Shkodra Post
AktualitetSport

Kukësi në krizë, por shpresat e mbijetesës i ka te…

Kukësi është zyrtarisht në krizë. Barazimi ndaj Teutës e dërgoi në gjashtë ndeshje radhazi pa fitore, duke e mbajtur skuadrën sërish në vendin e tetë që të dërgon në “play out”.

Një situatë e pamenduar më herët për verilindorët në këtë fazë të kampionatit kur kanë mbetur edhe pesë javë nga fundi, edhe pse gjatë gjithë këtij sezoni kanë qenë pak a shumë në këto pozita.

Një moment kritik në të cilin blutë prisnin të hidhnin një hap të rëndësishëm drejt qëndrimit në Superiore, por edhe njëherë tjetër tregoi se e ka të vështirë të bëjë kthesën në rezultate.

NDIHMË NGA RIVALËT – Nëse Kukësi sot ndodhet ende në pozitat ku nuk bie direkt nga Superiorja, është edhe për shkak të një ndihme nga rivalët poshtë vetes, siç janë edhe Bylisi me Kastriotin. Të dyja këto skuadra kanë gabuar në ndeshjet e tyre të fundit, duke i mundësuar skuadrës së Hallaçit që për momentin t’i kënaqet vendit të tetë, pasi në të kundërt presioni do të ishte akoma edhe më i madh.

Nga ana tjetër, edhe Erzeni që është futur në këtë “valle” vijon të gabojë, duke i dhënë mundësinë Kukësit që të mbajë gjallë shpresat për të mos pasur nevojën e një ndeshjeje shtesë për të siguruar qëndrimin.

Në të njëjtën kohë, të paktën barazimi me Teutën nuk u dha mundësinë durrsakëve të shkëputeshin nga ekipet e fundit, me kuksianët që kanë shanset e tyre që në pesë ndeshjet e ardhshme të parakalojnë edhe këtë rival. Me pak fjalë, ekipet që luajnë për mbijetesë i kanë bërë një “nder” edhe Kukësit, ndaj edhe barazimi i fundit me Teutën nuk kërkon të bëhet dramë nga ana e klubit, por duan të mbajnë ende lart optimizmin në skuadër në këtë fundkampionati.

KALENDARI – Duket se këtë sezon nuk ka më ndeshje ku je favorit ose jo, pasi të gjitha skuadrat kanë treguar se mund të marrin pikë ndaj kujtdo. Mirëpo, Kukësi, së paku shpreson që të fitojë dy duelet direkte, siç janë me Bylisin dhe Erzenin, dhe më pas të marrin sa të mundin ndaj Partizanit këtë fundjavë, më pas Laçit dhe në fund Egnatias. Nëse llogaritë do t’u dalin në fund, Kukësi do të arrijë të mbijetojë këtë sezon. /panoramasport

Related posts

VIDEO/ Benet Beci intervist në emisionin “Debat” në A2Cnn…

Benet Beci takim me banoret e Shirokes: njerëzit janë gati, na duhet veç me nisë punët që e kthejnë Shkodrën në një qendër projektesh, investimesh, mundësish zhvillimi…

Të shtëna me armë në lagjen Xhabiej në Shkodër…