Shkodra Post
HistoriLajmi i Fundit

“I burgosuri ordiner Xhevdet G., nga Shkodra, me J. Baçe, një ndyrësirë nga Vlora, e me kapter Hodon, e masakruan Zefin dhe pa i dalë shpirti, e mbuluan…”/ Dëshmia rrëqethëse e Ventigjar Hamzaraj…

Nga Ventigjar Hamzaraj 

Memorie.al / Ventigjar Hamzaraj, lindi në Vlorë në vitin 1923, në një familje të njohur për tradita atdhetare. Babai i tij Myqeremi, ka hyrë në historinë e Shqipërisë si atdhetar, luftëtar dhe pjesëmarrës në Luftën e Vlorës në 1920-ën. Ventigjari kreu shkollën e mesme në Metz të Francës dhe shkollën e lartë për Inxhinieri Ndërtimi e vazhdoi në Itali, por nuk e përfundoi dot për shkak të trazirave të Luftës. Si pinjollë i një familje nacionaliste, ai u arrestua pak pas mbarimit të Luftës, për shkak se ishte kundër regjimit komunist të sapoardhur në fuqi dhe në vitin 1946 u dënua me 30 vjet burg, nga të cilat vuajti 10 vjet. Tërë jetën e kaloi në vuajtje e mjerim duke bërë punë të rënda krahu, për të mbajtur familjen. Ventigjar Hamzaraj i cili u nda nga jeta në vitin 1999, është konsideruar si një nga legjendat e gjallë të rezistencës antikomuniste në burgjeve e diktaturës së Enver Hoxhës dhe ai ka lënë shumë dorëshkrime me vlerë historike, kryesisht me ngjarje nga kampet e burgjet politike të atij regjimi.

Kampi ishte i ndërtuar me baraka. Shtylla druri të ngulura në tokë dhe veshje me rrogoza në faqet anësore; ndërsa mbulesa ishte bërë me llamarinat e fuçive të ndryshme të bitumit. Gjatësia e barakave varionte nga 40 m. deri në 60 m. Një rrugicë e ngushtë rreth 80 cm., shërbente për kalim. Në të dy anët e kësaj rrugice, ishin ndërtuar dy kate dysheme në të gjithë gjatësinë e barakës dhe që shërbenin si krevate për të fjetur. Lartësia ndërmjet këtyre dyshemeve, ishte e atillë sa që nuk mund të ngriheshe në këmbë, sepse goditje kokën në dyshemenë e sipërme ose në llamarinat e mbulesës.

Në muajt e asaj vere, ato llamarina nxeheshin aq shumë, sikur të ishin një furrë e vërtetë. Nevojat personale kryheshin mbi një gropë të hapur, prapa një barake. Mbi këtë gropë ishin hedhur disa dërrasa të veçuara, rreth dy metra larg njëra nga tjetra. Duhej një kujdes i madh kur shkoje mbi to, sepse lëkundeshin dhe ishin gjithmonë të lagura nga urina. Sikur të shkisje, bije drejt e në fekale. Ishte një pamje që të kallte krupën.

Fillimisht ndihej një farë turpi kur kryeje nevojat personale hapur, në prani të shumë vetave dhe shumë të burgosur, merrnin me vete ç’të gjenin, ndonjë copë letre ose rrecke, për ta mbajtur para pjesëve intime. Me kalimin e kohës, uria, lodhja deri në palcë, dobësimi fizik ekstrem, rrahjet e policëve, bënë që edhe ky turp, të mos ndihej më. Asgjë nuk të bënte më përshtypje, vuajtja ua ndryshoi natyrën njerëzve. Pak nga pak u krijua një farë bindjeje, se aty na kishin sjellë për të vdekur, kështu që nuk kishte më kuptim të turpëroheshim.

A ndjejnë turp kufomat? Madje, ndodhte që të bëhej muhabet me njëri-tjetrin duke kryer nevojën, ashtu normalisht pa bërë përshtypje. Aty shikoje se si u varej lëkura nga dobësia njerëzve, sidomos atyre në moshë pak a shumë të kaluar, lëkura e tyre ishte më pak elastike, ndërsa tek të rinjtë, ky fenomen nuk ndodhte edhe kur arritën të bëhen kockë e lëkurë.

Policët që bënin roje brenda kampit, ishin të pajisur me shkopinj të trashë e me nyje, në vend të armëve dhe për t’u zbavitur, herë pas here, ndonjë të moshuari që shkonte për në nevojtore, i jepnin disa të goditura. Natyrisht, jo të gjithë policët e praktikonin këtë metodë, kishte që nuk rrihnin, veçse ishin të rrallë, shumica e tyre ishin bisha të egra. Baraka kishte vetëm dy porta të ngushta: një në fillim për të hyrë dhe një tjetër në fund për dalje.

Në të dy anët e daljes së portës, rrinin të fsheh egërsira që godisnin papritmas me shkopinj. T’i shikoje se si zgërdhiheshin, kur rrëzonin përtokë me një goditje në kokë, ndonjë fatkeq. Qeshnin dhe i mburreshin njëri-tjetrit për këto trimërira. Një ndër ata që e ka pësuar më keq, që e kanë rrahur më shumë, ishte Razi Murati nga Qishbardha e Vlorës, të cilin e thërrisnin “Bej”.

Zgjimi bëhej kur fillonte të agonte. Orë nuk lejohej që të kishte njeri, askush nuk duhej të dinte sa ishte ora. Sikur të ndodhte të pyesje ndonjë polic, fillonin telashet: “Pse pyet për orën”? Çfarë ke ndërmend të bësh? Çfarë do të marrësh vesh? etj. Dhe mund ta pësoje keq. Njerëzit filluan të orientoheshin me diellin dhe kishte mjaft veta, që i afroheshin shumë orës së saktë, veçanërisht ata që kishin qenë barinj.

Për një farë kohe në mëngjes na jepnin një lugë uji të ngrohtë, me pak sheqer dhe këtë e quanin çaj. Më vonë na e hoqën me pretekstin se me sheqerin do të bënin hallvë, kur të fillonte Kongresi I-rë i Partisë Komuniste. Meqenëse u hoq dhe ajo lugë uji i ngrohtë, atëherë menjëherë pas zgjimit do të shkoje të viheshe në rresht për dy, në brigadën e punës ku ishe efektiv. Jo të gjithë ishin të shpejtë për t’u çuar e veshur. Për ata që vonoheshin druri ishte gjithmonë në veprim, si nga policët ashtu dhe nga komandantët e kompanive dhe brigadave.

Ishte kategorikisht e ndaluar të shkoje nga një kapanon në tjetrin ose të komunikoje me të burgosur të tjerë, që nuk ishin të skuadrës ose kompanisë në të cilën bëje pjesë. Ky ishte urdhri, por në fakt ishte vështirë për policët ose edhe për spiunët, ta zbatonin sepse duke shkuar në nevojtoren e përbashkët, ose duke shkuar apo ardhur në ditë me shi nga puna, rreshtimi prishej.

Edhe në sheshin në mes të kampit, mund të takonim njëri-tjetrin kalimthi për pak çaste, sa për të shkëmbyer dy fjalë. Skuadrat e punës ishin të përziera me të dënuar politikë dhe ordinerë. Në secilën duhej të kishte një informator të komandës, që përgjithësisht ishte i burgosur për faje ordinere. Rrallë ndodhte që edhe ndonjë i dënuar politik, ndonjë injorant dhe pa karakter, ta kryente këtë punë të ulët.

Në skuadrën ku punoja kishte edhe njerëz të mirë, sikundër ishin Injac Serreqi e Karlo Suma, nga Shkodra, Selaudin Peshkëpia e Nazif Deromemaj nga Vlora, Qamil Sefa nga Lushnja, si dhe ndonjë tjetër që nuk më kujtohet emri, me të cilët mund të bisedoje ndonjë gjë të thjeshtë pa frikë. Komandant i brigadës sonë ishte një i burgosur ordiner nga Shkodra, quhej Xhevdet G. Njeri shumë i keq, për një lugë supë mund të bënte çdo lloj poshtërsie.

Një ditë ky fëlliqësirë goditi një të quajtur Zef (mbiemrin nuk e mbaj mend) dhe meqë ky reagoi, në ndihmë të Xhevdetit, vajti Kapter Hodo Halimi, roja i brigadës Niazi dhe një ndyrësirë nga Vlora i quajtur Baçe J. Të katër filluan ta goditnin me shkopinj, sa i thyen kockat dhe e rrëzuan përtokë.

Pastaj filluan ta mbulonin dheun e gërmuar të kanalit dhe qeshnin. Si duket Zefit nuk i kishte dalë shpirti dhe këta kënaqeshin kur ai përpëlitej dhe lëvizte dheun e hedhur. Ne shikonim nga larg këtë skenë makabre të pashembullt, që kryenin njerëzit e rendit më të përparuar në botë.

Nuk mund të përshkruhet urrejtja jonë kur ndodhnin akte të tilla: për njerëzit që i kryenin dhe sidomos për ata që i urdhëronin Enver Hoxha e Koçi Xoxe; si dhe për bashkëpunëtorët e tyre. Gjatë punës çdo dy ose tri orë na bënin dhjetë minuta pushim, pastaj sillej dreka me kazanë, që ishin të bëra me gjysma fuçish. Kuzhinierët që e sillnin pranë vendit të punës, ishin të burgosur. Gjella ishte gjithmonë supë: me oriz, me makarona ose me fasule.

Në të rrallë na jepnin ndonjë kockë të zierë, se mishin e hanin policët, ata që ishin komandantë si dhe kuzhinierët që ishin të gjithë informatorë të komandës. Kur fillonte të perëndonte dielli, lihej puna dhe na kthenin në kamp. Sa orë punohej? Nuk e morëm vesh kurrë. Ajo zgjaste sa kishte dritë, 10 orë deri 12 orë pune rraskapitëse.

Pas kthimit në kamp, binte bilbili për mbledhje. Komandanti i kampit, një i quajtur Haxhi Pela nga Roskoveci, ishte zgjedhur për këtë punë sepse ishte nga më mizorët dhe nga më injorantët. Kishte një urrejtje (ndoshta urdhër) për intelektualët, sidomos për profesorët. Kur mungonte uji në kamp për supën e darkës, bërtiste: “Profesorët në rresht”.

Të shkretët profesorë çoheshin dhe merrnin bidonët e rëndë metalikë që kishte sjellë dikur U.N.RR.A. me karburante, dhe të shoqëruar me policë të armatosur bënin disa kilometra rrugë për t’i mbushur me ujë në një burim. Më pikonte në zemër kur shikoja mikun e shokun tim të paepur, Bego Gjonzeneli, me trupin e tij të vogël, me bidon në krah pas gjithë asaj pune prej skllavi që kishte bërë në kanal.

Në këto mbledhje të darkës, na lexohej nga gazeta, ndonjë artikull që i pëlqente komandantit. Pas leximit të gazetës, një inxhinier italian i burgosur, i quajtur Ugo Monai, lexonte realizimin ditor: sa metër kub ishin gërmuar nga secila brigadë. I gjithë kampi rrinte i ulur përtokë.

Pas Ugos, komandantët e brigadave, që sikundër e kam thënë, ishin të gjithë, pa përjashtim, informatorë, jepnin emrat e fatkeqve që, sipas tyre, nuk punonin si të tjerët, ose që gjatë punës kishin thënë ndonjë fjalë që komandantëve nuk u kishte pëlqyer. Mjerë ata që u dilte emri për këto gjëra. E fillonte të rrahurit vetë komandanti, e vazhdonin policët roje brenda kampit që thërrisnin edhe spiunët për t’i ndihmuar. Këta tregoheshin edhe më të zellshëm para tyre. Një terror i vërtetë. Çdo ditë, çdo natë, vazhdimisht terror.

Në mes të kampit kishin ngulur dy shtylla druri për të lidhur të burgosurit nga duart dhe nga këmbët, një farë kryqëzimi por me këmbë të hapura. Ky dënim përdorej për ata që ishin raportuar në komandë për biseda politike. Kush dënohej për t’u lidhur në shtylla, e kishte vështirë të shpëtonte gjallë. Në kamp nuk lejohej asnjë takim me familjarët, asnjë ushqim nga jashtë. Asgjë, me përjashtim të duhanit dhe të ndonjë dore kripe, që ishin të lejuar të na jepnin vazhdimisht kuzhinierët.

Kampi ishte i rrethuar me tela me gjemba deri në lartësinë 4 metra dhe mjaft i gjerë e i pleksur. Askush nuk duhej të afrohej pranë rrethimit, afër të cilit në lartësinë 2-3 metra ishin ngulur disa tabela druri të vogla që tregonin se deri tek ato mund të afroheshe. Po të tejkalohej tabela, rojet hapnin zjarr. Mbi lartësinë e telave me gjemba dilnin kullat prej druri ku qëndronin rojet me mitraloza dhe automatikë, gjithmonë gati për të goditur me plumb.

Brenda kampit, po me tela me gjemba, kishin rrethuar një sipërfaqe të vogël, ku ishte vendosur një çadër në mes, për ata të izoluar që dënoheshin pa bukë. Haxhi Pela kishte vendosur dënime të ndryshme: rrahje në çadër, në shtylla ose me vdekje. Si t’ia donte qejfi, ishte vetë zot, vetë shkop. I kishin dhënë ‘kartë të bardhë’, për jetët tona. Ky katil arriti një ditë të na thotë: “Mbase ju doni të vdisni, por ne nuk ju lemë deri sa të mbaroni kanalin, pastaj do t’i qërojmë hesapet me ju mutër, armiq të popullit”.

Mendoni për një çast gjendjen tonë shpirtërore, kur dëgjonim ato fyerje nga këta injorantë të pashpirt e të paskrupull dhe s’kishim mundësi të përgjigjeshim. Si i kishin zgjedhur ato fytyra…?! Njëri më i keq se tjetri. Gati të gjithë vrasës e xhelatë, punë që kryenin me zell e me kënaqësi të madhe. Edhe bishat e egra kur ngopen, nuk sulmojnë më kot, kurse këta kanibalë nuk u ngopën kurrë me gjakun dhe vuajtjet e të burgosurve politikë.

NË BURGUN E VLORËS

Nga fundi i dimrit të vitit 1951, ndodhesha në dhomën e shtruar me pllakë guri që është edhe sot në qoshen e burgut të vjetër në katin përdhes të pjesës jugore. Aty, të vendosur në dy rreshta përballë njëri-tjetrit, ndodheshin me sa më kujtohet, Fatos Kokoshi, Izet Bushi, Ilmi Xhaferi, Pavllo Llazari, Simoli Koka, Gugo Dhrako, Shefqet Gjoleka, Shyqyri Allushi, Bexhet Shehu, Nysret Llupa, Shaqir Meta, Selman Beqiri, (nga Velça) Islam P. dhe ndonjë tjetër që nuk më kujtohet, gjithsej rreth 17-18 veta.

Për të kaluar kohën, luanim herë pas here domino. Zakonisht bëheshim katër veta: Unë, Shyqua, Bexheti dhe Ilmiu. Duke qenë se dyshonim për një informator në dhomë, bisedimet politike në adresë të komunistëve nuk i bënin hapur. Një ditë duke biseduar, druajta se mos thoshim gjëra që mund të raportonte spiuni që dyshonim dhe u thashë shokëve: “Më mirë hajdeni të lozim domino, sepse mund të na shpëtojë ndonjë fjalë dhe na raportojnë”. Ashtu bëmë, e lamë muhabetin dhe filluam lojën.

Pas disa ditësh në një mëngjes të ftohtë janari, më thërret polici në dhomë dhe më shpie te hekurat e portës së madhe. Aty më lidhën duart me hekura dhe dy policë më shpunë në ndërtesën që ishte nga ana tjetër e rrugës (ish-pronë e familjes Xhyheri) që u shërbente si komandë. Më futën në një dhomë ku ndodhej Operativi i Sigurimit për burgun, një nëntoger nga fshati Libofshë i Lushnjes, i quajtur Naun Tiko. Pasi u tha të largohen policët, Nauni m’u drejtua:

– Ti ke thënë: “Hajde lozim domino se mos themi ndonjë fjalë dhe na kallëzojnë”.

– Nuk është e vërtetë, unë nuk kam thënë asgjë.

– Ah, qen bir qeni, unë ty do të të q… nënën po nuk më the për cilin dyshoni.

– Nuk dyshojmë për njeri, të gjithë jemi të dënuar njëlloj, për politikë.

– Ah, armik i poshtër, ti o do më thuash njeriun që dyshoni dhe që ju maskarenj e quani spiun ose unë do ta marr shpirtin. Pa më thënë emrin, ti nuk deli gjallë këtej. Filloi të më shtrëngonte vidën e hekurave me inat. Ndjeja një dhimbje të madhe në kockat e duarve dhe njëkohësisht ndjeva që forcat po më linin, po më binte të fikët. Kur erdha në vete, ndjeva që Nauni po më godiste me shqelma në brinjë.

Ndërkohë i kishte liruar pak hekurat. Më çoi në këmbë dhe rifilloi me pyetjet e para. Donte me çdo kusht të dinte nëse ne ja kishim zbuluar spiunin. Në fakt ne të gjithë ruheshim nga Islami, që herë pas here e thërrisnin në komandë, po unë me që thashë në fillim, se nuk dyshoja për njeri, vendosa të mbaja deri në fund atë qëndrim, më tepër për inat, sepse tek e fundit edhe mund t’i thosha që dyshoja për Islamin.

E ndjeja veten të drobitur, sikundër e ndjen njeriu kur ngrihet nga shtrati pas një sëmundjeje. Nuk e di sa zgjati kjo hetuesi ditën e parë. Më në fund Nauni thirri policët dhe më futën në birucën nën shkallë. Ishte një birucë e vogël, e errët, që mbante era myk. Duart më dhembnin nga hekurat dhe ndjeja shumë të ftohtë.

Kur të burgosurit i nxorën në oborr sipas orarit të zakonshëm, fshehurazi nga polici erdhi një shok i dhomës pranë portës dhe më pyeti përse po më torturonin dhe nëse kisha nevojë për gjë. I thashë shkakun dhe i kërkova ndonjë gazetë të vjetër e një shkrepëse për të bërë pak flakë që të ngrohja duart që kishin filluar të enjteshin nga hekurat dhe të ftohtit. Më suallën mjaft gazeta të vjetra, të cilat fillova t’i ndizja njërën pas tjetrës gjatë gjithë natës.

Minjtë, që kishin shtëpinë e tyre, nuk më linin të qetë duke më kaluar nëpër këmbë e nëpër trup. Ishte diçka e pështirë. Kështu kaloi nata e parë. Në mëngjes kur hapen portat e dhomave të sipërme për të dalë në oborr të burgosurit ordinerë nga përplasja e këmbëve të tyre me nallane druri mbi basamakët e shkallës së vjetër prej dërrasave, shkundej pluhuri dhe bashkë me të binte ndonjë copë shtrat merimange mbi kokë. Memorie.al

Related posts

Shkoder/ Policia rrugore me dore te hekurt, penalizon shume drejtues mjetesh…

Shkëputet masiv dheu në rrugën e Dukagjinit, humb jetën drejtuesi i eskavatorit…

Mbërrin në gjykatën e Shkodrës 32 vjeçarja e cila mbyti foshnjën në lumin Kir…