Vllaznia bëri një paraqitje për t’u harruar sot në shtëpi ndaj Egnatias, pasi u mund me shifrat 0-4. Trajneri i shkodranëve, Goce Sedloski në konferencën pas ndeshjes, i ka kërkuar falje tifozëve.
“Çfarë t’iu them. Fillimisht dua t’i kërkoj ndjesë sportdashësve. Është një humbje e thellë. Për të gjithë është e vështirë kjo. Këtë nuk e kam përjetuar më parë. Dua ta uroj Egnatian. Kanë qenë me të vërtetë shumë mirë. Rezultati është ky.
Të gjithëve na dhemb ky rezultat. Nuk kam se çfarë të them më tej. E kam thënë dhe kur ishim 1-0, vetëm mos të shpartallohemi. Pjesa e dytë doli ashtu si kisha frikë. Kjo është ajo që mund të them për këtë ndeshje. Të gjithë kemi dashur të luajmë mirë, por përballë kishim një kundërshtar shumë të fortë. Ata e realizuan dhe morën 3 pikët. Kjo është e gjitha.
Duhet të ndryshojmë diçka. Ia kam thënë dhe lojtarëve. Duhet që shumë gjëra të ndryshojnë. Dhe shpresoj që do të arrijmë të gjejmë heroin tonë. Tani është më e rëndësishme që të marrim pikët por nuk duhet të luajmë si në pjesën e dytë. Nuk jemi pozicionuar mirë në fushë dhe këtë kundërshtari e ka shfrytëzuar.
E them, duhet të ndryshojmë diçka. Jam përpjekur që sot të luajmë me dy sulmues sipër. E them gjithçka ka shkuar mirë deri te shënimi i golit nga ana e tyre. Jemi përpjekur që të luajmë një lojë me pasime. E them që deri në çastin e pësimit të golit, jemi mbajtur mirë në fushë. Por, ai gol na tronditi pak. Ka pasur kohë, minuta për t’u kthyer që të luajmë të njëjtin futboll. Me keqardhje e them që ka qenë e vështirë kur kemi pësuar golin e dytë. Do ta shohim që do të ndryshojmë diçka.
Gabimet? Kemi pasur 2-3 ditë që ato gabime t’i analizojmë. Iu kemi treguar ku kemi gabuar dhe si kemi gabuar. Por, kundërshtari ka pritur. Sot kemi pasur edhe gabime më të mëdhaja. Dhe një kundërshtar si Egnatia nuk të fal. Kanë një kundërsulm të shpejtë dhe të fuqishëm. Nuk mundëm t’i ndalonim.
Gurishta? Dje në stërvitje ka ndjerë dhimbje dhe sot e kam pyetur që a është në gjendje të luajë. Sot më tha po. Në pushimin e pjesës së parë e kam pyetur dhe tha që nuk ishte i aftë të luante”, tha ai. /balkanweb