Nga Elisa Karaj
Në zgjedhjet e 11 majit ku emrat e lidërve të vjetër dominuan titujt, një imazh i ri, tërhoqi vëmendjen e mediave dhe opinionit publik. E veçantë jo vetëm për përfshirjen e saj të parë në politikë por edhe për prezencën e saj si një grua e guximshme e besimit islam, Burbuqe Islami kandidoi për partinë Socialdemokrate(PSD).Një vendim që në fakt iu kërkua, vetëm dy ditë para se listat e kandidatëve të dorëzoheshin.
Ndonëse ajo nuk fitoi në këtë kandidaturë, me bindje të plotë ajo tregon se fitoi më shumë se një pozicion.
“Unë e fitova” tregon ajo, “sepse arrita të marr hapësirën mediatike, ku munda të tregoj se edhe në besimin islam gratë janë të zgjuara, të zonjat dhe janë të pranishme në jetën profesionale dhe politike.”
Nga rrënjët tek roli publik
E lindur në fshatin Maqellarë në qarkun e Dibrës, si fëmija i fundit me dy motra dhe një vëlla ajo rrëfen se ka kaluar një fëmijëri të mrekullueshme. Duke qenë edhe më e vogla kujton se gjithmonë është përkëdhelur nga prindërit. Që në moshë të hershme, Burbuqja qëndronte pranë fëmijëve më të mëdhenj në moshë. Ku shpesh merrte rolin e organizatores duke planifikuar piknikë, dhe udhëtime të ndryshme jashtë fshatit. Që në atë kohë ajo tregonte tiparet e nje liderje,një karakteristikë që do e shoqëronte gjatë gjithë jetës dhe karrierës së saj.
Pas përfundimit të gjimnazit në vendlindje, Burbuqja iu drejtua Tiranës për të studiuar dhe përfunduar studimet në Fakultetin e Ekonomisë në degën Financë. Duke finalizuar edhe masterin për kontabilitet auditiv.
Ndërkohë sot, ajo ka ndërtuar një profil të admirueshëm si eksperte. Burbuqja është kontabiliste e miratuar,vlerësuese e pasurive të paluajtshme nga inxhinieria e ndërtimit dhe inspektore financiare publike e përzgjedhur nga vetë Ministria e Financave.
Aktualisht Burbuqja prej majit të vitit 2024, punon pranë gjithë Gjykatave dhe Prokurorive si eksperte vlerësuese për çështje të ndryshe.Gjithashtu administron nje kompani prodhimi në qytetin bregdetar të Durrësit prej vitit 2023. Ndonëse jo kompani e saja,është një biznes i cili pas kontriubutit dhe punës së saj të palodhshme arriti rë ringrihej fuqishëm.
Hapat drejt mbulimit
Dashuria për fenë islame e ka fillesën kur ajo ishte vetëm 6 vjeç. Duke u shoqëruar gjithmonë me vajzat e lagjes, konkretisht më të mëdhaja se ajo, Burbuqja bëhej pjesë e mësimeve për fenë dhe gjuhën arabe në xhami. Teksa çdo ditë mësonte copëza nga kjo botë shpirtërore e re për të, në moshën 12- vjeçare asaj i lindi në mënyrë të natyrshme dëshira për tu mbuluar.Fillimisht familjarët duke menduar se ishte një fazë kalimtare mbulimi i saj, pranuan këtë vendim. Teksa vitet kalonin, në një bisede të sinqertë me Burbuqen prindërit kuptuan se vendimi i saj për tu mbuluar ishte i qëndrueshëm dhe jo një dëshirë kalimtare.
Pikërisht atë natë babai i saj, i pakënaqur nga kjo zgjedhje ,dogji të gjithë shamitë e saja. Ishte një gjest i prerë që e vuri përballë një zgjedhjeje të vështirë,ose do të shkonte në shkollë pa shami ose nuk do të shkonte fare.
“Atë natë u mërzita shumë, por babai pa një ëndërr që edhe sot tmerrohet kur ia përmend”tregon ajo, “Ditën tjetër më bleu disa shami të reja, si një dritë jeshile për të vazhduar rrugëtimin tim shpirtëror drejt besimit”.
Magazina e lutjeve -Hapësira që i krijoi Burbuqja vetes
Nga viti 2016 për nëntë vite, Burbuqe Islami shërbeu si administratore e aseteve kriminale në Ministrinë e Financave. Një pozicion sfidues, brenda një institucioni shtetëror ku rrallëherë ishin parë gra me hixhab në pozita të tilla. Madje për shumë prej kolegëve të saj prania e saj ishte diçka e re dhe jo aq e mirëpritur. Shpeshherë provokohej me pyetje për fenë për të parë regimet e saja. Por Burbuqja tregon se në çdo rrethanë i shmangte këto biseda duke u fokusuar vetëm tek ana profesionale,tek puna.
Në institucion nuk bëhej fjalë të falej, por Burbuqja e kishte gjetur një vend të heshtur për tu lidhur me Zotin. Në magazinën në katin e poshtëm larg zyrave të titullarëve. Aty punonte një djalë i ri,i cili ndonëse nuk praktikonte fenë, besonte shumë tek mirësia dhe miqësia që kishte krijuar me Burbuqen. Me mirëkuptim e zemërgjerësi ai i hapte gjithmonë derën Burbuqes që të mund të kryente lutjet pa u ndjerë e gjykuar.
“Ai djalë sot nuk jeton më por unë jam gjithmonë mirënjohëse ndaj tij.”-tregon ajo me një buzëqeshje të trishtuar.
Kur puna flet më shumë se paragjykimi
Në vitin 2020,Burbuqja mori një përgjegjësi tejet sfiduese duke përfaqësuar Institucionin kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Një aktivitet me një rëndësi të madhe për institucionin.
Fillimisht nuk pati mbështetje të plotë nga titullarët. Hezitimi i tyre nuk ishte i fshehur por me këmbëngulje të personave që kishin parë punën e saj dinjitoze,vendosën që ajo ti përfaqësonte në këtë aktivitet.Sakaq ajo jo vetëm e përmbushi detyrën me sukses, por mori reagime pozitive nga pjesëmarrësit dhe kolegët.
Rruga e saj nuk ka qenë aspak e lehtë. Në një sistem ku paragjykimet ndaj grave,veçanërisht ndaj atyre me shami, janë ende të pranishmë. E përballur me shikime të ftohta dhe provokime ndaj bindjeve të saja ajo tregon,
“Në eksperiencën time prej vitesh mund të them se titullarët nuk duan të punësojnë gratë dhe vajzat me shami.Nuk duan dikë të mbuluar,por dikë të bukur për të kënaqur sytë dhe egon e tyre.”
Nënë, Bashkëshorte dhe Profesioniste
Përtej angazhimit të saj profesional 39-vjeçarja është nënë e katër fëmijëve ,tre vajza dhe një djalë vetëm 3 vjeç. Me bashkëshortin e saj ndan jo vetëm të njëjtën datë lindjeje por edhe një miqësi që u kthye në martesë prej më shumë se 18 vitesh.
Vajza e tyre më e madhe është vetëm 17 vjeç, por ka zgjedhur të mbulohet. Burbuqja ndonëse është vetë e mbuluar nuk ka ushtruar asnjëherë presion mbi vendimet dhe zgjedhjet fetare të fëmijëve.Madje e këshilloi vajzën të mos e ndërmerrte këtë hap pa u siguruar,por përgjigjja e saj ishte e qartë: “Dua ta hedh këtë hap”-tha ajo.
Burbuqe Islami është ndër ato gra që jeton të gjitha rolet në jetë me përkushtim. Çdo mëngjes për të nis plot energji dhe produktivitet. Gjithmonë e informuar mbi lajmet nga vendi dhe bota, ajo fokusohet tek zhvillimet ekonomike dhe politikat fiskale.
Në shtëpi, është një amvisë e përkryer që shpreh dashurinë edhe përmes gatimit.Ushqimi i shëndetshëm për të është një prioritet për një jetë sa më të shëndetshmë dhe të lumtur.
Nëse ndonjë ditë të sajën kur është pushim ,mundoheni ta kontaktoni por nuk mund të lidheni më të ,ajo me siguri do jetë duke udhëtuar e zbuluar detaje që e bëjnë ta dojë jetën edhe më shumë.
