Shkodra Post
AktualitetArsimLajmi i Fundit

Gjimnazistja Shkodrane shpallet fituese e konkursit Kombetar “Mendimi im, Forca ime”…

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë, ju prezantojmë esenë fituese të javës në projektin “Mendimi im, Forca Ime”.

“Ajo theu akullin dhe u ngrit në këmbë për të gjitha ne.” – Paolo Coelho.
Malala Yousafzai, një adoleshente që kishte moshën time, frymëzoi botën mbarë duke kërkuar të drejtën më themelore e minimale, atë të mos të privuarit nga dija. Një vajzë e re u kthye në simbol të paqes dhe guximit duke mbushur me shpresë mijëra vajza e gra që, në shoqëri të ndryshme, vazhdojnë të jenë në kushte pabarazie me burrat.

Rebelimi im ngre krye sapo mendja ime fillon të bëjë lidhjet mes gruas dhe shoqërisë.
A është i drejtë ky vend që gratë kanë në mbarë shoqërinë njerëzore?

Para pak kohësh kam lexuar në një revistë se vetëm 28% e kërkuesve shkencorë në shkallë botërore janë femra, një shifër që ma ul vetëbesimin femëror, por në mendje më vijnë emra grash shkencëtare kontributet e të cilave janë të rralla. Më kujtohen fizikania e famshme nobeliste Marie Cyrie, neurologia nobeliste Rita Levi-Montalcini, astrofizikanet Margherita Hack e Cecilia Payne-Gaposchkin, astronautja e parë Samantha Cristoforetti e shumë emra të tjerë.

Duke llogaritur potencialin e pashtershëm të gruas si dhe studimet mbi faktorët biologjikë, që përfshijnë strukturën dhe zhvillimin e trurit, gjenetikën, neuroshkencën dhe hormonet, nuk vihen re dallime midis dy gjinive, gjë që do të thotë se, fatkeqësisht, shoqëria duhet të ketë gabuar diku…

Bota vazhdon ta nëpërkëmbë rolin e gruas, duke e konsideruar të dobët, e që për t’u afirmuar ka nevojë për çadrën e burrit. Unë mendoj që ky është tashmë një koncept i vjetëruar i shoqërive patriarkale ku shumë vajza janë të penguara nga diskriminimi, paragjykimet dhe normat shoqërore për të shfaqur aftësitë reale të tyre. Shumë prej tyre nuk kanë vetëbesimin e duhur për të garuar përkrah burrave e për të afirmuar gjenialitetin e tyre krijues, pikërisht edhe nga ekzistenca e paragjykimeve e stereotipeve, në një kohë kur talenti dhe zgjuarsia femërore do të ndihmonte të zgjidheshin problemet komplekse të kohës që jetojmë. Njerëzimi nuk mund të injorojë gjysmën e gjenisë së tij krijuese – gratë.

Paragjykimet gjinore, që pengojnë gratë dhe vajzat në shkencë, duhet të luftohen! Duhet filluar që nga edukimi i vajzave dhe djemve në familje; duke mbështetur arsimimin e barabartë; duke mos krijuar stereotipe të gabuara për punë grash e punë burrash; si dhe duke nxitur gratë të shprehin aftësitë e tyre në të gjitha disiplinat shkencore; duke krijuar politika mbështetëse, ku të respektohen kuotat gjinore në politikat e punësimit apo kërkimit shkencor; duke i mbështetur me grante që u lejojnë të zhvillojnë dhe të vënë në dobi të shoqërisë intelektin e tyre, e kështu bota padyshim do jetë më e mirë.

“Bota ka nevojë për shkencë dhe shkenca ka nevojë për gratë.”- Irina Bokova.
Interesante, sepse unë mendoj se të jesh grua do të thotë të jesh dy herë njeri. Më duket edhe e guximshme, sepse e shoh veten në pozitat e një gruaje që jeton, rritet, mëson, duron, ëndërron, guxon, por që edhe rebelohet nën petkun e ekzistencës, që shoqëria i ka imponuar të qenurit grua.
E pikërisht këto gra që rebelohen, që sakrifikojnë të shkollohen, që i futen shkencës e i japin emrin e tyre patentave të rëndësishme për shkencën, teknologjinë dhe shoqërinë, janë shembuj që sot kanë bërë që shoqëria të reflektojë thellësisht në njohjen e potencialit të gruas. Atë e gjejmë në fusha të ndryshme të jetës, si drejtuese shteti, profesioniste e niveleve të larta, shkencëtare ekselente apo nënë shembullore, gjeneruese dhe edukuese e brezave të së ardhmes. Në secilin prej rasteve ka shembuj të pafundmë të cilët janë dëshmi të guximit, vullnetit, punës së palodhur dhe suksesit.

Janë këto gra që mbushin me shpresë vajzat e vogla, duke e hapur horizontin e tyre të ëndrrave për të ardhmen, duke e çarë rrugën e vështirë të suksesit, për të hapur shtigje të reja në një botë më të mirë ku të gjithë kanë mundësi të barabarta. E me këto mundësi, unë i them vetes: “Shkëlqe, sepse shkëlqimi yt do ta ndriçojë jetën! Shkëlqe, sepse shkëlqimi yt do ta ngrohë rruzullimin dhe do ta bëjë atë më human!”.

Elia Lika,
Gjimnazi “28 Nëntori”, Shkodër

Related posts

“Mirëmëngjes me 3D e Shirokës”, Benet Beci ironi me deklaratat e rivalit të tij për Bashkinë e Shkodrës…

Kristian Shkreli: Naraçi do jetë në vëmëndjen e Bashkisë gjithmonë!…

“S’e kam dashur kurrë aktrimin, por…”/ Rrëfehet Julian Deda: Vazhdojnë të më quajnë ‘çuni i Zefit’