Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë të hënë Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste. Mësohet se i pranishëm në këtë mbledhje është dhe deputeti shkodran Agron Çela, i cili pak ditë më parë zgjodhi të bashkohej me PS.
Mbledhja e socialistëve vjen disa orë para nisjes së sesionit të ri parlamentar, pasditen e kësaj të hëne. Në grup po diskutohet për qëndrimet që do të mbajnë deputetët socialistë për çështje të caktuara, që do të diskutohen dhe pritet të votohen.
Një ndër qëllimet e kësaj mbledhje ka qenë pikërisht dhe prezantimi i deputetit shkodran me kolegët socialistë. Ai e mori mandatin më 25 prill 2021 me LSI-në, por në ditët e fundit të dhjetorit vendosi t’i bashkohej PS-së, për shkak të pakënaqësive me qëndrimet e lidershipit të ish-LSI.
Në një reagim për herë të parë për këtë bashkim me PS, Agron Çela shkroi gjerë e gjatë më 13 janar dhe u bëri thirrje mbështetësve të tij dhe qytetarëve të Shkodrës, që në zgjedhjet e 14 majit t’i besojnë me votë Partisë Socialiste. Sipas tij, pas 30 vitesh qeverisje nga e djathta, Shkodra duhet të qeveriset nga PS.
“Ne duhet ti japim shansin PS qe ta drejtoje Bashkinë Shkodër, pas 30 viteve te drejtimit te PD-se, dhe te mos vazhdojmë me ngarkesa emocionale, qe asnjë te mire nuk i kane sjelle Shkodres! Mazhoranca qeverisëse ka përgatitur një pakete investimesh shume te rëndësishme për Shkodrën…”, shkroi ndër të tjera Agron Çela.
Në këtë sesion parlamentar pritet të hapet procedura për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, proces të cilin palët politik nuk e përfunduan në fund të vitit të kaluar. Debate pritet të ketë për një sërë nismash ligjore që kërkojnë votimin dhe miratimin e Kuvendit.
Amnistia Fiskale, Pasaportat e Arta dhe Legalizimi i Kanabisit, janë tre nismat e qeverisë që me gjasa do të miratohen në këtë sesion parlamentar, pavarësisht kritikave të Bashkimit Evropian. Qeveria shqiptare nga ana e saj është shprehur e hapur për përmirësim, por jo për t’u tërhequr.