Lushnja mundi 2-1 Dinamon në shtëpi dhe mori një trepikësh të çmuar në luftën për të mbijetuar në Kategorinë e Parë.
Protagonist absolut u bë sulmuesi Mikel Canka, i cili kishte dy javë që mungonte. Me t’u rikuperuar, ai u kthye në fushë dhe la shenjë kundër bluve me një dygolësh që “sfumoi” edhe historinë e penalltisë së goditur dy herë…
Edhe pse mund të mos ketë bërë sezonin e tij më të mirë, 36-vjeçari golat e tij i ka bërë duke ndihmuar shumë skuadrën. Aktualisht ai ka shkuar në kuotën e 10 golave, dy më pak se Hoze Denison i Dinamos dhe Abdul Temitope i Skënderbeut.
Sulmuesi lushnjar u gëzohet pikëve që skuadra mori, të cilat i quan jetike. Verdhejeshilët thuajse kanë shmangur rënien direkte dy javë para përfundimit të kampionatit, por asgjë s’ka përfunduar sa i përket fazës “play out”.
Aktualisht janë +3 nga Burreli dhe +5 nga Turbina, dy rivalë të cilët këtë javë përplasen me njëri-tjetrin. Këtë e përmend edhe vetë kapiteni Canka, në një deklaratë të dhënë enkas për “Panorama Sport”. Ai flet edhe për rastin e 11-metërshit, duke mos e quajtur dramë.
“Kishim kohë që përgatiteshim për Dinamon. U përgatitëm për fitore dhe ia dolëm. Fituam një ndeshje shumë të rëndësishme. Besimi në radhët e ekipit është shtuar tashmë. Edhe entuziazmi po ashtu. Kemi ende punë për të bërë deri në fund.
Kemi edhe dy javë të vështira. Duhet të bëjmë më të mirën dhe ta harrojmë të kaluarën. Atë që nuk kemi bërë mirë. Dy golat e mi vlejnë për ekipin. Për sa i përket penalltisë, ai që godet edhe i humbet.
Tashmë me Orikumin kemi një ndeshje shumë të fortë dhe duhet të përqendrohemi. Duhet një impenjim maksimal për këtë përballje kaq të rëndësishme. Akoma nuk kemi shpëtuar dhe në këtë përballje të dy ekipet i duan pikët më shumë se kurrë”, ka thënë dje sulmuesi Canka. /panoramasport