Ilirjan Skacaj 26 vjeçar është arrestuar pasi po tentonte të fuste nga Kosova dy pistoleta në Shqipëri.
Policia raporton se të riut nga Shkodra iu gjetën gjithashtu fishekë dhe fara kanabisi
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i intensifikimit të kontrolleve me përzgjedhje, për shkak të fluksit të qytetarëve në hyrje/dalje, me qëllim parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme dhe krimeve të tjera kufitare, shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Transcendence”, si rezultat i të cilit u parandalua dhe u godit një tjetër rast i tentativës për të trafikuar armë zjarri, nga Kosova, drejt Shqipërisë.
Në kuadër të këtij operacioni, është kapur në flagrancë dhe është arrestuar nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Kukës, shtetasi I. S., 26 vjeç, banues në Shkodër.
Gjatë kontrollit në vijë të dytë, në hyrje të RSh-së, 26-vjeçarit i janë gjetur me vete dhe në çantë, 2 armë zjarri pistoleta, të cilat dyshohet se do të trafikoheshin në vendin tonë.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, është koordinuar me Policinë e Shkodrës, ku është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit I. S., në Shkodër, ku janë gjetur një tjetër armë zjarri pistoletë, fishekë luftarak, një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, 400 fara të dyshuara të kësaj bime dhe 2 targa automjeti, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 2 pisoletat që iu gjetën shtetasit I. S., në PKK Morinë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale ?Trafikimi i narkotikëve?, ?Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit? dhe ?Prodhimi dhe shitja e narkotikëve?.