Nga Herion Faslija, ish basketbollist:
Jemi në mes të fushatës zgjedhore dhe bashkë me të vijnë edhe biseda të gjata e të lodhshme për të ardhmen e qytetit tonë. Megjithëse më të gjata e të lodhshme se bisedat janë pritjet tona për një realitet më të mirë, ka një kategori njerëzish që ndoshta ndjejnë se nuk u përkasin këto diskutime dhe janë indiferentë ndaj procesit zgjedhor.
Dëgjojmë shpesh nga ata frazën “Çfarë na duhet ne politika, le ta lëmë politikën për politikanët…”
Politika nuk është një fushë izoluar nga jeta jonë e përditshme. Vendimet që marrin politikanët kanë ndikim në ekonomi, mjedis, arsim, sport, shëndetësi, drejtësi dhe marrëdhënie ndërkombëtare.
Si votues dhe anëtarë të shoqërisë, ne kemi përgjegjësi për t’u angazhuar në diskursin politik dhe për të siguruar që udhëheqësit tanë të jenë të përgjegjshëm karshi nesh; njerëzve që ata pretendojnë se përfaqsojnë.
Shkodra është më shumë se një qytet. Ajo është shtëpia jonë e përbashkët, është një thesar trashëgimie, kulture dhe bukurie. Por gjithashtu është edhe e lodhur, e zhgënjyer dhe e abuzuar nga politika.
Nuk mund të lejojmë që kjo të vazhdojë. Ne duhet të kërkojmë më shumë nga politikanët tanë dhe të punojmë drejt një të ardhmeje më të ndritshme për Shkodrën. Ne duhet të ndërtojmë një ekonomi të fortë, të sjellim përsëri gjallëri dhe të sigurojmë më shumë mundësi për sport dhe argëtim.
Duhet të nderojmë të parët tanë duke mbrojtur atë që na lanë dhe jo duke u mburrur me një të kaluar që nuk eziston më. Ne të gjithë kemi interes në të ardhmen e Shkodrës dhe duhet të jemi të përfshirë në bisedat politike për të bërë një ndryshim.
Sfida më e madhe për ne si shkodranë është të mësojmë të bashkëpunojmë drejt qëllimeve të përbashkëta. Diversiteti në përfaqësim dhe perspektivat e ndryshme ndihmojnë që nga politikat të përfitojnë të gjithë, dhe jo vetëm një grup të vogël të privilegjuarish.