Gazetari i kronikës Spartak Koka në emision FactCheck në MCN TV ka komentuar lidhur me ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë ku një sasi tritoli iu vendos automjetit të Benard Ndrecës ku fatmirësisht shpëtoi pa lëndime.
Lidhur me këtë, Koka tha se për sa kohë nuk ka një pistë tjetër, aktualisht mbetet ajo në kuadër të arsyes politike pasi Benard Ndreca është drejtues i fushatës së kandidatit të rithemelimit Zef Hila në Vaun e Dejës.
Sipas tij, në kontekstin kur Ndreca nuk ka ndonjë precedent tjetër penal apo konflikte të tjera, atentati për shkaqe politike mbetet pista kryesore.
Është përdorur kjo metodë shpërthimi e eksplozivit edhe më herët sidomos me makinat, ku gjatë fushatës zgjedhore Shkodra mbahet për të tilla mesazhe apo eliminime të tilla me eksploziv. Në këtë rast fatmirësisht shpëtoi Ndreca, por për mendimin tim është e papranueshme dhe e turpshme dhe si mund ta relativizosh duke thënë se është për paralajmërim, sepse për mendimin tim kjo është shënjestër e pastër për ta eliminuar. Çdo atentat me eksploziv që dështon për arsye rrethanore dhe në rast se shënjestra shpëtoi ne i trajtojmë se janë paralajmëruese dhe jo për ta eliminuar ne bëjmë një gabim të madh duke i relativizuar ngjarjet. Kjo ngjarje është një shënjestër e pastër dhe e qartë për ta eliminuar Ndrecën dhe në rast se policia nuk e zbardh, nuk vë përpara drejtësisë autorët kjo ngjarje do frikësojë votuesit dhe kandidatët e qarkut.
Në vijim ai u shpreh se Ndreca dhe të gjithë ata që jetojnë në Vaun e Dejës e dinë se si policia në atë zonë është e implikuar me politikën dhe shpesh herë është akuzuar dhe nga segmentet e kësaj qeverie e lidhur me grupet kriminale.
Ajo që më bën përshtypje është se si ka mundësi që në një ngjarje kaq sensitive policia mjaftohet vetëm me një deklaratë dhe me informacionet e dhëna e bën këtë deklaratë të pavërtetë dhe të pasaktë duke dhënë gjysmë të vërteta. Ne prisnim që drejtori i policisë së Shkodrës, drejtuesit e policisë së shtetit të dilnin në një deklaratë dhe të na thonin se cfarë është zbuluar deri tani, sepse s’kemi sot asnjë përgjigje. Në një shoqëri demokratike ku ne duam të shkojmë, ngjarje të tilla trajtohen me informacionin e bollshëm të qytetarit që ndihmon ata qytetarë që do votojmë të zbulojnë se çfarë ka ndodhur me kandidatin e tyre që është dhe më i favorizuari për ta fituar bashkinë në Vaun e Dejës.
I pyetur nëse mendon se kjo do të jetë ngjarja e fundit apo do pasojë të tjera deri në14 maj, Koka tha se ngjarja e Shkodrës solli një të papritur të madhe për politikën dhe institucionet ligjzbatuese.
Të gjitha informacionet dhe të partive garuese dhe institucionet ligjzbatuese flisnin për një fushatë të qetë që s’do agravonte në veprime kriminale. Ngjarja e Shkodrës na solli një të papritur të madhe për politikën dhe institucionet ligjzbatuese dhe duhet thënë se është sërish e turpshme që të shpërndash në media informacione që Ndreca e paska bërë vetë këtë atentat. Më gjeni një person që i vendos vetes së tij një eksploziv që shpërthen në këtë lloj mënyrë vetëm për ta inskenuar. Kjo është jashtë çdo logjike njerëzore. Nuk duhet të luhet me jetën e njerëzve dhe të mos tentojnë të relativizojnë ngjarje të tilla.