Një mbrojtës brazilian akuzon për racizëm në futbollin shqiptar, më saktësisht në Kategorinë e Dytë. Quhet Paulo Vitor dhe është 27 vjeç, teksa luan këtë sezon me Butrintin e Sarandës. Për herë të parë në futbollin shqiptar ka ardhur dy vite më parë si pjesë e Gramozit të Ersekës.
Së fundmi, pas ndeshjes që Butrinti luajti në transfertë me Devollin, ku humbi me rezultatin e thellë 6-1, Vitori ka hedhur akuza të forta për vendimet që ka marrë në atë takim arbitrja Emanuela Rusta.
Mbrojtësi u ndëshkua me karton të kuq pas dy të verdhëve në pjesën e dytë.
“Dua të di se për çfarë arsye kjo gjyqtare ka vendosur të më ndëshkojë mua. Lojtari i Devollit më ka quajtur majmun në sytë e saj dhe ajo nuk i ka tërhequr as vëmendje atij, por më ka përjashtuar mua nga loja.
Thjesht doja respekt, sepse edhe në ndeshjen e parë, i njëjti lojtar më ka quajtur zezak, majmun dhe më tregonte që të shkoja e të haja banane. Edhe ata gjyqtarë në ndeshjen e parë nuk morën asnjë masë. Fatkeqësisht ky është futbolli shqiptar”, shkruante i indinjuar në rrjetet sociale, mbrojtësi i skuadrës sarandjote. /panoramasport