Mbrëmjen e djeshme është ndërhyrë për pastrimin e pikës së grumbullimit të mbetjeve afër Urës së Bahçallekut, në hyrje të qytetit, një nga pikat më problematike kjo sa i takon hedhjes pa kriter të mbetjeve.
Puna për pastrimin e kësaj pike ka vijuar deri në orët e para të mëngjesit duke bërë të mundur heqjen e rreth 15 ton mbetjeve të depozituara prej vitesh veçanërisht nga bizneset aty pranë.
Pak ditë më parë u vendos masë administrative, gjobë, ndaj një biznesi që depozitonte mbetje dhe ambalazhe në këtë pikë të lejuar vetëm për grumbullimin e mbetjeve urbane. Bashkia Shkodër apelon qytetarët dhe subjektet që të kontribuojnë në mbajtjen pastër të ambientit duke i depozituar mbetjet në vendet e lejuara.