Shkodër/ Qëllonte me armë zjarri, në ajër, duke terrorizuar banorët e zonës, falë reagimit në kohë të Policisë, kapet dhe vihet në pranga 43-vjeçari.
Në ndihmë të Policisë vendore shkuan edhe 2 grupe të RENEA-s dhe të FNSh Shkodër.
Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, armën e zjarrit kalashnikov dhe municion luftarak.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Bardhaj ishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, bashkë me shërbime të FNSh Shkodër, për të verifikuar rastin.
Nga verifikimet rezultoi se 43-vjeçari B. M. kishte qëlluar me armë zjarri, në ajër, duke terrorizuar banorët.
Në ndihmë të Policisë lokale shkuan dhe dy grupe të RENEA-s.
Si rezultat i kontrolleve në territorin e fshatit, pas disa orësh, u kap shtetasi B. M., 43 vjeç, që kishte qëlluar në ajër, me armë zjarri.
Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi i është gjetur një sasi municioni luftarak, që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me armën e zjarrit automatik që ai e kishte fshehur në pyll sapo ka parë që ishte rrethuar nga shërbimet e Policisë.
Në vijim të veprimeve procedurale, shtetasi B. M., 43 vjeç, banues në fshatin Bardhaj, u arrestua në flagrancë.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.