Analistja Anduena Llabani zbuloi në Mcn Live se i ndjeri Ardian Nikulaj ka pasur një konflikt fizik me kryebashkiakun e Lezhës Pjerin Ndreu, një javë para se të vritej.
Duke folur për të shkuarën problematike të Nikulajt, Llabani tha se pista e dyshuar e ngjarjes është gjakmarrja, nga fëmijët e një personi që është vrarë nga familja Nikulaj në vitet 94-95’.
Kemi të bëjmë me një biznesmen dhe njëkohësisht një politikan. Do doja të rendisja disa gjëra që tregojnë për të shkuarën e Ardian Nikulajt. Ardiani ka pasur një emër tjetër në të shkuarën, është njohur si Mark Nikulaj. Pas problemeve që ka patur ai ka ndryshuar identitet duke patur një emër të dytë.
Në 94-95 këtij personi i kanë vrarë vëllain. Ngrihet familja Nikulaj dhe vret 3 persona nga familja e dyshuar. Tre fëmijët e vegjël të personazhit që e vranë kanë emigruar drejt shtetit anglez dhe kanë fituar statusin e azilantit. Fëmijët janë rritur dhe pista e dyshuar është gjakmarrja. Mendohet se njëri prej tyre mund të jetë autor i vrasjes për shkak të një gjaku të marrë. Do thuash pse pas dy dekadash bëhet kjo gjë…
Në 2012 si drejtor i OSHEE, ai ka pasur probleme me personazhe që lidhen drejtpërdrejt me postin e tij. Ka edhe një ngjarje tjetër ku përfshihet Ardian Nikulaj. Bashkë me djalin e xhaxhait të tij kanë bërë një vrasje. Ka një autor sot në burg, djali i xhaxhait. Por mendohet se në vrasjen e xhaxhait tjetër ka qenë edhe Ardian Nikulaj. Është një ngjarje që është raportuar si vdekje aksidentale e xhaxhait, por gruaja e xhaxhait pas dy vitesh ka deklaruar se është vrarë. Ka një të shkuar problematike.
Para një javë mësohet se ka pasur një konflikt edhe fizik me kryetarin e bashkisë së Lezhës. Janë informacione të shkruara në dosje, në raportimet e policisë dhe dosje. Prezenca e kryetarit të bashkisë, duket sikur kryetari i bashkisë ka dashur të mohojë çdo fakt. Sigurisht kjo nuk është një arsye, por ekziston një raport që Nikulaj ka pasur konflikte të herëpashershme”.
Llabani tha se ekziston e gjithë videoja e ekzekutimit, por deri më tani “blutë” nuk kanë bërë një identikit të autorit të vrasjes, i cili ka qenë i maskuar dhe ka vepruar si profesionit.
Lezha është një qark goxha problematik. Ka territore të caktuara në Shqipëri që janë pothuajse të paprekshme për Policinë e Shtetit. Janë zona ku askush nuk mund të futet. Madje edhe banorët janë të predispozuar të mos flasin dhe të mos tregojnë çfarë ndodh në zonat e kuqe. Ky individ që kishte një mburojë politike dhe administrative. A do të dyshohet se është vrarë edhe për çështje politike në prag të fushatës? Kjo mbetet për t’u parë. Institucionet janë të interesuara që mos të ketë ngjyrime politike. Kemi të bëjmë me një ngjarje ku kanë kaluar mbi dy dekada sa i takon historisë së gjakmarrjes. Por problematikat që ka kaluar dhe një atentat ku ka qenë dëshmitar, e bëjnë atë të jetë më i ekspozuar”.