Dinamo ka arritur objektivin kryesor duke u ngjitur në Abissnet Superiore për sezonin e ardhshëm.
Mbrojtësi Eni Imami ka treguar për emisionin “Ora Sport“ në “Ora TV“ ndjesitë e para për këtë sukses dhe bisedën që pati me presidentin e klubit.
Imami u shpreh se objektivi i parë që i kishte premtuar presidentit u përmbush, ndërsa tashmë mbetet synimi i radhës, ai i mbërritjes në kupat e Europës.
Por nuk ka munguar as batuta nga prezantuesi i emisionit, Altin Sulçe, që i kujton lojtarit sezonin e kaluar, kur Dinamo pretendonte titullin kampion dhe në fund ra nga kategoria.
Kthimi në Superligë – “Jemi shumë të gëzuar, sepse ka qenë një vit vërtetë shumë i vështirë. Kjo kategori na surprizoi disi, ne të paktën që kishim disa vite që nuk e provonim. Vinim nga Superiorja dhe këtë kategori e mendonim ndryshe. E mendonim disi më të lehtë, por na ka surprizuar me ekipe si Skënderbeu, Korabi Flamurtari”.
E ardhmja – “Unë sot pas ndeshjes kam takuar presidentin, pasi na ftoi për një darkë te prona e vetë, dhe i thashë: ‘Këtë vit ta mbajta premtimin që do të ngjisja në Superiore, vitin tjetër ne do të jemi në Europë”.
Ndërkohë moderatori Altin Sulçe i ka kujtuar premtimet e sezonit të shkuar. “Vitin tjetër në Europë? Kështu thatë edhe vjet, Dinamo kampion…”, ka qenë batuta e gazetarit të njohur, që shkaktoi hilaritet në studio.