Shkodra Post
AktualitetKronikaLajmi i Fundit

Vrasja e biznesmenit në Shëngjin, Policia shoqëron “të fortët” e Shkodrës…

Ekzekutimi mafioz i biznesmenit Ardian Nikulaj mesditën e së mërkurës, në Shëngjin vijon të mbetet pa autor, ndërsa forcat blu po vijojnë hetimet. Nuk dihen ende nëse policia ka rënë në gjurmët e autorit që ekzekutoi 50-vjeçarin, por Report Tv mëson se në Shkodër janë shoqëruar dhe marrë në pyetje disa emra të fuqishëm të krimit, të cilët më pas janë lënë të lirë.

Ende nuk ka informacione nëse hetuesit kanë ndonjë të dhënë që autori është nga veriu, por mund të jetë bazuar tek dëshmia e banakierit, i cili ka treguar për dialektin e vrasësit që shtiu 7 plumba mbi Nikulajn brenda në lokalin e tij.

Ndërkohë edhe një shtetas anglez është në verifikim për vrasjen e biznesmenit dhe anëtarit të këshillit bashkiak në Lezhë. Ky i fundit ka qenë duke pirë kafe brenda lokalit në momentin e ngjarjes dhe menjëherë pas të shtënave është larguar. Nga verifikimet e sistemit TIMS, anglezi rezulton të ketë hyrë në Shqipëri me 14 prill dhe është larguar mbrëmjen 19 prillit disa orë pas ngjarjes.

Përgjatë 5 ditëve, ai ka qëndruar në një hotel në vijën e parë të plazhit rreth 1 km larg lokalit të viktimës. Grupi hetimor po verifikon nëse diçka e tillë ka qenë një rastësi, apo shtetasi i huaj mund të jetë përdorur në rolin e informatorit për të realizuar krimin. Për shkak të largimit të shpejtë përmes aeroportit të Rinasit drejt Britanisë në Madhe, hetuesit nuk kanë pasur mundësi ta pyesin shtetasin anglez, por po analizojnë me kujdes kamerat e sigurisë për të verifikuar nëse është parë duke lëvizur edhe ditë të tjera para ngjarjes pranë kompleksit “CORAL”.

Ndërkohë janë pyetur punonjësit e hotelit ku qëndroi 5 ditë si edhe është pyetur taksisti që e çoi në Rinas, por deri më tani nuk ka më shumë të dhëna që mund të ndihmojnë grupin hetimor për zbardhjen e ngjarjes. Me qëllim zbardhjen e ngjarjes, policia nën drejtimin e prokurorisë së Lezhës po kalon në sitë të gjitha konfliktet që mund të ketë pasur viktima.

Për pistat e hetimit, policia vijon të mbetet e dyzuar, kjo edhe për shkak se viktima kishte një aktivitet të gjerë në biznes, politikë dhe gjakmarrje të vjetër me familjen Palaj. Ndërkohë në kuadër të hetimeve me qëllim zbardhjen e ngjarjes, policia ka shkuar në tre banesa të familjes Palaj në Lezhë, por nuk janë gjetur në banesë, asnjë prej familjarëve dhe djemve. Ata ndodhen jashtë shtetit në Angli dhe pretendimi i tyre është konfirmuar dhe nga TIMS, që tregon daljen e tyre jashtë shtetit disa vite më parë.

Nga 7 plumbat e shkrepura nga pistoleta tip “TT” në drejtim të biznesmenit Nikulaj, vetëm 5 prej tyre e kanë kapur në pjesë të ndryshme të trupit, ku plumbi fatal, sipas ekspertizës mjeko-ligjore, ishte ai në pjesën e ballit, duke sjellë vdekjen e menjëhershme të biznesmenit.

Related posts

Smajli: Kuqebluve iu mungon dëshira. Lojtarët e Vllaznisë të pa interesuar për Europën, ja çfarë më habit

Si ju duket nusja? Motra e Luizit flet për herë të parë për Kiarën, zbulon raportin mes tyre…

Komisioni i Disiplinës me “dorë të hekurt”, 5 ndeshje pezullim për lojtarin e Tiranës