Shkodra Post
AktualitetLajmi i FunditPolitikë

Fjala e kadidatit Spahia në takimin elektoral në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, i pranishëm lideri historik i PD z. Sali Berisha…

I nderuar prof. Dr Sali Berisha, Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë

Të nderuar deputet

Të dashur bashkëqytetarë

Është një përgjegjësi e madhe, por edhe nder dhe privilegj për mua të jem sot mes jush si Kryetari i Bashkisë së Shkodrës dhe si i zgjedhuri juaj për të marrë sërish besimin e qytetarëve në 14 maj.

1 vit më parë, së bashku ne arritëm një fitore historike, në kushte dhe rrethana të jashtëzakonshme. Ajo e 6 marsit të vitit të kaluar ishte fitore e njerëzve të lirë, që nuk i nënshtrohen presionit, intrigave, ndasive, përçarjes dhe mbajnë ndezur flakën e lirisë!

Ne i dhamë Shqipërisë mesazhin se  çdo gjë është e mundur, kur njerëzit e lirë nuk dorëzohen! Ne nuk u dorëzuam, dhe sot presim me padurim që në zgjedhjet e 14 Majit, flaka jonë e lirisë të përhapet nga Shkodra në Tiranë, në Durrës, në Elbasan, në Korçë dhe në të gjithë Shqipërinë.

Kjo është koha, kur njerëzit vendosin me votë të shkëputen nga një regjim që po u merr frymën dhe po shkel me këmbë të ardhmen e fëmijëve. Është koha që njerëzit të zgjohen dhe të kuptojnë se nuk janë vetëm! Në krah kanë Partinë Demokratike, të vetmen forcë politike që ka çuar përpara vendin sa herë ka qenë në qeverisje!

Bashkë ne do të ndalojmë rrënimin e Shqipërisë, sepse qytetarët janë dhe do të jenë interesi ynë i parë! 

Gjatë këtij viti, kam patur nderin, privilegjin dhe përgjegjësinë t’u shërbej qytetarëve të mi. Ishte një mandat i pazakontë, me mundësi dhe kohë të kufizuar për të bërë gjithçka që duhet, por ishte një kohë e mjaftueshme për të arritur diçka të madhe: Për një vit ne ia kemi dalë të vendosim besimin tek njëri-tjetri se gjërat mund të bëhen kur ka vullnet, dëshirë e pasion.

Kemi premtuar se Bashkia e Shkodrës do të jetë një derë e hapur për të gjithë shkodranët dhe jam krenar që mundëm ta mbajmë këtë premtim!

Bashkia e Shkodrës në shërbim të shkodranëve, pa dallim bindjesh politike është oferta më e mirë për qytetin tonë. Prandaj, jam i vendosur të çoj përpara këtë ofertë që zhvillon Shkodrën dhe nuk e bën atë një vasale të interesave personale të Edi Ramës.

Shkodra nuk është dorëzuar në kohë më të vështira dhe nuk do të dorëzohet e nuk do të gënjehet as tani!

Gjatë këtij viti, ne kemi bërë disa punë të mira dhe kemi shtruar rrugën për transformime të rëndësishme në qytetin tonë.

Në një mandat 1 vjeçar jemi fokusuar në investimet dhe ofrimin e shërbimeve që e orientojnë Shkodrën drejt një qyteti të jetueshëm, funksional dhe të qëndrueshëm nga ana zhvillimore. Në këtë periudhë janë investuar 1.3 milion euro rrugë të brendshme të qytetit dhe rrugë të njësive administrative, dhe ka filluar një tjetër paketë investimesh infrastrukturore, duke qënë se aksesi dhe infrastruktura mbetet elementi kyc i zhvillimit.

 Jemi fokusuar në rritjen e partneritetit të bashkisë Shkodër me secilën nga përfaqësitë diplomatike dhe donatorët në Shqipëri duke shpalosur dhe krijuar mundësitë e bashkëpunimit për projekte të urbanizimit me eficiencë energjitike, ekomobilitetit dhe zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm duke shpalosur vizionin për një të ardhme evropiane ashtu siç e meriton Shkodra.

 Jemi perpjekur te rivendosim lidhjet historike te qytetit Shkodër me qytete historikisht te lidhura me ne sic janë Gjakova, Ulqini, Tetova duke nxitur keshtu bashkepunimin dhe rritur mundesine e shkembimit mes komuniteteve tona.

Rëndësi e veçantë i është dedikuar Turizmit, si aseti kryesor i zhvillimit të një prej qyteteve më të veçanta në rajon, duke u perqendruar në dy drejtime:

•             Zhvillimi i infrastruktures në shërbim të turizmit

•             Zhvillimi i produktit turistik dhe sherbimit ndaj turisteve

Për këtë jane realizuar një sërë rikualifikimesh të hapësirave të gjelbërta në zonat turistike, është rikonceptuar shfrytëzimi i pedonales së Shkodrës duke liruar hapësirat publike.

Eshtë përmirësuar shërbimi i pastrimit dhe ndricimit të qytetit duke dhënë një pamje të re të qytetit dhe rritur tërheqjen për ta vizituar.

Gjithashtu gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar një sërë aktivitetesh të mëdha kulturore, sportive dhe rekreative, të cilat kanë promovuar vlerat e zonës së shkodrës, duke berë që Shkodra të ketë një rritje prej 30% të numrit të vizitorëve e turistëve. 

Një tjetër prioritet i yni ka qënë ajo e mbështetjes së rinisë, si një nga asetet më të rëndësishme të së tashmes dhe të ardhmes së qytetit, përmes rritjes së hapesirave të bashkëpunimit dhe krijimit të mundësive për trajnime dhe formime profesionale në fusha të ndryshme duke mundësuar rritjen e punësimit të tyre në Shqipëri.

Ne kemi nevojë për energjinë, vizionin dhe talentin e rinisë, pasi ato janë e ardhmja e vendit dhe tek unë dhe bashkia Shkodër kanë dhe do të kenë përkrahjen maksimale për të dhënë së bashku më të mirën për qytetin tonë.

Ky është vetëm 1 vit, por ajo që na pret është shumë më shumë sesa kaq. Për 4 vitet e ardhshëm, ne kemi në dorë që me votën tonë ta bëjmë Shkodrën qytetin e mundësive të jashtëzakonshme, qytetin e ndryshimeve të mëdha.

Vizioni ynë për Shkodrën është ai i një qyteti të zhvilluar në disa drejtime, ku mbështetet fort tek potencialet që territori ka, tek traditat dhe vlerat më të mira që na bëjnë padiskutim një prej bashkive më të rëndësishme në Shqipëri dhe rajon.

Ne i kemi përkthyer në mënyrë të përgjegjshme dhe profesionale sfidat për zhvillimin e territorit, duke hartuar programin e zhvillimit te territorit, me 4 drejtime strategjike kyesore:

1.            Shkodra me zhvillim të qëndrueshëm

2.            Shkodra Inovative

3.            Shkodra Turistike

4.            Shkodra me shërbime cilësore

Jemi fokusuar në projektet e ekomobilitetit urban, eficiencës energjitike, zhvillimin e turizmit dhe kulturës, zhvillimin rural dhe përmirësimin e shërbimeve bashkiake duke synuar kështu përmirësimin e cilësisë së jetesës.

Të dashur miq, qëllimi ynë nuk është thjesht fitorja në 14 maj. Unë jam i sigurtë se përpara kemi një rrugë të gjatë dhe të bukur për të bërë së bashku.

Qëllimi ynë është që çdo ndryshim i bërë, çdo reformë, çdo vendim i marre të shërbejë për të krijuar mirëqenie, siguri dhe shpresë  për qytetarët tanë dhe ne do ja dalim.

Edhe pak ditë na ndajnë nga 14 Maji. E di që jeni vendosur që tani përballë presioneve, shantazheve, kërcënimeve të pushtetit! Por e di po aq mirë se shkodranët nuk dorëzohen! Së bashku, do të vazhdojme t’i përbuzim me neveri këto metoda kriminale. Ata kurrë nuk do na mposhtin dhe le ta marrin vesh. E ardhmja është e jona.

 “Bashkë fitojmë” dhe ne e kemi faktuar kur u bëmë bashkë 1 vit më parë dhe fituam. Bashkë ne do të fitojmë në 14 Maj, sepse kjo është rruga e vetme për zhvillimin e Shkodrës!

Së bashku, zëri ynë do të jetë edhe më i fortë, Shkodra do të jetë më mirë, e ardhmja do të jetë më e mirë.

Për Shkodrën nuk ka 2 alternativa! Ka vetëm 1 alternativë! Ajo është fitorja! Bashkë do të fitojmë.

Ju Faleminderit!

Fitore!

Related posts

Njihuni me skuadrën më ‘agresive’ të Superiores

Spahia në rajonin nr. 3: programi ynë është alternativa e duhur dhe e vetmja për Shkodrën…

Kukësi në krizë, por shpresat e mbijetesës i ka te…