Shkodra Post
Lajmi i FunditSport

100 vjetori i një legjende, përkujtohet kolosi i futbollit shqiptar Loro Boriçi…

Si sot, përpara 100 vitesh, në 4 gusht të vitit 1922, ka lindur në Shkodër kolosi i futbollit shqiptar, Loro Boriçi. Ai vazhdon të kujtohet ende sot, si një legjendë e futbollit, jo vetëm të Shkodrës, por të mbarë Shqipërisë.

Padyshim, figurë e jashtëzakonshme dhe personaliteti më i madh në historinë e futbollit shqiptar e një nga njerëzit me më shumë kontribute në zhvillimin e futbollit në vendin tonë me një karrierë të lavdishme.

Loro kreu shkollën në Kolegjin Saverian në Shkodër, një institucion arsimor që i përkiste kishës katolike që kishte arsimim të përgjithshëm normal. Spikati që në moshën 15-vjeçare për aftësitë e tij teknike dhe u bë menjëherë pjesë e Vllaznisë, ku luajti për disa sezone.

Më pas, u transferua në Itali me vëllain e tij më të madh, Markun, dhe u regjistrua në fakultetin e drejtësisë në Romë për të ndjekur studimet në fushën e jurisprudencës. Në vitin 1941 Loro u bë pjesë e klubit të Lacios dhe pas një sezoni të parë të vështirë arriti formacionin e ekipit të parë duke luajtur 19 ndeshje e shënuar 6 gola në kampionatin elitar të Italisë. Asokohe në Serinë A ishin edhe disa futbollistë të tjerë shqiptarë që luanin me klubet italiane si Riza Lushta i Juventusit, Naim Kryeziu i Romës, Hilë Staka i Bolonjës apo Sllave Llambi me Interin.

Me përfundimin e luftës Loro Boriçi vendosi të kthehej në Shqipëri dhe u transferua te Vllaznia, ku u shpall dy herë kampion më 1945-n dhe 1946-n. Debutimi i tij me Kombëtaren shqiptare do të vinte në miqësoren ndaj Malit të Zi, të luajtur në gusht të vitit 1946. Loro Boriçi ishte protagonisti kryesor dhe kapiteni që udhëhoqi Kombëtaren e Shqipërisë në fitoren historike të Ballkaniadës së vitit 1946 në Tiranë, duke mposhtur skuadra me emër si Rumania e Bullgaria.

Në 1949 mbërrin në Tiranë për shërbimin ushtarak, ndonëse ishte 27 vjeç dhe luajti për Partizanin. Fitoi edhe dy tituj kampion (1949, 1954), ndërsa në sezonin e fundit si futbollist aktiv luajti edhe për Spartakun e Tiranës. Në vitin 1956 u caktua trajner i Partizanit dhe më 1957-n, trajner i kombëtares, të cilën me shkëputje e drejtoi deri në prag të viteve 80-të. Në fakt, Loro Boriçi mban edhe një tjetër rekord të veçantë si trajneri më jetëgjatë Kombëtares shqiptare.

Në 1960 u shkollua për trajner në Institutin e Fizkulturës dhe Sporteve në Bullgari, në Sofie, dhe si trajner do të shpallej kampion në vitet 1963, 1964, 1971 me Partizanin. Gjithashtu, si trajner ka fituar Kupën e Republikës në 1964, 1966, 1968 e 1970, Kupën Ballkanike me Partizanin në 1970, Kampionatin Ballkanik me ekipin Shpresa më 1977. Boriçi fitoi edhe medaljen e argjendit me Partizanin në Lojërat e Ushtrive mike në Hanoi më 1963.

Nga viti 1972 e deri në vitin 1975 punoi në Kinë për të ndihmuar në zhvillimin e futbollit kinez, për t’u rikthyer në eksperiencën e tij të fundit ë krye të stolit të Kombëtares. Loro Boriçi u nda nga jeta në moshën 62-vjeçare më 25 prill të vitit 1984 pas një sëmundje të rëndë. I nderuar me titujt sportiv “Mjeshtër i Merituar”, “Trajner Kombëtar”, “Nderi i Sportit Shqiptar” si edhe i dekoruar nga Presidentët e Republikës me urdhrin “Naim Frashëri” Klasi i Parë dhe Urdhri i Artë “Naim Frashëri”, dekorata “Mjeshtri i Madh i Punës”, urdhri “Nderi i Kombit” dhënë më 30 dhjetor 2012 me motivacionin: “Me përkushtim të rrallë, duke e konsideruar sportin si një mision jetik për t’i shërbyer Shqipërisë me talentin e tij të rrallë, ai ishte dhe mbetet ikona e futbollit shqiptar”. Emrin e Loro Boriçit mban sot edhe stadiumi kombëtar i Shkodrës.

Marrë nga fshf.org

Related posts

Kukësi për të thyer “mallkimin” ndaj Teutës

Trajneri i Kastriotit i kënaqur me barazimin ndaj Vllaznisë, vlerëson arbitrin Jorgji

“Në Finlandë, si nënkampione bote, më ofruan një ‘Benz’ që s’e pranova, kurse në Shkodër, kur lashë sportin, një libër të Enverit dhe ‘Axhustator i dalluar’…”/ Dëshmia e legjendës së mundjes…