Shkodra Post
AktualitetKronikaLajmi i Fundit

“Sjellje të papranueshme”: Gjetjet e KPK për gjyqtarin e Shkodres Andri Ymerin…

Nga Edmond Hoxhaj

Procesi i pazakontë i vetingut të gjyqtarit të Shkodrës, Andri Ymeri, problemet e konstatuara në të tre kriteret e rivlerësimit si dhe ‘qëndrimi jobashkëpunues’ për të zvarritur çështjen, trajtohen me detaje në vendimin e arsyetuar prej 128 faqe të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK. Një pjesë e probleme janë konsideruar në vlerësimin tërësor të çështjes, prej nga është konkluduar se Ymeri gjendet në kushtet e cënimit të besimit të puyblikut tek sistemi i drejtësisë.

Rivlerësimi paraprak i Ymerit filloi në dhjetor të vitit 2019 dhe përfundoi në majt të vitit 2022. Tre seancat e para dëgjimore në datat 27 maj, 13 qershor dhe 9 dhjetor dështuan të zhvilloheshin, pasi në një rast ju dha kohë avokatit të zgjedhur prej subjektit për t’u njohur me dosjen, ndërsa në dy të tjerat Ymeri paraqiti kërkesa të njëpasnjëshme për përjashtimin e anëtareve të trupës së KPK-së.

Edhe seanca e katërt nuk përfundoi, por Komisioni arriti të relatojë gjetjet për mungesë burimesh dhe dyshime për pasuri të fshehura, si dhe probleme për papërshtatshmëri për kriterin e figurës dhe profesionalizmin.

Gjatë dy seancave maratonë në datat 13 dhe 14 dhjetor 2022, Ymeri parashtroi për orë të tëra shpjegimet e tij, po pa i përmbyllur. KPK i dha mundësinë për një seancë të shtatë që u zhvillua më 19 dhjetor, kur ai lexoi qëndrimet e tij përfundimtare, duke pretenduar ndër të tjera se vetingu ndaj tij ishte i padrejtë dhe kërkoi të konfirmohej në detyrë. Pak ditë më vonë, më 21 dhjetor ai u shkarkua në mënyrë unanime nga trupa e KPK e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Genta Tafa Bungo dhe anëtare Firdes Shulin.

Andri Ymeri përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe punoi prej gati dy dekadash si gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës. Në vitin 2014, ai iu nënshtrua një procedimi disiplinor me kërkesë të ministrit të Drejtësisë dhe mori nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë masën e “vërejtjes me paralajmërim”.

Komisioni konkludon se Ymeri ka qenë në pamundësi për krijimin e pasurive dhe është përpjekut t’i fshehë ose ka kryer deklarim të pasaktë; se ka marrë vazhdimisht vendime duke mos ndjekur procedurat e duhura dhe bazuar në një model që ngre dyshime për paanshmërinë e tij; nuk ka njoftuar rregullisht palët dhe nuk ka përmbushur afatet ligjore; se ka qenë vazhdimisht i gatshëm të gjykonte dhjetëra çështje, pavarësisht nga konflikti i drejtpërdrejtë i interesave; se bëri përpjekje të shumta të pasinqerta për t’u distancuar nga shoku i tij avokat; se paraqiti dokumentacion të një natyre dhe vlefshmërie të dyshimtë; si dhe nuk bashkëpunoi plotësisht gjatë procesit të rivlerësimit duke kërkuar ta zvarrisë nëpërmjet taktikave të ndryshme.

Zvarritja e procesit

Në vendimin e arsyetuar evidentohet se gjatë afatit të lënë për të pëmbysur barrën e provës, Ymeri ka kërkuar dy herë shtyrje të afatit. Megjithëse Komisioni i ka pranuar këto kërkesa, ai nëpërmjet avokatit, ka kërkuar përsëri shtyrje të afatit me pretendimin se përfaqësuesit ligjor i nevojitej më kohë.

Gjatë gjithë procesit të rivlerësimit, gjyqtari Ymeri ka bërë gjithsej 11 kërkesa për përjashtim të anëtarëve të trupës së KPK-së, por vetëm 2 prej tyre janë pranuar, ndërsa të tjerat nuk janë gjetur të drejta nga ana e trupave që i shqyrtuan. Për të justifikuar kërkesat e tij për pezullim të procesit, Ymeri kreu edhe kallëzime penale ndaj anëtareve të trupës.

“Ky fakt krijon bindjen tek Komisioni se këto kërkesa kanë pasur për qëllim vetëm zvarritjen e procesit të rivlerësimit. Kjo bindje theksohet edhe nga fakti tjetër se, pavarësisht kërkesës së kryesueses së seancës për të paraqitur të gjitha kërkesat paraprake së bashku, që në fillim të seancës, me qëllim shqyrtimin e tyre menjëherë, pa penguar procesin, subjekti nuk ka pranuar, duke i depozituar këto kërkesa herë pas here, duke detyruar ndërprerjen e seancës për shqyrtimin e kërkesave nga trupa të tjera gjykuese,” konstaton Komisioni.

Dy kërkesa të tjera për përjashtim të paraqitura nga subjekti në seancën e 19 dhjetorit, kur iu dha fjala për të shprehur qëndrimin e tij përfundimtar, u vlerësuan abuzime nga Komisioni që vendosi të mos i administrojë ato.

Abuzive është çmuar edhe një kërkesë për pezullimin e vijimit të shqyrtimit të çështjes së tij në Komision deri në zgjidhjen e një konfliktit gjyqësor.

“Kallëzimi penal i bërë nga subjekti për anëtarët e trupi gjykues nuk mund të jetë shkak i arsyeshëm e ligjor për pezullim të procesit të rivlerësimit,” argumenton KPK dhe konsideron këtë kërkesë të bërë me qëllim zvarritjen e procesit të rivlerësimit.

Në përfundim të vlerësimit të qëndrimit të subjektit gjatë seancave dëgjimore, por edhe gjatë gjithë procesit të rivlerësimit, Komisioni çmon se ai ka qenë pengues në të gjitha procedurat e rivlerësimit; ka abuzuar me të drejtat e tij për kërkesat për përjashtim të anëtarëve të trupit gjykues; ka refuzuar të evidentojë kërkesat për marrje prove gjatë paraqitjes së mbrojtjes së tij; si dhe ka tentuar disa herë të shtyjë datat e zhvillimit të seancave, me arsye më të shumtën e herës të pabazuara. Mungesa e bashkëpunimit është mbajtur në vëmendje nga KPK gjatë marrjes së vendimit përfundimtar.

Konstatimet për pasurinë

Ymeri ka deklaruar përdorimin e një apartamenti me sipërfaqe 111 m2 në Shkodër, pasuri që rezulton e regjistruar në emër të babait të tij. Aktualisht kjo banesë rezulton të jetë në përforim të subjektit dhe familjes së tij.

Komisioni vëren se, pavarësisht se nga ana formale kjo pasuri është regjistruar vetëm në emër të babait të subjektit, ky i fundit ka të drejta bashkëpronësie, por të papërcaktuara në pjesë ideale. Ndërkohë, pasuria në fjalë është krijuar edhe me kontributet e subjektit gjatë kohës që nuk kishte lidhur martesë, që janë bashkuar me të ardhurat e përbashkëta të anëtarëve të familjes së origjinës.

KPK ka konstatuar pamundësi financiare për vlerjen e kësaj pasurie, e për rrjedhojë ka kryer deklarim të pasaktë, të paplotë dhe të pamjaftueshëm.

Për një automjet në përdorim nga bashkëshortja, i blerë nga vëllai i gjyqtarit Ymeri për 350 mijë lekë, janë ngritur dyshimet se është një pasuri e fshehur. Sipas KPK, Ymeri ka kryer deklarime kontradiktore në lidhje me burimin e krijimit të kësaj pasurie; se ka mungessë të burimeve për ta mbuluar ai vetë çmimin e këtij automjeti në 2014-ën; si dhe ka deklaruar se vëllai ka pasur një mjet tjetër kur është blerë kjo makinë në emër të tij. Nisur nga fakti se bashkëshortja e subjektit është policëmbajtëse për këtë automjet për një periudhë të pandërprerë; si dhe për arsye se vetë gjyqtari Ymeri nuk ka pasur makinë tjetër në pronësi, KPK vlerëson se kjo pasuri mund të ketë qejnë në pronësi të fshehur të tij.

Ymeri ka rezultuar në pamundësi financiare për blerjen e një automjeti për çmimin 930 mijë lekë; shpenzimet për mobilimin e banesës në vitin 2008; si dhe për investimet në bondo thesari në disa vite.

Nga analiza financiare e përgjithshme KPK ka konstatuar balancë negative në vlerën totale rreth 4.5 milionë lekë.

Në përfundim, KPK ka konkluduar se gjyqtari Ymeri ka kryer deklarim të pasaktë të pasurive dhe burimeve të ligjshme të tyre në deklaratën “veting”; se ka mungesë të burimeve të ligjshme për krijimin e tyre dhe mbulimin e shpenzimeve; si dhe është përpjekur të fshehë ose të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasuritë në posedim ose në përdorim të tij – konkluzione që janë vlerësuar të mjaftueshme për marrjen e masës disiplinore të shkarkimit nga detyra.

Dyshim për favorizime të palëve

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK nuk ka gjetur fillimisht probleme për pastërtinë e figurës së gjyqtarit Ymeri. Pas përditësismit të informacionit, DSIK ka ngritur dyshime se subjekti gjatë periudhës së ushtrimit të detyrës se gjyqtar mund të jetë përfshirë në veprime korruptive, si dhe se ka ushtruar ndikim të paligjshëm në disa procese gjyqësore, duke dhënë vendime favorizuese gjatë gjykimit të çështjeve lidhur me tjetërsimin e pronave publike. Pas këtyre gjetjeve, DSIK ka ndryshuar qëndrim duke konstatuar papërshtatshmëri të subjektit.

Nga hetimi i KPK ka rezultuar se gjyqtari Ymeri ka lidhje shoqërore dhe familjare me avokatin L.K., ndërkohë që ka gjykuar disa çështje gjyqësore, ku njëra nga palët ka qenë babai i avokatit në fjalë. Pas administrimit të dosjeve gjyqësore, gjatë vlerësimit të tyre, Komisioni, përveç elementeve që merren në konsideratë në procedurat e rivlerësimit të figurës, ka konstatuar defekte dhe mangësi që duhet të konsiderohen edhe në rivlerësimin profesional të subjektit. Për këtë arsye, elemente të rivlerësimit janë gërshetuar në rivlerësimin e të dyja kritereve.

Në përfundim të shqyrtimit të pesë dosjeve ku palë ka qenë babai i avokatit L.K., janë konstatuar gabime serioze dhe thelbësore të subjektit, të cilat sipas KPK, reflektojnë dukshëm favorizim të palës në gjykim, pikërisht të shtetasit I.K. Konfliktin e interesit, KPK ka çmuar ta vlerësojë në kuadër të etikës dhe profesionalizmit.

Megjithëse këto gabime janë përfshirë në vlerësimin profesional, Komisioni çmon se ato reflektojnë veprime apo mosveprime, të cilat kanë çuar në favorizimin e njërës palë në mënyrë të përsëritur.

Komisioni vlerëson se konstatimi i DSIK-së për papërshtatshmërinë e Ymerit nuk lidhet me saktësinë dhe vërtetësinë e plotësimit të deklaratës së figurës, pasi nuk rezulton që ai të ketë bërë deklarim të pamjaftueshëm në këtë kriter sipas parashikimeve të legjislacionit të vetingut. “Konstatimi i DSIK-së për papërshtatshmëri të subjektit lidhet me dyshimet për favorizim të palëve në gjykim, që duket se përputhet me rezultatet e hetimit nga analizimi i dosjeve gjyqësore nga Komisioni”, konstaton KPK dhe ka çmuar që këto gjetje ti vlerësojë në tërësi të çështjes.

Edhe në vlerësimin profesional trajtohet gjatë marrdhënia shoqërore dhe familjare e subjektit me avokatin L.K.. Subjekti ka pretenduar se 111 vendime, të cilat kanë marrë formë të prerë dhe ku përfaqësues i palëve ka qenë avokati L.K, nuk mund të konsiderohen nga Komisioni si shkak për marrjen e masës disiplinore ndaj tij, pasi përbëjnë gjë të gjykuar. Në funksion të mbrojtes së tij Ymeri kërkoi të thirren si dëshmitarë një duzinë me avokatë e prokurorë të Rrethit Gjyqësor Shkodër. Ai kërkoi pezullimin e procesit deri në përfundimin e tetë çështje që janë në shqyrtim në gjykatat më të larta, si dhe të thirrej si dëshmitar avokati L.K.. Komisioni i rrëzoi si të panevojshme dhe të pambështetura në ligj e prova kërkesat e Ymerit.

KPK i rrëzoi sit ë pabazuara edhe petendimet e tjera të subjektit për mungesën e konfliktit të interesit. “…Siç ka rezultuar nga hetimi, subjekti ka kryer udhëtime të vazhdueshme me shtetasin L.K, si dhe ka gjykuar çështje gjyqësore me këtë shtetas. Në të gjitha çështjet gjyqësore nga ana e subjektit në asnjërën prej tyre nuk është vendosur rrëzimi i padisë, por ky fakt nuk lidhet me gjendjen e konfliktit të interesit. Përfundimi i çështjeve gjyqësore nuk e përjashton subjektin e rivlerësimit nga detyrimi ligjor, që ka pasur për heqjen dorë gjykimi i këtyre çështjeve”, argumenton trupa e KPK.

Faktin se 111 vendimet ku palët janë përfaqësuar nga avokati L.K. kanë marrë formë të prerë nuk është gjetur si pengesë për të vlerësuar gjendjen e konfliktit të interesit.

KPK rendit rrethanat se ku është bazuar në vlerësimin e kësaj situatë. “Subjekti i rivlerësimit nuk e kundërshtoi faktin që z. K ishte shok shkolle i cili kishte përfaqësuar palët në mbi 100 çështje para subjektit të rivlerësimit. Gjithashtu, subjekti i rivlerësimit nuk i kundërshtoi provat se z. K dhe subjekti i rivlerësimit kishin bërë udhëtime të shumta ndërkufitare në festa dhe raste të tjera, ndonjëherë me anëtarë të familjes të pranishëm. Kur iu kërkuan detaje në lidhje me bisedat e tyre, angazhimin e tyre shoqëror ose detaje bazë për z. K, subjekti i rivlerësimit nuk mundi të jepte pothuajse asnjë informacion, të gjitha në një përpjekje për t’u distancuar nga ky shtetas”, konstaton KPK dhe vlerëson se Ymeri ndodhet në situatën e konfliktit të interesit, për shkak të marrëdhënies së provuar shoqërore dhe familjare me shtetasin L.K.

“Ai pranoi aq sa duhej të pranonte dhe mohoi aq sa mundi – të gjitha në një përpjekje për të errësuar qëllimisht marrëdhënien e tij me shokun e klasës – avokatin – mikun e tij”, vlerëson trupa e Komisionit dhe shton se Ymeri ka pasur ka pasur detyrimin ligjor të heqë dorë nga çështjet, si dhe ka dështuar që me veprimet e tij të shmangë dyshimin për paanësinë e tij, duke mos paraqitur dorëheqjen.

“Në kushtet kur janë evidentuar 122 raste të konfliktit të interesit bazuar edhe në jurisprudencën e Kolegjit me konsideratë rrethanat e çështjes, ky konflikt interesi do të ishte i mjaftueshëm për të afektuar kriterin e vlerësimit profesional të subjektit të rivlerësimit”, citohet në vendim.

Në dosjet e trajtuara në kriterin e figurës janë evidentuar edhe mangësi profesionale, si mungesë e njoftimit të palëve në gjykim; mosrespektim i afateve; si dhe mosargumentim i vendimeve.

Në përfundim, KPK konstaton gabime thelbësore dhe serioze, si dhe ekzistencën e një serie të qartë dhe të vazhdueshme të gjykimeve të gabuara, që tregojnë mungesë të aftësive profesionale, duke e konsideruar Ymerin të papërshtatshëm në kriterin profesional.

Në vlerësimin tërësor të procedurave lidhur me konstatimet në të tre kriteret e rivlerësimit lidhur me cënimin e besimit të publikut, Komisioni vlerëson se rrethanat e evidentuara të analizuara së bashku dhe të para në harmoni me njëra-tjetrën, tregojnë për një sjellje papranueshme të Ymerit në raport me detyrën, “për të pasur besimin e publikut te sistemi i drejtësisë dhe te roli i subjektit, si një funksionar i denjë i këtij sistemi”.

Related posts

Plagosje me thikë në lagjen Rus të Shkodrës…

Arrestohen dy përsona në Shkodër për vepra të ndryshme penale…

Redi Jupi: Në këtë kampionat më shumë do të mbahet mend Egnatia se i pari dhe i dyti. Për të mundur 0-4 Vllazninë duhet të…