Shkodra Post
AktualitetHistoriLajmi i Fundit

Shkodra kryeqytet, një përpjekje e elitës intelektuale shkodrane…

…e kam dà t’ju zhvilloj se çka do t’jèt Shkodra: çka do t’jèt e jo çka kà me kênё, pse as jam as s’due tё jem profetё. Shkodra, o zotёnì, do t’jèt kryeqyteti i Shqipnìs! jo vetem kryeqyteti moral, por edhè kryeqyteti fizik i Shqipnìs. Âsht faret punё e kotё qi une kёtû t’ju parashtroj provёt e argumentat qi i japin Shkodres ket tё drejtё posё qytetevet tё tjera.

Dom Lazër Shantoja

Ka qenë një ëndërr e popullit shkodran por edhe përpjekje e elitës intelektuale shkodrane, e argumentuar strategjikisht dhe logjikisht që Shkodra të ishte kryeqytet i Shqipërisë. At Gjergj Fishta, e ka hedhur dhe e ka mbrojtur me këmbëngulje e me argumentet më të përkryera e më të pakundërshtueshme atëherë dhe përherë idenë për Shkodrën kryeqytet. Përveç pozitës së privilegjuar, Fishta shihte tek Shkodra qytetin e ndodhur në Veriun e vendit, me pasuritë më të mëdha e më të pashtershme tokësore dhe mbitokësore. Ai shihte tek Shkodra bastionin shqiptar dhe qytetërues kundruall fqinjëve veriorë antishqiptarë dhe antiqytetërues, shihte urën për tek e ardhmja, shihte urën për tek Perëndimi.

Janë disa artikuj tek “Hylli i dritës” që e argumentojnë pse ky qytet e meriton të jetë kreu i vendit. Patrioti Nasuf Dizdari, drejtor i gazetës “Shpresa kombëtare”, që botohej në Shkodër (1923-1924), mes shumë artikujsh tjerë që shqetësonin vendin, me frymë patriotike, shkruan edhe kërkesen që Shkodra të bëhej kryeqytet. Jo vetëm shkodranët por edhe intektualët e tjerë jo shkodranë, si Mustafa Kruja, (Merlika), apo edhe të huajt e kishin mendimin që Shkodra mund të jetë kryeqytet.

Shqetësimi u rrit në fillimin e v. 1914, me caktimin e Princ Vilhem von Wiedit në fronin mbretëror të Shqipërisë dhe përcaktimi i vendit ku duhej të drejtonte. Shqetësim u bë edhe i të huajve. Qeveria britanike nepërmjet ambasadorit të vet në Berlin, Gosche, shprehi mendimin se Shkodra do ishte vendi më i përshtatshëm për vendqëndrimin e qeverisë mbretërore. Këtë mendim jepte edhe sekretari i jashtëm britanik Edward Grey, po kështu edhe Mbreti i Italisë. Kurse kundër kësaj ideje ishin austriakët dhe italianët. Kjo konkurrencë e mëtejshme “e nëndheshme” mes Austrisë dhe Italisë, duhet shpjeguar: Austria kishte thelbin e interesave të saja në Shkodër, ndërsa Italia lakmonte gjithnjë të kishte Vlorën, pra, në qoftë se përlesheshin në favor të njërit qytet apo tjetrit, ishte vetëm për të mos e pasur kryeqytetin afër selisë së interesave të tyre, gjë që do ta bënte më të vështirë veprimin e tyre.

Me datën 5 ose 6 mars 1914, në një shesh të Shkodrës, mbi 30.000 qytetarë shkodranë, përfaqësues të Malësisë, të Mirditës, të Dukagjinit dhe të një pjese të Kosovës si dhe të fushës së Shkodrës, mbajten një miting ku u kërkua që Shkodra të bëhej kryeqytet, duke argumentuar, disa pika kryesore, midis të cilave:

1.Se Shkodra si qytet me famë, ishte qëndra e mbretërve dhe luftëtarëve të vjetër të popullit shqiptar, sepse ishte qyteti më i fortë, më i madh, më i bukur, dhe më i shëndetshëm i Shqipërisë së sotme të cunguar

2.Qyteti i Shkodrës ishte i vetmi, që zotëronte gjithë ndërtesat për të vendosur mbretin, institucionet shtetërore, ushtrinë kombëtare etj.

3.Sepse Shkodra e bashkuar me malet e Malësisë, Mirditës, Dukagjinit, një pjesë e Kosovës dhe vise të tjera dallohet edhe përsa i përket shpirtit luftarak dhe trimërisë

4.Nga pikëpamja strategjike, Shkodra ishte qyteti më i fortë i Shqipërisë. Shembull ishte rrethimi i 1912-1913, ku qyteti rezistoi më gjatë se kushdo tjetër.

Thirrja mbante firmat e gjithë anëtarëve të komitetit organizator: Jakob Serreqi-arqipeshkëv, Primo Doçi-Kryeabat i Mirditës, Adem Efendiu-Myfti i Shkodrës, Xhemal Efendiu-kadiu i Shkodrës, Muharrem Bej Gjylbegu-Kryetar i Bashkisë Shkodër, Luigj Bumçi-peshkop i Kallmetit, Bajram Bej Curri, Nikollë Ivanaj, Ibrahim Gjyrezi, Kolë Guga, Rifat Bej Kopliku, Luigj Muzhani, Agostin Shiroka, Maliq bej Bushati, Risto Siliqi, etj.

Princ Wiedi nuk e pranoi që Shkodra të bëhej kryeqytet, me arsyetimin se qyteti ndodhej afër Malit të Zi, një zonë mjaft e trazuar. Megjithatë ëndrra e intelektualëve shkodrane nuk u shua duke punuar për këtë dëshirë të mirëargumentuar.Vendosja në mënyrë të përkohshme e Tiranës si kryeqytet, në Kongresin e Lushnjës (janar 1920) nuk i shuajti shpresat.

Në Parlamentin e parë shqiptar 1921-1923, më 5 tetor të 1922, u bë një diskutim ku deputetët Bektash Cakrani, Halit Rroji, Hil Mosi, Luigj Gurakuqi, Kol Thaçi, Maliq Bushati, Ndre Mjeda, Nikolla Ivanaj, Patuk Saraçi, Qemal Vrioni, Shuk Gurakuqi, Spiro Popa, Xhemal Bushati, kërkojnë proklamimin e Shkodrës si kryeqytet provizor. Spiro Popa arrin të argumentojë edhe atë që Tirana nuk kryen detyrat për kryeqytet. Stavro Vinjao dhe Bahri Omari mendojnë se pasi nuk ka një ligjë që Tirana është kryeqytet atëherë nuk ka pengesë për shpërngulje në Shkodër. Problemi nuk gjeti një zgjidhje për arsye se sipas arsytimit të disa deputetëve të tjerë, kjo çështje nuk ishte shtruar në projektligj.

Grupimi “Ora e maleve”, në një nga pikat e programit të kandidatëve të saj në zgjedhjet për Kuvendin Kushtetues, si parti opozitare, kishte vënë që Shkodra të bëhej kryeqytet. Pas dështimit të Qeverisë Nolit dhe kur bëhet shpallja zyrtare e Tiranës kryeqytet me statusin e Republikës Shqiptare, në janar të 1925, varrosen përfundimisht shpresat shkodrane. /Nga Zenepe DIBRA, publikuar në rrjetin social Facebook/

Related posts

Trajneri i Kastriotit beson te mbijetesa: Ia dalim hap pas hapi, radhën e ka…

Skandali me trajnerin që godet volejbollisten, Federata Shqiptare e Volejbollit merr vendimin drastik

Vrasja e biznesmenit/ Llabani zbulon: Para një jave Ardian Nikulaj u konfliktua fizikisht me kryebashkiakun Ndreu…