Shkodra Post
HistoriKulturë

Kiti Shabanaj: Juristja e administratës publike pas ‘Hijab Throne’ dhe podcastit ‘Nga t’ia Nisim’…

Nga Elisa Karaj

E veshur thjeshtë me hixhabin e zi mbi kokë nga ‘Hijab Throne’ biznesi i saj online, Kiti Shabanaj atë mëngjes tregoji disa detaje rreth vetes të pathëna më parë. Teksa Tirana nuk ishte zgjuar komplet, Kiti kishte mundur të falte namazin e mëngjesit e më pas të më bashkangjitej në këtë bisedë tonën.

Fëmijëria nën jodin e detit Jon

E bija e dallgëve të Jonit ,u lind në Vlorë aty ku kaloi fëmijërinë të cilën e kujton me nostalgji dhe e cilëson si një ndër fazat më të bukura. Më e vogla e familjes jetoi çdo moment të fëmijërisë me të vëllain një vit më të madh. Së bashku si një dyshe e pandashme rriteshin nën jodin dhe freskinë e Rivierës Shqiptare. Pa teknologji, por me shumë lojëra, qeshjet e saj dhe të fëmijëve të tjerë kumbonin në cepat e lagjes së saj, ndërsa vetë Kiti ishte gjithmonë aktive edhe në ndihmën ndaj familjes dhe bizneseve të tyre.

Kur erdhi koha për të zgjedhur të ardhmen, Kiti nuk bëri listën që të tjerët bëjnë.Në mundësinë e 10 degëve ajo hodhi vetëm një. “O drejtësinë, o asnjë”. Studimet e larguan nga Vlora ,por asnjëherë nga zemra. E vendosur dhe e bindur në atë që donte, ajo vijoi studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, ku përfundoi edhe masterin shkencor në të drejtën civile, një tjetër master në Business Laë, si dhe Shkollën e Avokatisë, duke marrë licencën si avokate.

Një moment krenarie:Vjosa Park Kombëtar

Kiti ka dashur gjithmonë të qëndrojë larg syve të publikut, duke mos bërë dalje të shumta publike.Madje në ato pak dalje të sajat i janë referuar vetëm si ‘punonjësja e Kryeministrisë’.

E sakaq ajo numëron suksese të shumta psh., Le të kthehemi në rastin e shpalljes së lumit Vjosa Park Kombëtar. Rast për të cilin loboi edhe aktori i mirënjohur Leonardo DiCaprio, i cili nëpërmjet rrjeteve sociale kërkonte që Vjosa të shpallej Park Kombëtar. Pikërisht në këtë kohë, Kiti ishte përfaqësuese ligjore e Ministrisë së Mjedisit, për pranimin e shpalljes si Park Kombëtar. Vendim që mund të shpëtonte një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë, nga ndërtimi i hidrocentraleve. Teksa u pyet për ndjesitë e këtij rasti,Kiti tregon:

“U shpall Park Kombëtar e fituam, të lutem”- duke qeshur me krenari.

Një ndër të parat me hixhab në institutcione shtetërore

Aktualisht juriste në administratën publike, në rolin e koordinatores në Drejtorinë e Koordinimit Teknik, Kiti tregon sesi u përball me një kalvar opinionesh kur mori hapin e mbulimit.

Një vendim që fillesën e pati që kur ishte vetëm 19 vjeç, në 2011. Diskutimet e mikeshave të saj myslimane e tërhiqnin atë drejt një bote shpirtërore që ajo nuk kishte eksloruar më parë. Karakteri i saj tejet kurioz e prezantoi, Kitin me një literaturë të pafundme islame.Teksa shfletonte qindra faqe në botime fetare, ajo mund të gjente përgjigjje për çdo pyetje që në kokën e saj kishte një pse.

Kiti e pati të thjeshtë adaptimin dhe krejt natyral mbulimin, pasi ajo gjente veten tek praktikat fetare ,pjesë të personalitetit të saj prej kohësh.

Reagimi i familjarëve nuk qe aq i mirë, pasi për ta ishte diçka e re gjithashtu.

“Ose do ta heqësh, ose nuk vjen më në Vlorë” i drejtohet e ëma pas komunikimit të këtij vendimi.

Asnjë nuk mund t’ia ndryshonte mendimin, përsa kohë pranë saj qëndronte dhe e mbështeste partneri i saj.Aq i mjaftonte të ecte në rrugëtimin që kishte ndërtuar.

Në këtë rrugëtim ishte tejet e vetdijshme se do mund të haste edhe persona që nuk do ishin në të njëjtin mendim me bindjet e saja.

Në fakultet, asgjë nuk ndryshoi, madje ajo kujton me respekt shumë nga petagogët që e ndihmuan në çdo moment. Duke theksuar me bindje që shamia ia zbukuroi marrdhënien me mësimdhënësit e saj shton se,disa prej tyre i ka edhe miq.

Në një kohë kur i ishte futur ‘aplikimeve me kokë’, Kiti mundi të caktonte një intervistë në një institucion publik ,jo në shërbimin civil. Ajo zotëronte të gjithë kriteret për tu kualifikuar dhe punësuar. Por në një kohë kur vajzat me shami, gjykoheshin për atë që mbajnë mbi kokë dhe jo atë që kanë në kokë,Kiti u refuzua. Justifikimi që ajo ishte e para me shami, dhe nuk mund të merrej në këtë pozicion ,vetëm nëse edhe dikush tjetër me shami do punësohej,e shtynë atë të punonte edhe më fortë.

Kërkuese ndaj vetes dhe duke besuar gjithmonë në aftësitë e saja, ajo vendosi të aplikojë tek praktikat e punës që hapeshin për studentët pa eksperiencë të mëparshme. Aty ishte dhe hapi i saj i parë drejt institucionit shtetëror.Si një ndër të parat me shami, rrugëtimi i saj vazhdon prej vitesh tashmë.

‘Nga t’ia Nisim’ dhe ‘Hijab Throne’

Së fundmi mund ta keni parë Kitin në një fushë komplet ndryshe, në podcastin e saj. ‘Nga t’ia Nisim’ është konceptuar dhe themeluar nga vetë Kiti. Një iniciativë për ti dhënë zë dhe hapsirë vajzave dhe grave ,por jo vetëm.

“Personazhet i zgjedh nga profesioneve të ndryshme, për të sjellur histori të padëgjuara më parë të vajzave dhe grave me hixhab”-shton ajo.

Podcasti ka nisur të publikohet me 14 Mars me një personazh çdo muaj.Pas ecurisë së podcastit, Kiti mundi të  shpeshtonte edhe kohën e publikimit.Deri më tani ajo i ka realizuar dhe financuar vetë episodet, përveç dy prej tyre që janë mbështetur nga sponsorë. Si dhe po përpiqet të sigurojë bashkëpunime të reja. Me 9 personazhe të publikuar dhe shumë të tjerë në vijim,Kiti premton të sjellë histori dhe shembuj sa më frymëzues në kanalin e saj të YouTube-it.

Shoqëria nuk heziton të kritikojë, dhe komentet kanë vërshuar edhe në postimet e saj në rrjetet sociale, komente që ajo shpesh i përdor për të forcuar pikëpamjet e saj apo për t’u përballur me kritikat.

33-vjeçarja,nënë e një djali 12 vjeç tregon teksa qesh se është vërtet shumë e zënë me punë edhe kur është pushim nga shteti. Por pavarësisht angazhimeve, si çdo nënë me zemër, përpiqet me dashuri t’i mësojë djalit të saj dijet dhe vlerat e duhura për jetën.

Një shpirt i lirë që i pëlqen e bukura ,dhe stili mundi të themelojë një biznes online.Me aftësitë menaxhuese të fituara nga biznesi i familjes së saj,ajo krijoi Hijab Throne.Një brand i dedikuar të gjithë vajzave dhe grave me shami.

Në një kohë kur paragjykimet shpesh flasin para njohjes, historia e Kiti Shabanaj vjen si një dëshmi e fortë, se vlerat dhe profesionalizmi gjithmonë ‘rrezatojnë’ sidomos kur ndërthuren me identitetin personal dhe besimin shpirtëror. Mes ligjit, mbulimit dhe sipërmarrjes, ajo dëshmon se një grua mund të jetë gjithçka që zgjedh vetë të jetë  pa u përshtatur me pritshmëritë e të tjerëve, por duke qëndruar besnike ndaj bindjeve të veta. Dhe rruga e saj sapo ka nisur…

Related posts

Si ju duket nusja? Motra e Luizit flet për herë të parë për Kiarën, zbulon raportin mes tyre…

Prezantohet ne biblioten “Marin Barleti” romani “Kohë dashurish të harruara”, i autorit Ardian Cerga…

Rregullorja e parë e biçikletave në Shqipëri e përpiluar nga prefekti i Korçës, shkodrani Hil Mosi në vitin 1926…