Nga Elisa Karaj
Ëndrrat ,shpesh rrethana të vështria na detyrojnë t’i mbyllim diku thellë në zemër. Në një shoqëri ku shpesh paragjykimet peshojnë më shumë se aftësitë, Malvina ka mbajtur gjallë një ëndërr prej vitesh,të bëhet deputetja e parë me hixhab në vendin tonë.
E kualifikuar dhe një lektore me një profil që flet vetë për aftësitë e saja ajo është përballur me një formë të heshtur represioni. Jo për shkak të kompetencës profesionale, por për shkak të një simboli personal, shamisë që mban në kokë, një shenjë përkushtimi ndaj besimit të saj.
“Të punosh mbi 10 vite për këtë dëshirë dhe të të anashkalohet ky aplikim, sepse mbaj hixhab duke më vënë kusht: Nëse e heq mund të pranohesh në pozicionin që do”Kjo është diçka që nuk mund të bëj kompromis me besimin tim.”-rrëfen ajo.
Rrënjët dhe hapat e parë drejt pedagogjisë
E lindur në qytetin e Peshkopisë ,në një familje të madhe me 6 fëmijë, Malvina e kujton me dashuri praninë e gjyshërve. “Ajka e lumturisë time ka qenë prania e tyre deri në moshën 7 vjeç.” thotë ajo teksa krahason fëmijërinë e saj me atë që u ofron realiteti fëmijëve të saj në ditët e sotme.
Pikërisht kjo ndjeshmëri e hershme ndaj kujdesit dhe edukimit,e shtyu drejt mësimdhënies,të cilën ajo e quan “oksigjen” i saj. Falë mbështetjes së prindërve të saj, ajo sfidoi pritshmëritë konservatore të komunitetit dhe rrethit familjar në veri ,duke ndjekur studimet e larta në Tiranë.
“Isha e para në fis që u regjistrova në universitet. Babai u paragjykua shumë nga rrethi familjar që më la të vija vetëm në Tiranë.Ka qenë sprovë e vështirë emocionale për ne”-shton ajo.
Dashuria për mësimdhënien ishte një vijim i rrugëtimit që kishte nisur tashmë në shkollën e mesme profesionale, në Dibër ku mori edhe titullin mësuese.
Me rezultate ekselente që në arsimin parauniversitar ,Malvina u orientua nga shteti drejt një rruge akademike, duke nisur studimet e larta në Universitetin e Tiranës në vitin 2005. Përgjatë pesë viteve të studimit në degën Gjuhë-Letërsi ajo spikati për përkushtimin, e duke vijuar më pas një master në gjuhësi, edhe pse dëshira e saj e vërtetë ishte një master profesional në mësuesi.
Pas përfundimit të ciklit të dytë të studimeve, Malvina vijoi edhe studimet pasuniversitare në shkollën doktorale, përgjatë viteve 2011-2018 me disa shkëputje.
Paralelisht me studimet, ajo ka qenë aktive si pedagoge në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Ku vijon të japë mësim edhe sot. Si dhe në Universitetin e Tiranës, ku u mëson studentëve ndërkombëtar gjuhën e bukur shqipe. Gjithshtu aktualisht ajo punon,në fondacionin e bamirësisë ‘Islamic Relief Albania’.
Eksperienca e saj akademike përfshin edhe bashkëpunime me institutcione të tjera si Universiteti Europian , si dhe mësimdhënie në arsimin parauniversitar në shkolla publike dhe jo publike.
Hapat drejt mbulimit
Në shoqërinë shqiptare zgjedhja personale e një gruaje për të mbajtur hixhab mund të kthehet në barrierë edhe pse ligjërisht nuk duhet në një shtet që lobon për tolerancën fetare.
Familja e Malvinës është e afërt me fenë por nuk është praktikante në përditshmëri, dhe në fillim ideja e mbulimit nuk u mirëprit me entuziasëm. Madje në momentin e martesës, si ajo ashtu edhe bashkëshorti , një teolog i formuar jashtë vendit dhe i ndikuar nga një mendësi më e hapur ,u përballën me një kërkesë specifike nga prindërit e saj . “Bëni çfarë duhet në rregullat e fesë, por shmangni mbulimin .”
Sakaq për zysh Malvinën vendimi për tu mbuluar erdhi natyrshëm në fundin e vitit 2016.
Malvina zëri i rrallë i një pedagogeje me hixhab në universitetet shqiptare
Në atë kohë kthimi i saj në audiotore si petagoge e mbuluar nuk ishte i lehtë. “Një vit nuk pata guxim të shkoja në fakultet, pranon ajo duke kujtuar frikën nga përballja me studentët që e kishin njohur më parë. “Kisha krijuar një imazh publik pa shami.Tani isha një figurë e re edhe për ta”-tregon ajo.
Shqipëria ka shumë pak gra me hixhab që ligjërojnë në universitete dhe kjo mungesë modelesh që lektojnë ishte një tjetër trysni e brendshme që e frikësonte atë. Por me besimin në vete ajo mundi të vazhdonte edhe rrugëtimin profesional por edhe atë të besimit.
Kur bindja fetare ndeshet me autoritetin
Paragjykimi për gratë me shami në vendin e punës ndonjëherë nuk ndodh me fjalë të drejtëpërdrejta. Një episod i tillë u bë i njohur për Malvinën në një institutcion parauniversitar me karakter fetar ku ajo lektonte. Ku një nga koleget e saj,u ndalua nga drejtoresha për të kryer faljen e namazit në ambientet e institucionit gjatë orarit të pushimit. “Nuk është ora për tu falur” ishin fjalët e saj ,duke i hequr sexhden nga vendi ku ishte shtruar, edhe pse koha ishte e përshtatshme dhe një moment pushimi për të gjithë stafin dhe nxënësit.
“Kolegia ime nuk tha asgjë.E di që vendi i punës dhe rroga për të është jetike,prandaj heshti,”shton Malvina. Për veten ajo tregon se ajo ka mësuar të vendosë kufij të qartë dhe të mbajë qëndrim. Duke thesuar se idetë dhe veprimtaritë e saj janë aq të gjera,duke i dhënë asaj hapësirë të punojë edhe në sektorë dhe vende të tjera.
Nënë,dhe besimtare –një ditë e zakonshme e zysh Malvinës
38-vjeçarja nënë e 4 fëmijëve, jeton me bindjen se nënat janë heroinat e heshtura të çdo shoqërie.Për të statusi i nënës nuk është thjeshtë një rol por edhe mision që vite më parë i dukej gati-gati e pamundur .
Krahas të qenit një nënë,ajo gjithmonë nuk harron të jetë një bijë shumë e kujdesshme. Çdo fundjavë kthehet të vizitojë prindërit që aktualisht jetojnë në Durrës.Nga një familje me 6 fëmijë, vetëm Malvina jeton në Shqipëri. Kështu që ajo mundohet të mbushë boshllëkun familjar të krijuar nga emigrimi.
Për Malvinën dhe bashkëshortin e saj edukimi nuk kufizohet vetëm brenda 4 mureve të universitetit dhe familjes.Për dy vite me rradhë ato mbajtën, një zyrë me qera ku organizonin cikle leksionesh mbi vlerat familjare dhe zhvillimin shpirtëror.Me përkushtim dhe pa pagesë, u ofronin grave shtëpiake një hapësirë për tu mësuar,argëtuar dhe ndarë përvoja.
Dy herë në javë nga vullnetarë të fushave të ndryshme,gratë gjenin mbështeje dhe hapësirë.Ndërkohë kjo nismë është mbyllur prej disa muajsh tashmë,shkak mungesa e vullnetarëve të gatshëm për ta vazhduar.
Krahas gjithë këtyre Malvina po shkruan disa libra: ‘Si të shërojme shpirtin’, ‘Kur shpirti flet nga këndvështrimi i gruas’ dhe një libër për fëmijë.
Malvina gjithashtu e njohur për prezencën e saj të rregullt në programe televizive dhe media online, trajton çështje të ndjeshme shoqërore,fetare e kulturore.Permes iniciativave konkrete ,si propozimi për krijimin e plazheve të veçanta për gratë myslimane dhe normalizimin e veshjes me shami në hapësirat publike është bërë zë i fortë për gjithë komunitetin mysliman.
Ajo është aktive në rrjetet e saj sociale për të shpërndarë me ndjekësit e saj raste të personave që kanë nevojë. Në këtë mënyrë Malvina ka ndihmuar shumë qytetarë duke u bërë për ta një dritë shprese.