Shkodra Post
AktualitetKronikaLajmi i Fundit

Si nisi konflikti i përgjakshëm mes klanit “Duka” dhe Ervis Martinajt…

Leonard Duka, një nga njerëzit më të kërkuar nga Policia shqiptare, u arrestua të martën në Belgjikë. Ai njihet si drejtuesi klanit “Duka”. I konsideruar si armiku më i ashpër i Ervis Martinajt, i zhdukur prej 9 gushtit 2022, Duka ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje.

Të gjithë e dinin në Dubai, vend ku kanë gjetur strehë shumë të kërkuar të tjerë. Por Leonard Duka u prangos në një provicë të Brukselit, nga ku edhe pritet të ekstradohet. Operacioni për arrestimin e tij u zhvillua pas informacioneve të skuadrës policore “Fast Albanai”, që kishin zbuluar se Duka fshihej në një banesë private.

Në bashkëpunim me Interpolin dhe homologët belgë, u arrit arrestimi i tij. Leonard Duka aktualisht po gjykohet për vrasjen e ish-policit Santiago Malko, një nga njerëzit më të besuar të Ervis Martinajt.

Malko u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019, në një sulm të organizuar nga 9 persona. Vrasja e tij erdhi pas dy tentativave të dështuara për të ekzekutuar Ervis Martinajn.

Por kush është Leonard Duka dhe si nisi konflikti i përgjakshëm mes klanit që mban mbiemrin e tij dhe Ervis Martinajt?

20 MARS 2017

Erlis Duka së bashku me vëllain e tij Leonard Duka plagosin 34-vjeçarin Eduard Duka. Ai ndodhej në trotuarin para një lokali në zonën e Kinostudios, kur u qëllua me armë. Dëshmitarët thanë se Eduard Duka u qëllua me pistoletë nga një person që lëvizte me motor dhe kishte skafandër në kokë.

Drejtuesi i motoçikletës ka qenë dikush tjetër, po ashtu me skafandër në kokë. Më pas të dy u larguan në drejtim të Freskut. Atentati erdhi një muaj pas një konflikti fizik që i plagosuri, bashkë me të vëllain, Rigert Duka kishin pasur me dy vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka. Pavarësisht mbiemrit të njëjtë-ata nuk kanë lidhje gjaku me njëri-tjetrin.

27 QERSHOR 2018

Në një lokal në Kinostudio, plagosen dy vëllezër, Rivelino dhe Juxhin Mumajesi. Banorët e zonës raportuan mbi 15 të shtëna armësh, që vinin nga një lokal bastesh në brendësi të lagjes. Përveç dy vëllezërve 36 e 24 vjeç, aty u plagos edhe shtetasi Ibrahim Durollari, 28 vjeç.

Policia në atë kohë shoqëroi 23 persona. Ndërsa në media u lakua emir i Santiago Malkos, si personi që qëlloi me armë. Madje u publikua edhe një video ku shfaqeshin dy persona duke qëlluar ndaj vëllezërve dhe mikut të tyre.

Në video shihet nisja e konfliktit jashtë ambienteve të lokalit të basteve. I shtrirë përtokë shihet Rivelino Mumajesi, i mbuluar me gjak, ndërsa në fund të shkallëve ndodhet Santiago Malko me pistoletë në dorë. Njëri nga personat që qëllon është Santiago Malko, ndërsa personi që e shoqëron është Erigers Mihasi, i cili po ashtu është ekzekutuar në një tjetër atentat.

Ngjarja e asaj kohe u dyshua për prishje pazaresh. Ndërsa pas saj dolën në skenë edhe vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka, pasi ata njiheshin për miqësinë me të plagosurit. Në materialet e dosjes hetimore në lidhje me këtë ngjarje, thuhet se është e provuar se shtetasi Santiago Malko ka marrë pjesë në plagosje.

Po ashtu, në dosje thuhet se Malko ka rrahur edhe Erlis Dukën, në një lokal në zonën e ish-Bllokut. Për të dy këto ngjarje, direktivat janë dhënë nga Ervis Martinaj. Ashtu siç u përfol edhe për një ngjarje tjetër, për të cilën nuk pati kurrë asnjë kallëzim.

Thuhej se me urdhër të Ervis Martinajt, Santiago Malko kishte marrë peng për disa orë dhe ka dhunuar babain e vëllezërve Duka. E mesa duket fakti që nuk ishte denoncuar, tregonte se gjithçka do të zgjidhej privatisht.

Emri i Santiago Malkos del edhe në dosjen e ngjarjes së 4 tetorit 2018, në zonën e ish-Bllokut, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha dhe u plagos Ervis Martinaj e Eljon Hato. Megjithatë, edhe pse është provuar se Malko ishte prezent në atë ngjarje, nuk ka rezultuar të ketë qenë i përfshirë. Pas këtyre ngjarjeve, nisën përgatitjet për të sulmuar Ervis Martinajn.

 8 PRILL 2019

Policia njofton se kishte goditur një grup të strukturuar kriminal në fushën e trafikut të drogës. Në operacionin e kryer nga Antidroga dhe oficerë të Krimeve Kundër Jetës, u arrestuan 4 persona, njëri i konsideruar si drejtuesi.

Ata ishin Leonard Duka, i dyshuar si drejtuesi, Oltian Loga, Dritan Agaj dhe Elvis Gaçaj, i konsideruar person me rrezikshmëri të lartë. Këta persona po mbaheshin në vëzhgim prej kohësh nga oficerët e Antidrogës, por Policia është detyruar të ndërhyjë para përfundimit të hetimeve.

Shak për përshpejtimin e aksionit u bë një informacion që u zbulua gjatë hetimeve. Personat në fjalë, po përgatiteshin të kryenin një vrasje. Në atë kohë Policia nuk dha më shumë informacion, por më vonë pati të dhëna se po organizohej vrasja e Ervis Martinajt.

Gjatë aksionit policia sekuestroi armë, municion, drogë dhe një makinë të blinduar. Megjithatë pak kohë më vonë të gjithë personat e arrestuar u lanë të lirë nga Gjykata e Apelit, në rrethana ende të paqarta. Përveç Elvis Gaçajt, për të cilin Gjykata vendosi masën “arrest shtëpie”.

MAJ – QERSHOR 2019

Disa muaj më parë, Gjykata e Tiranës dënoi tre persona që informonin klanin “Duka” për lëvizjet e Ervis Martinajt. Këta persona, mes tyre dhe një grua, u dënuar me nga 2 vite burgim, për akuzën “Sigurim i kushteve për të kryer vrasje”. Vendimi i gjykatës së Tiranës, erdhi në kohën kur nuk dihet asgjë për fatin e biznesmenit, Ervis Martinaj, i raportuar si i zhdukur në Policinë e Laçit, prej datës 9 gusht 2022. Sipas vendimit të Gjykatës, rezulton e provuar se Martinaj është tentuar të vritej nga klani “Duka” në dy raste.

PJESË NGA DOSJA

Nga aktet e ndodhura në fashikullin e prokurorit rezulton se: Dejvison Serjani është i fejuar me shtetasen Nensi Shaqiri. Ajo punonte në një agjenci udhëtimesh në rrugën ‘Myslym Shyri’ ku shiste bileta udhëtimesh, paketa turistike, akomodime në hotele jashtë vendit etj.

Shtetasi Dejvison Serjani ka kushëri të parë shtetasin Daut Elmazi (djalë daje). Gjithashtu ka rezultuar se shtetasi Ardjan Ahmeti dhe shtetasi Daut Elmazi njihen dhe janë kushërinj. Rezultuar që të tre të pandehurit kanë njohje me njëri-tjetrin kryesisht njohje e siguruar nëpermjet shtetasit Daut Elmazi si kontakt i përbashkët.

Nga deklarimet e Nensi Shaqirit, ka rezultuar se, nëpërmjet Daut Elmazit, ajo dhe i fejuari i saj Dejvisoni, kanë krijuar kontakte me Leonard Dukën dhe Fatmir Hysenin. Këta dy shtetas kanë pasur në plan eliminimin fizik të shtetasit Ervis Martinaj dhe për organizimin e vrasjes u është dashur informacion prej të pandehurve lidhur me lëvizjet e tij jashtë vendit.

Nensi Shaqiri ka pranuar se në këmbim të informacioneve do të përfitonin shpërblim në para. Rezulton se në dy raste është dhënë informacion lidhur me planet e udhëtimit të Ervis Martinaj. Nje herë informacioni i është përcjellë shtetasit Fatmir Hyseni, për një futurim të Martinajt me itinerar Prishtinë-Stamboll-Dubai.

Ndërsa herën tjetër informacioni i është përcjellë Leonard Dukës, për një fluturim me itimerar Athinë-Stamboll-Valencia). Sipas deklarimeve të Nensi Shaqirit, Leonard Duka i ka paguar asaj dhe Dejvison Serjanit shumën prej 30 mijë euro.

Nga ana tjetër në dosje shpjegohet edhe roli i Ardjan Ahmetit. Ai ka punuar si specialist IT në Drejtorinë e Policisë Durrës si dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në periudhën 2015-2019.

Sipas deklarimeve të tij, rezulton se Daut Elmazi e ka lidhur me Fatmir Hysenin. Dauti i ka kërkuar Ardjanit që të prezantohet tek Fatmir Hyseni si punonjës policie dhe t’i thotë që ai po siguron informacione lidhur me lëvizjet jashtë territorit te Shqipërisë të Ervis Martinaj.

I ka premtuar edhe shpërblim në para për këtë shërbim. Ardjani është takuar me Fatimir Hyseni dhe i ka komunikuar porosinë e Dautit.

Nga takimi që ka pasur me Fatmir Hysenin, Ardjan Ahmeti ka marrë një telefon celular “Enkro”. Ndërsa Dauti i ka thënë se informacionet lidhur me lëvizjet e Ervis Martinaj po siguroheshin prej Nensi Shaqirit dhe Dejvison Serjanit.

Nga transkriptet e përgjimeve telefonike datë 15 qershor 2019 rezultojnë edhe konfirimet e deklarimeve të shtetasve Dejvison Serjani, Nensi Shaqiri dhe Ardjan Ahmeti.

Në kuadër të këtij procedimi, është kërkuar ndihmë nëpërmjet letërporosive nga ana e autoriteteve Turke për të konfirmuar fluturimet dhe akomodimin për shtetasit Ervis Martinaj, Leonard Duka, Erlis Duka, Fatmir Hyseni, Igli Memaj, Gentjan Dautaj (Zoto).

Nga kthim-përgjigjet e administruara në fashikull rezulton se këta shtetas kanë udhëtuar në të njëjtat data respektive kur supozohet që të realizohej atentati që po planifikohej. Edhe akomodimi i tyre rezulton në të njëjtin vend. Megjithatë për shkak të moskoordinimit siç duhej, Ervis Martinaj i shpëtoi atentatit të organizuar.

27 GUSHT 2019

Ekzektutohet brenda makinës së tij, në një atentat të organizuar në rrugën “Xhanfize Keko”, Santiago Malko. Duke qenë se dështuan në vrasjen e Ervis Martinajt, klani “Duka” organizoi atentatit ku mbeti i vrarë njeriu u besuar i tij.

Blendi Teta, personi i arrestuar për moskallëzim krimi, ka treguar se ka qenë duke darkuar në bodrumin e një lokali, në zonën e Freskut, në afërsi të teleferikut. Lokal është në pronësi të vëllezërve Leonard dhe Elris Duka.

Atë ditë kanë qëndruar në bodrumin e këtij lokali, ku ndodhet një ambient që shërben si zyrë. Sipas dëshmisë së Blendi Tetës, i vetmi i dënuar për ngjarjen deri tani, rreth orës 20:00, Leonardi dhe Erlisi kanë thënë: “Çohuni çuna se kemi punë.”

Kanë dalë të gjithë bashkë dhe kanë hipur në dy makina. E para “Golf 5”, ngjyrë gri dhe e dyta, “Skoda”, që u gjet e fshehur në një parkim pranë drejtorisë së ish-pyjores në rrugën “Dalip Topi”.

Në vendin e parë të Skodës, është ulur Blendi Teta. Makina ka lëvizur nga Fresku të IKV, te Komisariati i Qarkullimit Rrugor, ka dalë në rrugën “Myslym Keta” dhe më pas ka marrë drejtimin te Komisariati nr.4.

Aty ka mbërritur edhe Golfi. Në pak minuta, makinat kanë ecur në drejtim të kryqëzimit të Alliasit, më pas kanë vazhduar lëvizjen në rrugën ngjitur me murin e shkollës së Bashkuar në drejtim të Oxhakut. Aty janë kthyer djathtas në rrugën Kongresi i Manastirit në drejtim të SHISH.

Lëvizjet e automjeteve janë fokusuar në pjesën më të madhe nga kamerat e sigurisë së bizneseve të ndryshme. Kur “Skoda” ndodhej tek spitali nr.5, njëri nga personat në makinë, i ka kërkuar shoferit të ndryshojë drejtimin e lëvizjes, duke i thënë: “ktheje se ka parkuar te kazanët”.

Në rrugën “Xhanfize Keko”, ata kanë parë makinën “BMW X5”.

Më pas, Blendi Teta thotë se është larguar drejt shtëpisë pasi ka kuptuar se dicka e keqe do ndodhte. Dinamika e ngjarjes është zbardhur përmes kamerave të sigurisë. Më 27 janar, në Gjykatën e Posaçme u shfaqën për herë të parë pamjet filmike të kamerave të sigurisë që kanë fiksuar vrasjen e Santjago Malkos.

Ngjarja është fiksuar nga kamera e një lavazhi ne zonën e Porcelanit, ku duket makina e atentatorëve. Nga pamjet që u shfaqën në seancën gjyqësore, duket që autorët fillimisht i kanë bërë shenjë me drita Malkos për të ndaluar.

Në momentin që ai ndalon ata e qëllojnë me breshëri kallashnikovi nga brenda makinës. Më pas makina “BMW X5”, ku ishte Sanjago Malko lëviz për disa sekonda dhe përplaset me kazanën e mbeturinave.

Për vrasjen e Santiago Malkos  është dënuar me 25 vite burg  Blendi Teta, i pari që u arrestua për ngjarjen dhe u gjykua në një proces më vete si bashkëpunëtor në vrasje. Sipas dosjes hetimore, ekzekutor dyshohet të jetë Fatmir Hyseni nga Vlora, i shpallur në kërkim.

Ndërkohë që akuzohen si organizatorë vëllezërit e klanit Duka, Leonard dhe Erlis Duka, për të cilët ka nisur gjykimi në mungesë. Santiago Malko dyshohet se u ekzekutua nga grupi rival i Ervis Martinaj, për shkak të lidhjeve të afërta me këtë të fundit. Nga përfundimi i hetimeve ka dalë se shkaku i vrasjes së tij ishte rivaliteti në biznesin e paligjshëm të lotove sportive.

NIS SEKUESTRIMI I PASURIVE TË ERVIS MARTINAJT

Policia e shtetit dhe SPAK nisën të mërkurën operacionin për sekuestrimin e pasurive të Ervis Martinajt. Vendimi është dhënë nga Gjykata e Posaçme me kërkesë të prokurorëve që po zhvillojnë hetime në lidhje me dosjen “Plumbi i Artë”.

Në sekuestro janë vendosur 34 pasuri në emër të Martinajt dhe familjarëve të tij. Bëhet fjalë për disa shoqëri tregëtare, sipërfaqe toke, apartamente, autmojete dhe llogari bankate. Martinaj është shpallur në kërkim prej muajit maj të vitit të kaluar si një nga personat e akuzuar nga SPAK.

Emri tij doli nga dëshmia e Nuredin Dumanit që pranoi të bashkëpunojë me prokurorinë për zbardhjen e disa ngjarjeve kriminale. Dumani ka treguar për hetuesit se Martinaj i ka ofruar 500 mijë euro për të vrarë Endrit Doklën, por atenati dështoi. Edhe pse Martinaj ishte në kërkim ndërkombëtar prej muajit maj, tre muaj më vonë familjarët kallëzuan në Polici se kishin humbur kontaktet dhe dyshonin se mund ta kishin eleminuar grupet e tjera rivale.

“Në Shqipëri deri tani ka qenë një histori që lë për të dëshiruar, për mua një asgjë madhe, dhe shumë sekuestrohen dhe asgjë nuk I shkon shteti, Ata sekuestrohen dhe ato prapë lirohen. Ervis Marinaj ka bërë parë edhe në kohën kur lojërat e fati ishin të lejuara dhe ato kur nuk janë lejuar. Vis Martinaj ishte futur në botën e krimit, si njëri që i merret pak rrëmujshme gjërat. Në si shoqëri jemi me fat, që krimi vritet me njëri tjetrin. Sikur krimi do kishte gjetur gjuhën me njëri tjetrit, do ishim shumë më keq situata kriminale në Shqipëri. Llogaritet rreth 1 mln euro xhiro ditore në të gjithë Shqipërinë”, tha gazetari Ferdinand Dervishi.

Pas arrestimit të Leonard Dukës në Belgjikë, tashmë në kërkim vijon të jetë vëllai i tij Erlisi dhe 3 persona të tjerë. Ndonëse ka akuzë zyrtare vetëm për vrasjen e Santiago Malkos, emri i Leonard Dukës ka qenë i pari që përflitej pas eleminimeve të njëpasnjëshme të njerëzve të Ervis Martinajt.

Së fundmi, emri i tij u lakua edhe pas zhdukjes së Martinajt. Edhe pse pritshmëritë janë të ulëta, grupi hetimor po e pret me interes dëshminë e Leonard Dukës, në momentin që ai do të ekstradohet në vendin tonë. Do flasë apo jo mbetet po ashtu mister, njësoj si fati i Ervis Martinajt/abcnews.al

Related posts

FOTO/ Makina ku u gjetën tre kallashët e pistoleta, u vodh dy javë më parë në Shkodër. Gjenden gjurmë gishti e fije floku…

Aksident i rëndë në Lezhë, makina përplas për vdekje 40-vjeçar…

Zv/trajneri i Tiranës: Jemi mësuar me trofe, Egnatia ka treguar se është ekip me batuta