Nga Elisa Karaj
Për 9 vite tashmë çdo ditë e Albinës nis herët në mëngjes për t’iu drejtuar Institutit të Sigurimeve Shoqërore aty ku ajo është pjesë e kabinetit të Drejtorit të Përgjithshëm. Gjithashtu e anagazhuar në Këshillin Bashkiak të Tiranës që prej vitit 2015 ,ajo është një ndër gratë e para me shami e zgjedhur me votë në një pozicion politik.
Rrugëtimi nga Fieri drejt Tiranës
E rrethuar që në fëmijëri me shumë dashuri dhe vlerësim ajo do e përkufizonte fëmijërinë e saj si “ideale”. Në atë kohë ku mësoi që të besonte në bindjet e veta, mësoi edhe të ngrinte zërin ndaj padrejtësive duke e pasuar në vitet në vijim në aktivizëm, kryesisht për gratë dhe të rinjtë. Me një rol organizator që në fëmijëri duke qenë fëmija dhe mbesa e parë, ajo ka mundur të krijojë edhe profilin që mban tani. Një shpirt empatik që e sheh botën me një sy pozitiv edhe kur të tjerët nuk kanë qëndrime të mira ndaj saj.
Një Fierake, që la pas qytetin e saj që prej vitit 2006 për të studiuar fillimisht, për Bilogji dhe Biologji-Mjedisi pranë FSHN-së e më pas duke e finalizuar masterin për Administrim Publik. Zgjedhjet e saj akademike nuk ishin aspak të rastësishme.Për të, të kuptuarit mjedisin,jetën dhe balancën midis tyre ishte një mënyrë për të përmbushur jo vetëm interesin profesional por edhe besimin fetar.
Duke e parë shkollimin më shumë si një përmbushje karakteri , Albina tregon se arsimi nuk e ka ndihmuar dhe se ka qenë e vështirë të integrohet në tregun e punës.
E rritur në një familje myslimane që në periudhën e komunizmit,Albina e njohu fenë si pjesë e traditës së festave por pa një praktikë të rregullt. Në moshën 22-vjeçare ishte e para në famljen e saj, që nisi rrugëtimin e saj shpirtëror si besimtare praktikuese. Duke ndjerë një formë represioni të kohës, në vitin 2009 ajo kishte menduar që mos të mbulohej asnjëherë por fill pas një viti, gati në përfundim të masterit vendosi të mbulohej. Frika se mos nuk do mund të gjente pune ishte e lartë por ajo nuk bëri kompromis me besimin dhe bindjet e saja.
Albina gëzimi i parë për familjen kishte të gjithë komponentët për tu bërë e suksessshme në të ardhmen.Familjarët ishin mbështetës por jo deri në fund me vendimin e saj,duke menduar se shamia do e pengonte ecurinë e saj.
“Nuk iu faj prindërve të mi sepse në të tilla kushte jetonim edhe jetojmë,prindi do gjithmonë më të mirën” .–shprehet ajo.
Pjesë e Këshillit Bashkiak të Tiranës për 10 vite
Ishte viti 2015 kur Albina u zgjodh me votë në një institucion shtetëror, si gruaja e parë me shami duke thyer tabu dhe duke u bërë “dritë” për shumë gra dhe vajza të tjera. Angazhimi i saj si Këshilltare e DPIU-së për 3 mandate tashmë,i vë theksin kontributit të saj në çështjet dhe projektet sociale duke iu ardhur në ndihmë kryesisht shtresave në nevojë,me asistenca dhe bonuse strehimi.Fëmijëve në situatë rruge dhe të moshuarve gjithashtu. Si pjesë e Aleancës së Grave Këshilltare ajo është në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët për të ndërmjetësuar çështjet mes tyre dhe administratës së Bashkisë.
Të ndërlidhësh punën me bindjet dhe besimet është e vështirë në një shoqëri ku të gjykohesh dhe stigmatizohesh është shumë e lehtë. Por Albina vërteton të kundërtën pasi për të askush nuk mund të bëhet një pengesë .Ajo tregon me dashuri që hixhabi për të është paqe, një ndjenjë komforti dhe privatësie. Një faktor që e ka fuqizuar dhe e ka ndihmuar edhe në ecurinë e saj si aktiviste.
Nevoja për të falur namazin në kohën e duhur është përqafuar dhe respektuar nga kolegët e saj. Në shumë raste ajo falet në zyrën e saj, të cilën e ndan me një prej kolegeve, ose në xhamitë më të afërta të Tiranës.
Albina e di mirë që shoqëria shqiptare ndonëse e hapur, ende të trajton herë mik e herë armik. Ajo ka hasur steriotipe nga persona që i besojnë duke mos numëruar paratë që iu jep ose edhe duke e besuar verbërisht fjalën e saj. Një peshë goxha e madhe për tu mbajtur mbi supe pasi një mendim negativ kundrejt saj priret të veshë me gjykim të gjithë grupin që ajo përfaqëson.
Nënë ,profesioniste dhe aktiviste
Përtej angazhimeve politike dhe profesionale,Albina ka krijuar strehëzën e saj familjare.Nga një miqësi midis tyre lindi dashuria e cila u kurorëzua në martesë. Nga kjo martesë erdhën në jetë 3 fëmijët e çiftit Nanaj. Të dy praktikues të fesë islame mundohen ti edukojnë fëmijët jo vetëm me vlerat e besimit por edhe me dije fetare duke u bërë shembull për to.
37-vjeçarja një nënë e përkushtuar dhe një profesioniste mjaft e zonja, përfaqëson me dinjitet atë kategori grash që i sfidojnë paragjykimet, duke theksuar se në shoqërinë tonë të tilla paragjykime janë të paevitueshme.
Prej vitesh një aktiviste për të drejtat e grave dhe të rinjve, ajo tregon me krenari se edhe shumë vajza dhe gra me hixhab kanë mundur të marrin mbështetje nëpërmjet fuqisë dhe ngritjes së zërit të saj.
Nëse një ditë pushimi mundoheni të kontaktoni Albinën,por asnjë përgjigjje në horizont nga ajo. Me siguri do mund ta gjeni duke shijuar bukurinë dhe qetësinë që i ofron nëna natyrë. Larg ritmit të shpejtë të punës, nën hijet e pemëve ajo mediton dhe shpenzon kohë duke i kushtuar vëmendje secilit prej 3 fëmijëve të saj.
Një model frymëzimi për gratë me shami
Albina është një shembull frymëzues për të gjitha gratë e vajzat me shami por edhe për çdokënd që ndjen se duhet të zgjedhë midis identitetit dhe bindjeve të veta. Ajo tregon me bindje se me gjithëpërfshirjen e modeleve pozitive të hixhabit në jetën publike, edhe shoqëria pëson një qasje pozitive.Si dhe kjo do mund të shuante të gjitha steriotipet negative të krijuara.
Të ndihmosh të tjerët lidhet ngushtë me besimin e saj,gjë që ajo e realizon nëpërmjet angazhimit politk në vendimarrje. Ndërkaq në të ardhme ajo do që të jetë gjithmonë në ndihmë të të gjithë grave dhe vajzave pavarsisht nëse janë apo jo të mbuluara.
“Në të ardhme e shoh veten të kontribuoj në shoqëri përmes një biznesi social, gjithmonë me fokusin tek fuqizimi dhe angazhimi i grave dhe vajzave”.