Mehdi Çoba shënoi golin e parë të sfidës ndaj Kastriotit, por për fat të keq nuk shërbeu për t’i dhënë tri pikët skuadrës së Vllaznisë. Në një prononcim për “Panorama Sport” pas ndeshjes, 23- vjeçari nuk e fsheh zhgënjimin për dy pikët e lëna, por mendon se edhe kartoni i kuq pati ndikimin e vet.
“Ishte një ndeshje e mirë nga ana jonë dhe personalisht jam i kënaqur me golin, por me rezultatin në këtë sfidë nuk patëm fat. Normalisht edhe kartoni i kuq ndikoi shumë, pasi kishim përgatitur skemat tona, por në tërësi e menaxhuam mirë lojën, edhe pse ai goli në fund të bën të ndihesh keq”, u shpreh fillimisht autori i dy golave këtë sezon me Vllazninë.
EGNATIA – Çoba shpreson te kalimi në finale të Kupës, ku do të bëjnë maksimumin për të kaluar Egnatian në gjysmëfinale. Gjithsesi, ai ende nuk i humb shpresat sa i përket Europës edhe nga kampionati, për aq kohë sa matematika ua lejon.
“Fokusi ynë tani është te ndeshja e radhës me Egnatian në Kupë dhe shpresoj të bëjmë maksimumin. Shpresoj të shënoj sërish, por ajo që ka më shumë rëndësi është kualifikimi në finale dhe shpresojmë të arrijmë. Sa i përket Europës do ta tentojmë atë edhe nga kampionati, për aq koha sa matematika na e lejon këtë”, deklaroi ai. /panoramasport