Nelson Hysa është një ndër boksierët më të mirë në Shqipëri, 21 herë kampion i vendit, i treti në Europë dhe disa herë kampion Ballkani.
Në një intervistë në “Sport Magazine” me gazetarin Altin Sulçe, Hysa rrëfeu rreth karrierës së tij.
Nelson Hysa: Që në rini i kam kushtuar rëndësi edukimit tim që në një të ardhme të kem mundësi të kontribuoj me aq aftësi sa kemi. Përveç këtyre aftësive kemi shtuar dhe aftësitë pedagogjike që na shërbejnë ne dhe në të ardhmen brezave të tjerë të boksierëve.
Hysa thotë se nuk ka pasur ndonjëherë probleme sa i përket përdorimit të forcës. “Fatmirësisht kemi pasur probleme vetëm brenda ringut dhe vetëm aty nuk ka kompromis”, tha ai.
Nelson Hysa: Kam pasur shumë medalje, janë mund e djersë. Herën e parë kur u shpalla kampion e kujtoj me nostalgji, me thënë të drejtën dhe nuk e kujtoj shumë nga emocionet. Isha 15 vjeç kur dola kampion Shqipërie. Kam qenë besimi i trajnerit tim Zef Gjoni që më bëri të hyj në atë aktivitet. Ishte këmbëngulja e tij që tha se duhet të konkurrosh se s’bën me të rriturit.
Në ndeshjet e tij përballë ka pasur kundërshtarë të fortë.
Nelson Hysa: Në Shqipëri kemi pasur kundërshtar shumë të fortë, në botë edhe më të fortë, në Europë në sportet individuale sporti të ngre lartë ose të ul aty.
Ai thotë se nuk ka pasur fat në shortet që janë hedhur. Pavarësisht kësaj ai shprehet se nuk është supersticioz por beson në Zot.
Nelson Hysa: Nuk jam supersticioz por besoj në Zot. Nuk jam supersticioz, kam forcën e besimit. Por kemi të gjithë ndonjë huq. Unë gjithmonë veshi dorezën e djathtë para. Dorezën e djathtë e veshi të parën dhe këpucën e djathtë e veshi të parën.
Ju jeni te pesha super e rëndë por pse i pëlqejnë njerëzit më shumë?
Nelson Hysa: Në këtë kategori janë noca out-et më të forta, boksierët më të fortë më të përgatitur, trupat më të bukur dhe duelet më të forta dhe të ashpra. Njerëzit duan të shohin duele e noca out-e. Boksierët e peshës super të rëndë në gjithë botën e vjedhin vëmendjen.
Çdo gjë e ka fituar falë përkushtimit…
Nelson Hysa: Unë bëj tre herë në ditë stërvitje. Tani kam gjetur balancat që ndoshta jo më kanë munguar por është pjekuria sportive dhe e shumë gjërave. Kam gjet qetësinë psikologjike në sport. Nuk ndodh asnjëherë që të lë stërvitjen, dikur e kam lënë. Këtu vjen dhe pjekuria sportive.