Pas krimit makabër, autori e futi trupin e saj në një valixhe dhe e hodhi në një greminë, në një përpjekje për të fshehur gjurmët.
Arkivoli me trupin e Ilarias mbërriti në banesën e familjes së saj më herët gjatë ditës, i shoqëruar nga të afërmit që i qëndruan pranë në këtë moment të rëndë. Atmosfera në lagjen ku banonte familja ishte e rënduar, ndërsa shumë të afërm, miq dhe fqinj ishin mbledhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit të resë shqiptare.
Në orën 14:00 të 7 prillit, kortezhi mortor u nis drejt varrezave të qytetit, ku trupi i saj u përcoll për në banesën e fundit. E ëma, pësoi një gjendje të fikëti në momentin që arriti arkivoli i bardhë i vajzës së saj, i mbuluar me trëndafila të bardhë e të kuq.
Në shenjë zie, flamujt në ndërtesat komunale janë ulur në gjysmështizë me urdhër të kryebashkiakut të Ternit, ndërsa në Universitetin La Sapienza në Romë, ku Ilaria studionte shkenca statistikore, mësimi u pezullua në nderim të saj.
Babai i Ilaries ka falënderuar qytetin, institucionet dhe të gjithë ata që kanë treguar solidaritet me familjen në këtë tragjedi.
Ngjarja tronditi jo vetëm komunitetin shqiptar në Itali, por edhe opinionin publik më gjerë, duke sjellë sërish në vëmendje plagën e dhunës në marrëdhënie dhe tragjeditë që ajo lë pas.
Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.