Abissnet Superiore do të rikthehet sërish në fundjavë për të zhviluar ndeshjet e javës së 31-të të saj, teksa në mesjavë Vllaznia, Egnatia, Tirana dhe Teuta zhvilluan mes tyre edhe gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë.
Në këtë fundjavë do të luhen sfida mjaft interesante, teksa është zbuluar edhe axhenda e javës së 31-të. Më konkretisht të pesta ndeshjet e kësaj jave do të luhet të shtunën dhe të dielën.
Të shtunën do të luhen përballjet mes Bylis dhe Laçit në “Adush Muça”. Kjo sfidë mes tyre do të startojë në orën 15:00.
Ballshiotët duan pikët për mbijetesën, ndërsa krubinasit për europën. Në orën 18:00 do të jetë radha e Erzenit që pret në “Niko Dovana” skuadrën e Partizanit. Shijakasit luftojnë për mbijetesën, ndërsa demat për titullin kampion.
Ndërkohë të dielën do të luhen 3 takimet e tjera. Fillimisht do të zbresë në fushën e lojës Tirana ku në “Elbasan Arena” pret Kastriotin, ora 15:00. Bardheblutë janë favoritë në letër, por krutanët janë më të motivuar se kurrë për të siguruar një tjetër 3 pikësh për mbijetesës.
Në po të njëjtën orë do të luhet edhe dueli i mbijetesës mes Kukësit dhe Teutës në “Kukës Arena”. Si verilindorët ashtu edhe durrsakët synojnë 3 pikët për t’iu larguar sa më shumë zonës së ftohtë.
Gjithçka do të mbyllet me duelin e “Loro Boriçit”. Vllaznia dhe Egnatia do të përballen pas 3 ditësh sërish mes tyre, këtë herë në kampionat. Vetëm një pikë kanë rrogozhinasit më shumë se shkodranët dhe dueli mes tyre është direkt për vendin e tretë.
E shtunë:
15:00/ Bylis – Laçi
18:00/ Erzeni – Partizani
E dielë:
15:00/ Tirana – Kastrioti
15:00/ Kukësi – Teuta
18:00/ Vllaznia – Egnatia