Shkodra Post
AktualitetKronikaLajmi i Fundit

Aleksandër Sadikaj dhe Edmond Papa, dy vrasje që i lidh kokaina…

Në kohën kur në Katar po luhej finalja e Kupës së Botës mes Argjentinës dhe Francës, skuadra policore që po hetonte vrasjen e biznesmenit Edmond Papa, sapo kishte zbuluar gjurmët e para të atentatorëve.

Dëshira për të parë finalen ishte e madhe, por sigurisht për oficerët e krimeve asgjë nuk vinte para zbardhjes së një vrasjeje.

Papa kishte dy ditë që ishte vrarë, teksa ishte ulur në një lokal në zonën e Selitës, në Tiranë. Hetimet e para kishin zbuluar mekanizmin dhe shumë prova që i lidhnin me autorët.

Sipas dosjes së Prokurorisë së Tiranës rezulton se: Më datë 16 dhjetor, rreth orës 16:30, është marrë njoftim nga Salla Operative e Policisë së Tiranës, se në rrugën “Fadil Bodinaku”, një person është plagosur me armë zjarri. I plagosuri është dërguar në Spitalin e Traumës në gjendje të rëndë për jetën.

Nga veprimet e para të grupit hetimor rezulton se rreth orës 16:20, Edmond Papa, lindur në Fier e banues në Sarandë, ka shkuar për të pirë kafe në një lokal që ndodhet përballë banesës së vëllait të tij, Kristo Qirici. Ai është ulur i vetëm në një tavolinë në rrjeshtin e parë, në verandën e lokalit.

Kur ai kishte porositur dhe po pinte kafe, aty është afruar një person me fytyrë të mbuluar dhe me pistoletë në dorë. Ky person ka qëlluar disa herë në drejtim të Papës duke e plagosur rëndë. Si pasojë e të shtënave Edmond Papa ka marrë disa plagë në pjesën e sipërme të trupit.

I plagosur, ai ka mundur të largohet dhe të futet në ambientet e brendshme të lokalit, derisa është rrëzuar në tokë. Ndërsa personi që e ka qëlluar me armë është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes. Papa është dëguar me ambulancë në Spitalin e Traumës, por si pasojë e plagëve të marra ka gjetur vdekjen.

DOSJA

Emri i 44-vjeçarit Edmond Papa, nuk ishte i panjohur për Policinë e Tiranës. Madje ata po verifikonin çdo dyshim, për lidhjen e tij me një tjetër vraje të ndodhur në Tiranë, 6 muaj para saj.

Bëhet fjalë për vrasjen e Aleksandër Sadikajt. Ky i fundit, u plagos rëndë e më pas humbi jetën pasi makina e tij u hodh në erë me eksploziv vitin e kaluar. Më 11 qershor, në orën 13:35, makina që ai drejtonte shpërtheu në ecje.

Edmond Papa ishte takuar me Aleksandër Sadikajn dy ditë para se të ndodhte shpërthimi në autostradën Tiranë-Elbasan. Madje, emri i tij ishte një ndër kontaktet e fundit në telefonin e Sadikajt, kur u verifikua për llogari të hetimeve.

Edhe familjarët e Sadikajt, që në ditët e para të ngjarjes kanë pasur dyshime se Edmond Papa kishte “gisht” në vrasjen e 27-vjeçarit. Këtë ia kishin thënë edhe grupit hetimor. Megjithatë, edhe pse kishte dyshime, Policia nuk kishte siguruar ende prova që ta lidhte direkt apo indirekt Edmond Papën me këtë ngjarje.

Por pas vrasjes së tij, më 16 dhjetor dhe pasi nisën të identifikohen autorët e dyshuar, emri i Papës filloi të lidhej edhe më shumë me shpërthimin që i mori jetën Aleksandër Sadikajt.

Në fillim të këtij viti, Policia e Tiranës njoftoi se kishte zbardhur vrasjen e Edmond Papës. Fillimisht në pranga u vu 30-vjeçari Albano Velo, shoku i ngushtë i Aleksandër Sadikajt. Velo është arrestuar natën e ndërrimit të viteve në Aeroportin e Rinasit. Ai po kthehej nga Franca, ku kishte udhëtuar 4 ditë pas vrasjes së Papës.

Policia kishte të dhëna se vrasja e Edmond Papës ishte kryer për hakmarrje dhe ishte e organizuar nga disa persona. Hakmarrje që më pas do të zbulohej se nuk lidhej vetëm me vrasjen e Aleksandër Sadikajt.

Në seancën e masës së sigurisë, të zhvilluar më 3 janar, Velo i ka mohuar akuzat, duke thënë se nuk ka lidhje me ngjarjen. Pavarësisht pretendimeve, gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë.

Një nga provat e paraqitura në gjyq ishin kamerat e sigurisë të sekuestruara në zonën ku u ekzekutua Edmond Papa, si dhe një sërë përgjimesh telefonike dhe ambinetale.

Oficerët e Policisë kishin sekuestruar kamerat e sigurisë dhe automjetin tip “Audi” që dyshohej se ishte përdorur nga autorët para dhe pas krimit.

DOSJA

Në dosje thuhet se: Janë administruar regjistrimet filmike të kamerave të sigurisë së disa subjekteve provate përgjatë intinerarit nga ku mendohet se ka lëvizur autori për të shkuar dhe larguar nga vendi i ngjarjes.

Po ashtu edhe serveri i kamerave të sigurisë që monitoron ambientet e jashtme të banesë së vëllait të viktimës.

Nga keqyrja paraprake e kamerave të sigurisë, rezulton se në orën 16:17, një person i seksit mashkull afrohet në këmbë në trotuarin përpara lokalit, ku përballë tij, në anën tjetër të rrugës ndodhet banesa e vëllait të viktimës.

Ky person qëndron në këmbë, për rreth 4-5 minuta, me dorën e djathtë të mbledhur afër gjoksit. Futet në amnientet e brendshme të lokalit dhe pas pak çastesh shihet duke u larguar me vrap nga aty.

Dëshmitarët okulatë, që kanë qenë klientë në lokalin ku ndodhi ngjarja, kanë deklaruar se personi që qëlloi me armë ishte në moshë të re, me trup mesatar, pak i mbushur. Ai kishte kapuç me ngjyrë blu të errët të vendosur në kokë, në duar kishte doreza dhe mbante një pistoletë.

Sipas Prokurorisë, Albano Velo, djali i një punonjësi Policie, ka pasur rolin e vëzhguesit në vrasjen e Papës.

Në rolin e ekzekutorit, Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim shtetasin Andrew Bode, 44 vjeç, me origjinë nga Berati. Më herët njihej me emrin Edvin Bode, por për shkak të problemeve me drejtësinë e ka ndryshuar para disa vitesh emrin.

DOSJA

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se autorët e ngjarjes e kanë ndjekur viktimën edhe disa ditë përpara ngjarjes. Kjo është konstatuar nga këqyrja e kamerave të sigurisë në rrugën ku ndodhi ngjarja.

Në pamje duke makina e vëllait të viktimës dhe pasi parkohet, janë parë të kalojnë makina tip “Audi”, me targë italiane dhe makina tip “Benz” me targa shqiptare.

Sipas pamjeve, rezulton se të njëjtët persona në mjete takohen sërish pas Presidencës, disa minuta më vonë, pasi është larguar makina e vëllait të viktimës.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, ekziston dyshimi i arsyeshëm bazuar në prova dhe fakte se shtetasit Albano Dilaver Velo dhe Andrew Fatos Bode kanë bashkëpunuar.

Ata kanë ndjekur Edmond Papën për disa ditë me radhë dhe dyshohet se më 16 dhjetor kanë kryer vrasjen e tij.

Nga verifikimi i pamjeve filmike, i profileve të Facebook të Albi Velo, (Adriatik) Andrea Kalemi dhe Fans of Las palmas dhe pas këqyrje e sistemit TIMS, rezulton se shetasit Albano Velo, (Adriatik) Andrea Kalemi, Andrew Bode kanë lidhje të ngushta shoqërore mes tyre.

Po kështu edhe me Aleksandër Sadikajn, i vrarë më 11 qershor në afërsi të Saukut. Shtetasi (Adriatik) Andrea Kalemi është djali i dajës së Sadikajt.

Ky i fundit dy ditë para se të vritej, ka qëndruar në një hotelin në pronësi të Edmond Papës dhe vëllait të tij Kristo Qirici, që ndodhet në Lagjen Nr.1, në Sarandë.

Nga të dhënat operative që disponon Policia, rezulton se familjarët e Aleksander Sadikaj dhe shokët e tij, kane pasur dyshime se vrasja është organizuar në gytetin e Sarandës.

Ata vazhdimisht janë interesuar dhe angazhuar privatisht për të mësuar detaje me qëllim dhe hakmarrjen per vrasjen e personit të tyre të afërt.

Prova kryesore që lidh dy vrasjet me njëra-tjetrën, është shkatërruar nga shpërthimi i eksplozivit në makinën e Aleksandër Sadikajt. Bëhet fjalë për një sasi të konsiderueshme lënde narkotike.

Ajo që nuk është thënë deri më sot është që në atë ngjarje, eksplozivi shkatërroi edhe një sasi të madhe droge që po transportohej në atë makinë. Viktima, në momentin që u nxorr i plagosur rëndë nga makina, ishte i “larë” me kokainë.

Ekspertët që kanë bërë këqyrjen e automjetit, kanë konstatuar një vend të posaçëm të krijuar brenda saj, ku ishin futur pakot me lëndë narkotike.

Bashkë me to mendohet të jetë futur edhe pakoja me tritol. 27-vjeçari Sadikaj mund të ketë pasur dijeni për drogën që po transportonte, por kurrsesi për eksplozivin që ishte vendosur aty.

Automjeti tip “Golf” që u hodh në erë, ishte një makinë modeste, krahasuar me mjete të tjera luksove që mund të ketë lëvizur Sadikaj. Por ishte makina e duhur për të kryer transport lëndësh narkotike. Hetuesit kanë dyshime se makina i është dhënë në përdorim Aleksandër Sadikajt.

Personat që kanë futur kokainën në makinë, kanë futur edhe eksplozivin.

Automjeti nuk ishte në pronësi të Sadikajt, por po përdorej vetëm për këtë rrugë dhe mendohet se është marrë në dorëzim nga ai, bashkë më lëndën narkotike brenda.

Me vrasjen e Aleksandër Sadikajt, u shkrumbua edhe kokaina. Dhe me vrasjen e Edmond Papës 6 muaj më vonë, nuk u mor hak vetëm për vrasjen, por edhe për zhdukjen e drogës që nuk shkoi në destinacion.

Kur droga është në mes, hallkat në zinxhirin e vrasjeve shtohen njëra pas tjetrës. E në këtë rast ne nuk mund të themi me siguri nëse Edmond Papa ishte hallka e fundit./Emisioni “Gjërat Tona”

Related posts

Autostrada Muriqan – Lezhë/ Prezantohet projekti në Shkodër…

EMRI/ Jepte pasaporta të falsifikuara për të shkuar në SHBA dhe Angli, arrestohet 54-vjeçari…

Një shkodrane për parlamentin e Lombardisë/ Vasenka Rangu Leka, prej vitesh kontribuon në fushën e diplomacisë publike…