë që ata janë të mbrojtur nga ekstradimet e mundshme, jo vetëm të drejtësisë shqiptare, por edhe të drejtësisë në Europë”, shprehet gazetarja Fatjona Mejdini.

Por kush janë bosët shqiptarë që fshihen në Dubai, dhe si po trajtohen ata në këtë vend?

Eldi Dizdari është pikërisht një nga emrat më të përfolur të krimit në Shqipëri, që fshihet në Dubai.

Ai është sot një nga personat më të shumëkërkuar në Evropë, madje në listën kryesore, të atyre që priten të marrin fluturimin e parë për t’u përballur me drejtësinë evropiane, kjo për shkak të lidhjeve të tij ndërkombëtare me trafikun e lëndëve të forta narkotike.

Dizdari u arrestua në vitin 2020 në Dubai, aty ku fshihej pas arratisë nga Shqipëria. Ndalimi i tij erdhi pas një aksioni të ndërmarrë nga Europol në 9 vende të Evropës.

I njohur ndryshe me emrin Denis Matoshi, Dizdari thuhet se ishte pjesë e organizatës së njohur si Kompania ‘Bello’, që drejtohet nga Dritan Rexhepi, që atëkohë ndodhej në një burg të sigurisë së lartë në Ekuador.

Ndalimi i Dizdarit në Dubai, u bë për llogari të autoriteteve italiane, por ndërkohë emri i tij ndodhet edhe në skedarët e policisë shqiptare, ku kërkohet më së shumti në lidhje me masakrën e 4 tetorit 2018 në ish-Bllok, ngjarje e cila përfundoi me një të vrarë dhe dy të plagosur, ku njëri prej të tyre ishte edhe Ervis Martinaj, ai që ndryshe njihej edhe si mbreti i bixhozit në Shqipëri.

“Arsyet kryesore përse shumë shtetas shqiptarë janë shmangur drejtësisë dhe kanë gjetur si vend strehim në Dubai, pra në Emiratet e Bashkuara ka të bëjë me faktin që ne nuk kemi instrumenta bilaterale bashkëpunimi me këtë shtet. Shkaku është që Dubai është një vend i stigmatizuar si një vend ‘tax free’”, thotë Arben Braçe, ish- drejtor ekstradimi në Ministrinë e Drejtësisë.

Por Eldi Dizdari nuk është shqiptari i vetëm që ka zgjedhur t’i ikë drejtësisë duke u strehuar në Dubai. Plarent Dervishaj është një tjetër personazh shqiptar i botës së krimit, që fshihet në këtë parajsë.

Ai thuhet se jeton në Dubai, që nga viti 2021, menjëherë pasi u shpall në kërkim nga autoritetet shqiptare për dy vrasje të bujshme, atë ndaj biznesmenit Vajdin Lame dhe ndaj Klodian Saliut, ngjarje këto të ndodhura në vitin 2005, në harkun kohor të 24 orëve, e para në Tiranë, dhe e dyta në Durrës.

Por ai sot është në kërkim edhe për një tjetër ngjarje të rëndë, atë të ndodhur më 1 Nëntor 2019, në mbikalimin e Shkozetit në Durrës. Atentat ku mbetën të plagosur rëndë prokurori Arian Ndoji dhe miku i tij në sediljen e pasme të automjetit, Aleksandër Laho, apo i njohur ndryshe si ‘Rrumi’.

Një nga episodet më të dhunshme kriminale të viteve të fundit, ku humbi jetën në spital, shoferi i prokurorit Ndoji, Andi Maloku.

Dervishaj, i cili para këtij atentati, ku dyshohet se është organizatori, ishte bërë edhe vetë pre e një prite të armatosur, asaj të ndodhur në fshatin Koxhas të Shijakut, më 20 qershor 2019.

Ngjarje ku ndaj tij dhe miqve që e shoqëronin, u derdhën batare të shumta me plumba, por që fati në këtë moment duket se ishte me të dhe miqtë e tij, të cilët i shpëtuan paq karikatorëve me fishekë të pambarimtë të derdhur furishëm mbi ta.

Ndaj Dervishajt është firmosur edhe një urdhër  i ri arresti, si organizator dhe urdhërues i atentatit ndaj prokurorit, teksa SPAK për herë të parë deklaron se ka zbuluar të gjithë zinxhirin e atentatit, që nga financuesit, organizatorët, ekzekutorët dhe ndihmësit, të cilët para dhe pas atentatit kanë inskenuar planin për të ekzekutuar prokurorin dhe atë që njihet me emrin ‘Rrumi’.

“Shumë shtetas shqiptarë që janë në kërkim i fshihen drejtësisë duke u strehuar në këtë shtet. E para i fshihen drejtësisë, pra detyrimit që kanë karshi vendimeve gjyqësore që rëndojnë mbi këta shtetas, por njëkohësisht me këtë rast kanë edhe mundësi që t’i shmangen hakmarrjes së grupeve rivale, por njëkohësisht edhe për t’u organizuar në shtetin ku ndodhen”, shprehet Arben Braçe.

Një tjetër personazh, që thuhet se ka frekuentuar shpesh Dubain, është edhe Ramazan Rraja, nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja. Ai është i shpallur sot në kërkim si pjesë e bandës kriminale të drejtuar nga Plarent Dervishaj, që dyshohet se realizoi atentatin ndaj automjetit të prokurorit, Arjan Ndoj.

Më herët Rraja është shpallur në kërkim policor për masakrën me 3 të vrarë te mbikalimi i Fushë-Krujës mesditën e 17 korrikut 2022, por në pamundësi për t’u gjetur ai u shoqërua në polici pikërisht ditën kur u kthye nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Endrit Dokle, është një tjetër emër i botës së krimit, që është regjistruar duke udhëtuar në drejtim të Emirateve të Bashkuara Arabe. Ish-i dënuari me burgim të përjetshëm si drejtues i njërit prej fraksioneve të bandës së Durrësit, i liruar me kusht, është marrë në pyetje të paktën në dy raste përgjatë 6 mujorit të vitit 2022, për masakrën e Fushë Krujës dhe për zhdukjen pa gjurmë të Ervis Maretinaj.

Por ndërsa Dizdari, Dervishaj, Rraja, apo Dokle, janë vetëm disa nga emrat e spikatur të krimit shqiptar që kanë zgjedhur t’i shpëtojnë prangave duke jetuar në Dubai, oficerët e zbatimit të ligjit mendojnë, se në këtë vend, sot kanë gjetur qetësi, dy të tretat, e kriminelëve shqiptarë, që kanë dosje dhe hesape të pambyllura me drejtësinë shqiptare. Ata thuhet se kanë investuar në këtë vend paratë e pista të krimit, duke blerë pasuri të paluajtshme, si edhe duke u bërë me kapitalin e tyre pjesë e rëndësishme e ekonomisë së vendit, një investim i sigurt që u mundëson atyre një rehabilitim të përkorë, pa kokëçarje, por me kushtin që të mos përfshihen në aktivitete kriminale brenda vendit.

“Dubai është një lloj kryeqyteti dhe si kryeqytet ata kanë mundësi jo vetëm të kenë akses më të madh se ç’mund të kishin në një zonë të vogël të Emirateve, por nga ana tjetër të kenë takime, të kenë bisedime, të kenë bashkëpunime edhe me krerë të grupeve kriminale botërore të cilët gjithashtu zgjedhin Dubain për këto arsye”, thotë Fatjona Mejdini.

Ajo që i bën të ndihen të qetë bosët e krimit shqiptar në Dubai, është mosekstradimi i tyre, një dispozitë ligjore e cila mungon në Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila u ka dhënë mundësinë jo vetëm atyre, por edhe shumë kriminelëve nga e gjithë bota që të ndihen të pashqetësuar në vendin arab. Ata mund të ftojnë në suitat e tyre luksoze miqtë nga jashtë vendit, pavarësisht se vetë ndodhen tashmë në një burg të hapur luksoz, nga ku e dine shumë mirë se dalja nga aty, dhe kthimi në vendet e krimit, mund të çojë në prangosjen e tyre.

“Rreth 20 prej tyre janë të vendosur në Emirate dhe prej aty operojnë pastaj operacionet e tyre, por nuk duhet të harrojmë edhe faktin që nuk janë vetëm këta të 20, janë edhe familjet e tyre, miqtë e tyre që iu bashkohen shpesh kështu që ky lloj komuniteti bëhet më i madh”, thotë Fatjona Mejdni.

Vështirësi për ekstradimin e kriminelëve të saj nga Dubai, nuk ka vetëm Shqipëria, por edhe vende më të fuqishme se i yni.

Në vitin 2021, pesë lordë të trafikut ndërkombëtar të drogës, të kërkuar nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Danimarka, u vendosën në pranga në Dubai. Por me shumë gjasa edhe ata thuhet se mund të kenë fatin e lumtur, që pasi t’u digjet afati i paraburgimit, të lihen të lirë, para se të kryhet ekstradimi i tyre.

“Në rastin e Dubait nuk ka vullnet nga pala e huaj për të nënshkruar marrëveshje ekstradimi. Pasojat gjithmonë sjellin mefshtësinë e goditjes së krimit, sjellin faktin që gjithmonë na ka penalizuar që bota e krimit gjithmonë është disa hapa para institucioneve të drejtësisë”, shprehet Arben Braçe./News 24

Related posts

Një nxënës godet me karrige kokës mësuesen në gjimnazin “Hydajet Lezha”…

“Oferta erdhi në kohën e duhur”, Benet Beci zbulon projektet që ka për Shkodrën…

Benet Beci takim me studentë: Secili prej jush e zgjedh vetë të ardhmen e Shkodrës…