Ka hedhur dy hapa të sigurtë drejt titullit të parë kampion në histori dhe për këtë lezhjanët e Beselidhjes kanë nisur përgatitjet e festës.
Dy fitoret e para ndaj Tiranës janë siguria që basketbollistët e Beselidhjes të shkojnë në ndeshjen e tretë më të sigurtë për marrjen e titullit.
Burime nga klubi lezhjanë kanë bërë të ditur se tashmë po bëhen përgatitjet e fundit për ndeshjen e tretë që do të zhvillohet ditën e mërkurë në orën 19:30 në Pallatin e Sportit ‘Asllan Rusi’ në Tiranë me synimin e vetëm për të mbyllur llogaritë me Tiranën dhe për të nisur festën për titullin kampion.
Drejt Tiranës do të nisen edhe disa autobuzë me tifozë, të cilët tashmë janë siguruar nga klubi lezhjanë, në mënyrë që sëbashku të festojnë menjëherë pas ndeshjet së tretë.
Po sipas drejtuesve të klubit, ekipi është në momentin e tij më të mirë dhe këtë e kanë treguar edhe dy ndeshjet e para të fituara nga lezhjanët, dhe se nuk do të ketë asnjë hap të gabuar edhe në ndeshjen e radhës.
Beselidhja Basket do të bëjë histori jo vetëm për Lezhën por edhe për vetë sportin e basketbollit, pasi do të bëhet ekipi i parë që shpallet kampion menjëherë pas ngjitjes në Superligë, duke u renditur e para në kampionat, por edhe duke fituar të gjitha ndeshjet e fazës play off.