Shkodra Post
AktualitetArsimLajmi i Fundit

“Mendimi im, Forca ime” / Gjimnazisti i shkolles “Jordan Misja” shpallet fitues i konkursit kombetare…

Sot, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës ju prezantojmë esenë fituese të javës në projektin “Mendimi im, Forca Ime”, që këtë javë angazhoi të gjitha shkollat e vendit. Fituesi i përzgjedhur është Krist Prendi, klasa 11, gjimnazi “Jordan Misja”, Shkodër.

Në viteëndjet e mia fjala Kosovë ka qenë dhe është e shenjtëruar. Po, po, e shenjtëruar! Shpirti lëkundet nga vendi me dy flamuj, njëri kuqezi, e tjetri blu. Kosova më rrëfen copa atdheu, më rrëfen netëve të gjata të dimrit se PLIS jemi në krejt trojet tona. E për më shumë, më bën me dije se ky vend është foleja ku bashkohen shqiponjat kuq e zi. Ky vend sot e përgjithnjë është klithma jonë e lirisë tok me ngjyrat e ëndrrës së madhe, ëndrrës që të parët e mi nuk e jetuan. Endrrës për liri…

Unë po! Sot, më 17 shkurt Liria e Kosovës mbush plot 15 vite. E brishtë, tekanjoze, por edhe e fortë. E dini se në dejet e mia rrjedh gjak shqiptari prej Kosove? Rrënjët e mia janë atje në Prizrenin e Lidhjes, prej nga ku gjyshja ime, asokohe vajzë e vogël u nis, teksa shtrëngonte fort duart e prindërve të saj, të cilët po largoheshin kokëmënjanë e përlotshëm.

Ikën me mallin e pamatë, ikën në kërkim të lirisë, në përqafim të jetës. Ikën me gëzimin e trembur të fëmijëve, nxënës të dikurshëm të stërgjyshit tim që nuk mundte ta thoshte fjalën shqip në shkollë. U larguan nga sytë këmbët prej dheut që adhuronin. Bota ia vodhi qetësinë si floririn e dheut amë. Kosova e tyre ishte kafshatë e ëndërruar e armiqve të përbetuar, Kosova e Isës, Ademit e Azemit e Shotës. Kosova e tyre ishte toka e njomur me gjak të bijve të saj, vendi i sharë, i vrarë, i dëbuar… E ata vrapuan bashkë me dëshirat e heshtura, duke mbartur si bagazh vuajtjet dardanase, pa mundur të ishin më në gëzimet, vdekjet dhe lindjet e bardha.

Të parët e mi ikën bashkë me ëndrrën e pashuar se një ditë Kosova do të ishte e pavarur, me besën e pathyeshme se të paktën njëri nga të tre do të përjetonte kënaqësinë që të fal liria. Ikën duke marrë me vete një betim që nuk mundën ta shkelin kurrë: se një herë lulja Kosovë, që nuk vyshket kurrë, do jetë e pavarur. 65 vjet pas ikjes së dhimbshme, pikërisht, me 17 shkurt 2008 Kosova, shteti më i ri në Evropë, shpalli pavarësinë nga Serbia, duke u bërë shtet sovran, me institucione të pavarura dhe me simbole unike shtetërore në Ballkanin Perëndimor. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë, por edhe të dhimbshëm, sepse për t’u arritur ky ideal historik, u derdh shumë gjak dhe u shuan shumë jetë.

Mes gëzimit ndjellalumturues që sillte kjo datë, teksa spikerët e lajmeve anëekënd botës ulërinin sihariqin e pavarësisë kosovare, gjyshja ime, tashmë plakë, mërmëriste lotësisht e gëzuar: Babë! Ndodhi! Bacalok erdhi!

Luftërat mbetën në log të bjeshkëve të Rugovës. Armët në muze të armëve. “Lufta s’vret, njeriu vret i pari” kish thënë dikur poeti Azem, që ashtu si stërgjyshi im nuk e mbërriti lirinë e Kosovës. Gjyshja ime po, iu gëzua Pavarësisë së 17 shkurtit 2008.

Related posts

Spahia takim me përfaqësues së Departamentit Amerikan të Shtetit dhe atë të Forcave te Armatosura të RSH…

Hyn në fuqi harta e re gjyqësore/ Mbyllet Gjykata e Apelit në Shkodër…

Benet Beci: pikësynimi im ky është, ta kthejmë Shkodrën në bashkinë kampione në vend…