Shkodra Post
AktualitetSport

Trajneri i Kastriotit “qan” mungesat, por shpreson te një rezultat pozitiv ndaj Vllaznisë

Kastrioti pret Vllazninë të shtunën në orën 14:00 në stadiumin “Elbasan Arena”, aty ku prej disa javësh luan si pritës pas dënimit që mori nga FSHF-ja, ku u mësua se forcat e rendit nuk marrin përsipër ndeshjet në Kamzë.

Megjithatë, krutanët po bëjnë gjithçka për të provuar shanset e mbijetesës, derisa matematika t’i lejojë.

Kur mbeten për t’u zhvilluar edhe pesë ndeshje, armiku më i madh për Kastriotin janë mungesat e shumta që skuadra do të vuajë sërish ndaj Vllaznisë për shkak kartonësh dhe dëmtimesh. Kapiteni Abaz Karakaçi, si dhe mbrojtësit Eneid Kodra dhe Adolf Selmani, janë të pezulluar, ndërsa një hall tjetër është shtuar së fundmi, pasi sulmuesi i krahut, Redon Mihana, është dëmtuar dhe e ka të pamundur të jetë i gatshëm të shtunën.

Ai mungoi edhe kundër Tiranës për shkak kartonësh, ndërkohë që lajm i mirë është rikthimi i Bedri Grecës dhe Armando Ramit.

Trajneri Emiljano Çela dhe ndihmësit e tij po punojnë me seriozitetin maksimal, duke mbajtur të karikuar lojtarët, për të shpresuar deri në fund te mbijetesa.

Në një prononcim të dhënë enkas për “Panorama Sport”, trajneri Çela pranoi se mungesat janë një telash më shumë në këto javë të mbetura. Megjithatë, sipas tij, do të gjendet një zgjidhje brenda grupit që Kastrioti të rikthehet te fitorja ndaj shkodranëve.

“Prej ditësh po përgatitemi për ndeshjen me Vllazninë dhe ashtu siç dihet, grupi nuk do të jetë i plotë. Vetëm Zoti e di se si do bëjmë me kaq shumë mungesa. Përveç lojtarëve me kartonë, na është dëmtuar edhe Mihana, kështu që shkojmë në këtë takim me një kontingjent të cunguar.

Edhe një herë do të mundohemi të bëjmë shpikjen e radhës ndaj Vllaznisë, ashtu siç bëmë me Tiranën, ku ndryshuam mënyrën e të luajturit. Disa futbollistë luajtën jashtë rolit të tyre natyral, duke qenë se kishim shumë mungesa. Shpresoj te një rezultat pozitiv me Vllazninë”, deklaroi numri një i pankinës.

Related posts

Spahia: Në Berdicë ku mbështetja për fitoren e 14 Majit është maksimale nga banorët e kësaj njësie…

Java e 31 e Superiores luhet në dy ditë, duele direkte për mbijetesën dhe Europën

Ekzekutohet me armë zjarri biznesmeni i njohur në Shëngjin, kandidat për deputet nga Partia e Tom Doshit…