Shkodra Post
AktualitetLajmi i FunditPolitikë

43% të shpenzimeve të bashkive nga burimet e veta për paga; Shkodra, Tirana dhe Kamza rekord punësimesh

Rreth 43% e shpenzimeve të bashkive nga burimet e veta shkojnë për paga, dhe sigurime, ndërsa 37% shkojnë për shpenzime operative. Si rrjedhojë për investime kapitale mbetet të përdoret vetëm 20% e fondit nga burimet e vetë bashkive që përfshijnë të ardhurat nga taksat, tarifat e mbledhura nga shërbimet e ofruara.

Totali i shpenzimeve nga burimet e veta për 61 bashkitë e vendit arrijnë në vlerën e 58,3 mld lekëve sipas të dhënave të raportit të Institutit të bashkive. Krahasuar me vitin 2021 shpenzimet janë rritur 12%.

Nga totali i shpenzimeve 46,7 mld lekë janë përdorur për paga, sigurime dhe shpenzimeve operative, ndërsa shpenzimet kapitale arrijnë në vlerën e 11,6 mld lekëve. Në 2022 shpenzimet për paga dhe sigurime u shtuan 5% krahasuar me 2021. Rritje shënuan edhe shpenzimet operative 25%, ndërsa shpenzimet për investime u rritën 7%.

Pavarësisht se tendenca e shpenzimeve është e orientuar më tepër për fonde pagash, sigurime dhe shpenzimeve operative, sërish pushteti vendor në 2022 shpenzoi rreth 46% fonde (duke përfshirë edhe investimet kapitale) nga burimet e veta më tepër sesa arkëtuan nga burimet e tyre. Të ardhurat nga burimet e veta, duke përfshirë kategoritë, si nga taksat, tarifat dhe të ardhurat e tjera vendore për 2022 ishin në vlerën e 31,6 mld lekëve. Krahasuar me vitin paraardhës të ardhurat e arkëtuara u rritën 7%.

Gjatë vitit 2022, sipas sistemit informatik financiar të qeverisë (SIFQ), numri total i punonjësve faktikë për 61 njësitë e qeverisjes vendore rezultoi 36,663 punonjës. Krahasuar me vitin 2021, evidentohet një rritje me 1,859 punonjës më shumë.

35 nga 61 bashki të marra në analizë në raportin e Institutit të Bashkive, kanë shtuar numrin e punonjësve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku spikasin veçanërisht bashkia Shkodër (+427 punonjës), bashkia Tiranë (+389 punonjës), bashkia Kamëz (+190 punonjës) dhe bashkia Memaliaj (+132 punonjës).

Nga ana tjetër, vërehen bashki që kanë një trend në zbritje të numrit të punonjësve, ku veçohen bashkia Vorë (-33 punonjës), bashkia Roskovec (-13 punonjës) dhe bashkia Mallakastër (-10 punonjës). /D.Azo

Related posts

Vllaznia kthehet te fitoret, pikë qetësie në transfertë ndaj Skënderbeut të mbetur me 10 lojtarë…

Shkoder/ Policia rrugore me dore te hekurt, penalizon shume drejtues mjetesh…

Amnistia Në Burgje, Mbi 600 Përfitues, Kategoritë Që Do Të Lënë Qelitë…